Dera e gjelbër që politikanët tanë refuzojnë ta kapërcejnë

7 Shkurt 2026, 19:05Blog Bjorn Runa

Nëse ka një mëkat që iu atribuuohet vazhdimisht politikanëve shqiptarë përndryshe punëmbaruar, është pazotësia e tyre për të dalluar dhe pranuar momentin kur iu jepet një mundësi daljeje nga jeta publike. Në fakt, shumica e tyre kanë qenë historikisht të paaftë t’i dallojnë daljet jo vetëm kur iu janë paraqitur si mundësi largimi me dinjitet, por po aq të paaftë edhe kur ato iu janë shfaqur para syve në mënyrat më brutale dhe të pagabueshme. Kjo e dyta ka qenë edhe më e qartë me figura si drejtuesi aktual i opozitës zyrtare shqiptare, Sali Berisha, të cilit jeta politike i ka ofruar disa dalje herë dalje të qarta, brutale dhe shpesh të dhunshme, të cilat nuk ka qenë i zoti t’i ndjekë. Megjithatë, edhe Berisha mbetet thjesht shembulli më i dukshëm i një vesi më të madh që përfshin shumicën e politikanëve shqiptarë.

Ajo që e bën gjithë këtë të pazakontë dhe të vështirë për t’u kuptuar është se shumica e këtyre politikanëve nuk do të humbnin thuajse asgjë nga ana materiale nëse do të merrnin rrugën e daljes. Në fakt, krejt e kundërta do të qe e vërtetë: me ndikimin, rrjetet shoqërore dhe kapitalin informal të grumbulluar gjatë kohës së shpenzuar në pushtet, pjesa dërrmuese e tyre as që do ta ndiente kalimin nga jeta publike në role tejet fitimprurëse në sektorin privat, nga bordet drejtuese tek shërbimi si konsulentë, apo pozicione këshilltarësh në hije, që të gjitha role shumë herë më të rehatshme – dhe shpesh më fitimprurëse – se sa jeta politike.

Është e kuptueshme se përse disa figura më të vogla dhe më vulgare të skenës politike e kanë të nevojshme të kapen dëshpërimisht pas pushtetit dhe zyrës publike, pasi në të shumtën e rasteve iu mungojnë aftësitë reale dhe çdo përvojë pune, e për rrjedhojë veç asaj zyre nuk kanë destinacion tjetër që t’iu sigurojë një standard të caktuar jetese. Pushteti është zanati i tyre i vetëm dhe pa të ndihen të ekspozuar.

Ajo çka është e vështirë të kuptohet është përse drejtues të rëndësisëhm politikë – të arsimuar, me lidhjet e duhura dhe aftësitë mëse të nevojshme për të lulëzuar edhe jashtë politikës – sillen shpesh në të njëjtën mënyrë. Pse e shohin ikjen jo si një ndryshim i natyrshëm karriere, por si shfarosje personale?

Një nga arsyet kryesore është ndoshta fakti se ajo çka i lidh shumicën e politikanëve shqiptarë me pushtetin nuk është ekonomia, por shpërbërja e çdo kufiri ndarës mes rolit të tyre publik dhe vetes private.

Një nga autorët më të mëdhenj fantastiko-shkencorë, H. G. Wells, botoi në korrik të 1906-ës atë që do të bëhej një nga tregimet më të njohura të tij - por që në fakt është larg të qenit një tregim fantastiko-shkencor -  të titulluar “Dera në Mur”. Redmond, personazhi kryesor i tregimit, përballet disa herë gjatë jetës së tij me një derë të gjelbër – një lloj “daljeje” nëse mund ta quajmë kështu – drejt një kopshti qetësie e harmonie. Por, çdo herë që i shfaqet dera, Redmondi zgjedh rolin publik: punën, mbledhjet dhe reputacionin, duke e shtyrë vendimin gjithnjë për më vonë.

