Çfarë na mëson sociologjia dhe filozofia për Shqipërinë politike

8 Shkurt 2026, 15:30Blog TEMA
Çfarë na mëson sociologjia dhe filozofia për

Nga Ermal Peçi

Duke qenë se formimi im vjen nga Shkencat Sociale, dhe konkretisht nga Sociologjia, nuk mund ta përjashtoja këtë analizë për të kuptuar se çfarë po ndodh sot në vendin tonë. Ka një ligj të pashkruar të politikës që filozofia dhe sociologjia e kanë kuptuar prej kohësh, por që shoqëria shqiptare ende refuzon ta pranojë plotësisht: pushteti ndahet për të sunduar, por bashkohet për të mbijetuar.

Vilfredo Pareto nuk fliste për individë, por për elita dhe Shqipëria sot është një laborator i hapur i këtij ligji.

Në sipërfaqe, politika shqiptare shfaqet e përçarë, e polarizuar, e zhytur në konflikt të përhershëm. Berisha dhe Rama paraqiten si kundërshtarë ekzistencialë, si dy botë që nuk takohen kurrë. Por kjo ndarje funksionon vetëm për aq kohë sa politika mbetet lojë pushteti. Në momentin që në skenë hyn SPAK-u, vijat ndarëse fillojnë të zbehen dhe del në pah një ndjenjë e përbashkët që i bashkon të gjithë: frika.

Sociologjia politike na mëson se elitat rrallë rrëzohen nga njëra-tjetra. Ato zëvendësohen, riciklohen dhe rrotullohen brenda të njëjtit sistem. Ajo që i trondit realisht nuk është humbja e pushtetit, por humbja e imunitetit. Për herë të parë pas dekadash, politika shqiptare përballet me një institucion që nuk negocion me narrativën, por kërkon llogari. SPAK-u nuk është thjesht një strukturë drejtësie; për klasën politike, ai është kërcënim ekzistencial.

Hannah Arendt e thotë qartë: pushteti nuk ka frikë nga opozita, por nga gjykimi, sepse gjykimi e nxjerr pushtetin nga propaganda dhe e fut në territorin e përgjegjësisë personale. Pikërisht këtu politika shqiptare ndihet e pambrojtur. Përballë SPAK-ut, aktorët politikë nuk janë më sundues, por subjekte hetimi dhe kjo për ta është një përmbysje e rendit që kanë njohur.

Carl Schmitt do ta quante këtë një “situatë përjashtimi”: çasti kur politika pushon së qeni ideologji dhe kthehet në instinkt mbijetese. Kur kundërshtari nuk është më “tjetri politik”, por drejtësia penale, konfliktet e mëdha pezullohen dhe lind një solidaritet i heshtur. Jo marrëveshje publike, por një afrim psikologjik dhe strategjik, i diktuar nga frika.

Kjo shpjegon pse Berisha dhe Rama mund të përplasen ashpër për vota, për histori dhe për pushtet, por përballë SPAK-ut gjuha u afrohet, reagimet fillojnë të ngjajnë dhe sulmet ndaj drejtësisë bëhen të sinkronizuara, herë të drejtpërdrejta, herë të maskuara. Mesazhi është i njëjtë: drejtësi po, por jo ajo që na prek ne.

Filozofia dhe sociologjia nuk flasin këtu për dy individë, por për një klasë politike që e percepton SPAK-un jo si instrument të shtetit, por si rrezik personal. Siç do të thoshte Pareto, elitat ndahen për të sunduar shoqërinë, por bashkohen për të mos u gjykuar prej saj dhe sot, ajo që i bashkon më fort se çdo ideologji është frika nga drejtësia.

Problemi i Shqipërisë nuk është konflikti politik, por një sistem që e pranon konfliktin si spektakël dhe e sheh drejtësinë si armik. Një sistem i mësuar të sundojë pa u gjykuar dhe që sot, për herë të parë, po ndien pasigurinë e llogaridhënies. SPAK-u nuk është më një “problem ligjor” për kundërshtarin; është pasqyrë ku pushteti sheh armikun e vetëm që nuk mund ta blejë, nuk mund ta manipulojë dhe nuk mund ta anashkalojë.

Berisha dhe Rama mund të vazhdojnë teatrin e përplasjes politike, por pas maskave, po afrohen në heshtje për të mbrojtur privilegjet e tyre. Për herë të parë, politika shqiptare nuk po mendon për votuesit, programet apo ideologjinë, ajo po mendon për veten dhe trashgiminë. Po sheh rrezikun nga SPAK-u dhe ky rrezik është i vetmi që realisht mund ta shkundë nga karriget e pushtetit politik-ekonomik që i kanë mbajtur në këmbë për dekada.

Se vjen një moment që drejtësia nuk pyet për fraksione, nuk dallon parti dhe nuk njeh miq politikë. Ajo godet aty ku duhet dhe pikërisht kjo është frika që sot i bashkon të gjithë.

2 Komente

  1. B
    Bufi dhe Bufonet

    Se kuptoje tendencen e nje pjese te madhe te atyre qe shkruajne , i rreferohen thenjeve te nje filozofi te huaj , ndoshta per te treguar qe kane lexuar dhe jane te dijshem... Zotri ju munde te jeni me filozof se ai qe ju e konsideroni filozof, ndaloni me keto parallélisme.....