Historia mund të interpretohet në shumë mënyra, por e vetmja gjë që na intereson në këtë moment është pikërisht tensioni mes rolit publik dhe vetes private, sepse duket se kjo e fundit në Shqipëri është fshirë thuajse plotësisht nga jeta politike. Këtu politikanët kanë aftësinë e pazakontë që të mos dalin kurrë në pension dhe as nuk e konceptojnë ndonjëherë luksin e një jete të qetë private. Ata pluskojnë përjetësisht si shpirtra të trazuar, të mbushur me pengje që ua bëjnë të pamundur të pranojnë se ajo që dikur mund të ketë qenë shtëpia e tyre, tashmë iu përket të tjerë njerëzve dhe për rrjedhojë kthehen për t’i përndjekur banorët e saj të rinj.

Edhe retorika e përditshme e tregon këtë. Gjuha politike nuk ka të bëjë më me bindjen apo qeverisjen, por gjithnjë e më shpesh lidhet me rrëzimin, mposhtjen dhe eleminimin, duke e kthyer pushtetin nga një përgjegjësi e përkohëshme në një territor që duhet mbajtur i pushtuar për një kohë të papërcaktuar.

Rezultati i gjithë kësaj është sistemi në të cilin po jetojmë, ku të vetmet mundësi daljeje janë përjashtimet e dhunshme. Ikjet apo daljet vullnetare nga roli publik sa vjen e bëhen më të paimagjinueshme, sepse edhe vetë daljet kanë një afat skadence. Nëse nuk arrin t’i marrësh në çastin e duhur, mundësia e ikjes me dinjitet jo vetëm nuk ekziston më si mundësi ikjeje, por pas skadencës shndërrohet në poshtërim.

Në tregimin e Wells-it, Redmondi në fund zgjedh ta bëjë kapërcimin që kishte shtyrë gjatë gjithë jetës, duke kaluar në anën tjetër të derës së gjelbër, vetëm se këtë radhë në krahun tjetër nuk gjendet më parajsa e gjelbër e fëmijërisë. Kësaj here, dera e çon në kantierin e ndërtimit të një hekurudhe të re ku Redmondi bie dhe vdes.

Daljet e shtyra vazhdimisht nuk mbeten të tilla në pafundësi. Koha i transformon dhe ky është paralajmërimi që politika shqiptare duket se nuk arrin ta dëgjojë. Rreziku nuk është se politikanët tanë nuk largohen kurrë, por se kur të duan të ikin, dalja që kanë imagjinuar si largim dinjitoz nuk do të ekzistojë më, siç nuk ekziston aktualisht për një pjesë të tyre. Edhe pse dera mund të ngjajë sërish si derë, funksioni i saj nuk do të jetë dalja, por rënia dhe kur kjo t’i ndodhë një gjenerate të tërë politike, asnjë retorikë “rrëzimi” apo “mposhtjeje” nuk do t’iu mjaftojë për të gjetur rrugën e kthimit. Ajo çfarë do të gjejnë në krahun tjetër nuk do jetë kopshti i gjelbër i jetës private, por vetëm kantieri ku rrezikojnë të bien përfundimisht.

11 Komente

  1. G
    Gjelbērim mbjellje,zbukurime

    Qytetarēt, shtypi, televizionet, tē huajt., u kanē bērē me dije se ku çalon problemi, dhe si vazhdohet, por pērsēri s'kemi hapa konkret.Rroga deputetēve, kryetarēve tē Partive, fondet, etetj janē tē duhura pēr punēn qē ju ēsht besuar por zgjidhjet alternative mungojn dhe duket sikur benzina ka ujē.Ndaj duhet qē opozita tē jet e vēmēndēdhme nē punēt e qeveris, por jo ta pengoj tē punoj nga disa shkelje qē vet mazhorance s'i mohon.Tani qē transparenca vērehet kudo, nuk ka mē arsye qē opozita tē marrē dhenē.Irani, Serbia,Bullgaria, Hungaria,apo Minessota SHBA-ve, nisēn protesta, por nē momentin që jepet zgjidhja, gjithçka kthehet nē normslitet, kurse te ne vazhdohet me dhunē opozitare, psychologjike dhe fizike, brēnda dhe jasht vēndi.Por dhe kēshtu si bēn opozita, nuk vazhdohet.,ndaj kam bindjen se do pērfundoj keq.

    Përgjigjjuni
    1. P
      Punetori

      Duan te ngelen ne histori, por harrojne se ne histori mbeten me te diskredituar per shkak te rritjes se gabimeve nga egoja e semure.

      Përgjigjjuni
      1. K
        Kuptoni themelet

        O z. Runa, keto nuk jane ceshtje hartimesh. por ceshtje kufizimesh. Dhe kur kufizimiet nuk i ben dot as organizata (partia ne kete rast), eshte organizata (partia) ajo qe duhet te iki nga dera jeshile. Ne kere rast, eshte ora e PD, sepse PS e ka patur nje rast model per dere jeshile: Fatos Nano. Keshtu qe nuk ke perse shkon te gjesh ndonje person fantastiko-shkencor te vitit 1900!

        Përgjigjjuni
        1. D
          Dakord

          Edhe Gramoz Ruçi doli nga dera e gjelbër.

          Përgjigjjuni
        2. k
          kris

          Dy partite e medha shkaterruan dhe vodhen sa deshen.Eshte koha tu behet funerali

          Përgjigjjuni
          1. s
            sali berisha duhet denuar sa me par

            sali berisha eshte kerma kryekrimineli me i koruptuar ne gjith. boten. ai duhet denuar. me vdekje pa as nje meshir

            Përgjigjjuni
            1. O
              O

              Ka korrupsion plot në PS, dhe do ketë gjithmonë në çdo qeverisje të majtë apo të djathtë. Por çfarë ofron PD-ja me shumë sot që të votohet me shume? Është krejt e pabesueshme, nuk tregon asnjë përparim, asnjë përgatitje, asnjë aftesi. Janë mbledhur një grusht njerëzish që përfitojnë dhe fshihen pas Saliut dhe nuk japin asnjë alternativë të zgjuar apo studiuar, por i bëjnë tifo retorikës së ashpër të Saliut për interesin dhe hallin e tij personal. Ai ka vjedhur pa hesap, ka shkatërruar pasurine e ndërtuar me djersën e popullit, për me tepër ka treguar që vret për interesin e tij, ka përdorur dhe përdor drejtësinë sot e kësaj dite per të mbuluar zullumet e tij. Halli më i madh këtu nuk është i atyre që luftojnë me çdo mjet për të mbajtur karrigen përjetë, por i popullit të thjeshtë e të ndershëm që jeton nën këtë trysni dhe helm që injektohet çdo ditë nga politika, shtypi, mungesa e drejtësisë që ëndërruam. Do jetë shumë e largët dita kur politikanët tanë të mendojnë të kalojnë me vullnetin e tyre portën e gjelbër, për të vazhduar të qetë jetën personale. Deri atëherë kushedi sa kohë duhet

              Përgjigjjuni
              1. U
                Une

                "pjesa dërrmuese e tyre as që do ta ndiente kalimin nga jeta publike në role tejet fitimprurëse në sektorin privat, nga bordet drejtuese tek shërbimi si konsulentë, apo pozicione këshilltarësh në hije, që të gjitha role shumë herë më të rehatshme – dhe shpesh më fitimprurëse – se sa jeta politike. " Nuk e di c'the përtej ksaj, por ktu po them : te kalojne nga nje menyre hajdutërinë, tek nje tjetër me e majme, e perjetshme, e paluajtshme mbi kokat e ne te varferve te vuajtur, qe shpresojme qe dikush te perseveroje ne detyre e t'i prese koken Padrejtesise hipokrite e boshe, pa kuptim e mizore!!!..... Eja Ti Zot tani e na shpeto!!! Immaculate Heart of Mary, eja dhe na cliro!!! ✝️

                Përgjigjjuni
                1. A
                  Arbër

                  Te nderuarit, fisnikët Moisiu dhe Topi e kane bere këtë që shkruani! Respekt

                  Përgjigjjuni
                  1. Q
                    Q. K.

                    Mire e ke ti , more djale , Po keta nuk Jane politikane ( politikanet e vertete dhe Profesioniste I njohin rregullat dhe limitet dhe I respektojne ato ) . Cfare Jane ? Mendohu , mendohu , se nuk eshte e veshtire t'i dallosh se cfare Jane !

                    Përgjigjjuni
                    1. F
                      FN

                      Cfare flisni bre Burra! Ai Burri I Tropojs nuk ka mbarue akoma misionin: shkaterrimin e plote te ketij vendi, ndoshta edhe te ketij kombi!

                      Përgjigjjuni

                      Lini një Përgjigje