    Përgjigjjuni
    1. (
      (***)

      Po ç'thua, o Ermal? Në filozofi dhe sociologji, politika nuk gjykohet; s'ka ligj që gjykon politikën, ajo ka të bëjë me pikpamje dhe botkuptime, me të cilën ajo e shikon dhe gjykon jetën ndryshe nga një tjetër. Një mënyrë të menduari dhe vepruari politik, dmth ideor mund t'ja ndalosh me ligj ushtrimin e saj, por nuk i gjykon dot idetë e njerëzve (ndalim i të drejtës demokratike); grupet e caktuara brenda politikës mund të përfitojnë nga pushteti politik dhe të shkelin ligjin, për këtë, më bazë të provave (jo me opinion) ata ndiqen ligjërisht, por me veprimin e tyre moralisht dëmtojnë politikën, por në rradhë të parë veten (shmangen nga politika dhe sanksionohen për shkeljet); ligjërisht, në mënyrë individuale apo si grup, shkelësit të ligjit, individualisht përgjigjen për shkeljet e vërtetuara të ligjit; i cili gjithsesi ka karakter klasor dhe jo të pavarur, siç konceptohet nga një pjesë e mirë e opinionbërësve, përfshirë dhe ty. Vetë opinionbërja, në fund të fundit, është politikë dhe ata që e bëjnë, mund të konsiderohen me elitë, që nuk janë të paanshëm dhe të shkëputur nga korrupsioni dhe mitmarrja ndaj atij që e punëson a e paguan. Këta, gjykohen për të pavërtetat që thonë (jo për shpifjet, ato duhet të gjykohen edhe deri tek paditësit para drejtësisë)? Këto janë fenomene të përbotshme, që janë në brendësi të sistemit ekomomiko-shoqëror. Dy janë alternativat: ose sistem "diktatorial", ku shteti merr përsipër rendin shoqëror, ose "demokraci", ku shuhet kuptimi klasik i partive (udhërrëfyese të klasave antagoniste) dhe marrjen në dorë të politikave nga "eltat" që quhen politike, por në fakt janë financiare, por gjithsesi ngjiten tek partitë politike klasike për të përfituar: ato nuk kanë parti, janë thjesht elita që lëvi in nga njëri grupim partiak tek tjetri. Partitë gjithmon kanë një bosht botkuptimor të përcaktuar saktë. Nuk besoj që ka politikë apo parti, që i thotë individit vidh, bëhu klan dhe vidh. Korrupsioni është fenomen shoqëror, që vjen për shkak të mungesës së mjeteve materiale dhe shfaqet ku më shumë e ku më pak, në vartësi edhe të presionit të shoqërisë, por edhe të kulturës dhe integritetit të personit. Imuniteti nuk është umbrellë, siç e percepton ti; ai është mburojë për të mos abuzuar mbi mbajtësin e imunitetit nga "drejtësia" e prokurorëve dhe gjykatave, pasi dihet që edhe ato, sikurse politika janë të njëlloj cënueshme; po prokurorin dhe gjykatat, që kjo politika ja paska frikën, kush e kontrollon? Gjykata dhe prokurori nuk është Zeusi; të vdekshëm janë edhe ata, siç mbajtësit e imunitetit. Në këtë formë që është shfaqur drejtësia sot tregon paaftësi profesionale të drejtësisë, veç korruptimi; korruptimi në këtë rrast (të drejtësisë) mund të jetë material dhe ideor. Nuk është drejtësia (aq më shumë një drejtësi e emëruar) ajo që nxjerr politikën nga propoganda, ta kanë mësuar gabim, por është vota e përkrahësve të politikës, kur shohin se zotimet, ose një pjesë e zotimeve janë realizuar në të mirë të tyre, duke bërë edhe dallimet mes ofertave politike dhe realitetit faktik. Kurse sa për elitat më shumë se ideologji i bashkon frika nga drejtësia, kjo nuk qëndron, se "elitat" nuk janë veç ata që kanë thyer ligjin, por edhe ata që gjykojnë (tash kanë krijuar edhe shoqata, ë). Shëmbulli: arrestimi i kryetarit të Bashkisë Tiranë në shkurt; në maj partia me të cilën përfaqësohet ky i fundit, fiton 83 vota! Nuk mund t'i shkulë nga karriget politikën një SPAK dhe GJKKO që vepron në kushtet e një paaftësie të theksuar profesionale për sistemin që jetojmë dhe pagave staratisferike, krahasuar me shumicën e votuesve. Një ndarje e vërtetë, mes gjyqësorit dhe persekucionit (prokurorisë), gjykatat në fakt janë kthyer në vartëse të prokurorisë, e cila zbaton një persekucion të vërtetë jo vetëm ndaj pushtetit politik, që, është dhe pushteti më i lartë i shtetit, por edhe ndaj çdo punonjësi, me të cilën mund të merren shkallët e tjera të drejtësisë. Në këtë kuptim, duke mirkiptuar të bërit politikë, shkrimi më duket si farsë politike për elitat; ata në fund të fundit mund të paguajnë gjithçka, mos të duket çudi, edhe ty, me apo pa vetdije. Sociologjisë politike, apo politikën so iologjike, ta kanë mësuar gabim, or djalë.

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje