Paqja si paradoks

4 Gusht 2025, 11:30Blog TEMA
Paqja si paradoks

Nga Namir Lapardhaja

(Ironia e Amos Oz në “Rrëfim për dashurinë dhe errësirën”)

Askush më shumë se sa shkrimtari i famshëm izraelit Amos Oz, nuk e ka pasqyruar kaq mjeshtërisht shpirtin tragjik të kombit të tij.
Në romanin e tij të njohur, "Rrëfim për dashurinë dhe errësirën" (Skanderbeg Books, Tiranë 2009), ai nuk rrëfen thjesht fëmijërinë në Jeruzalem, vetëvrasjen e nënës, shpërthimin e shtetit të ri të Izraelit, por shpalos një dramë të madhe morale e historike që lë pas konflikti.
Ka një fragment që nuk është vetëm tronditës, por nxjerr në pah edhe konceptin e paqes së rrëfyer nga vetë një izraelit mendjehapur në një kohë idealizmash dhe pafajësie, siç është periudha e fëmijërisë.
Në faqen 125 të romanit, Oz na jep një dialog mes një djali dhe gjyshit të tij, e cila është një pasqyrë e thellë ironike e mënyrës se si konceptohet “paqja” në një mjedis të zhytur në trauma, frikë dhe nacionalizëm ekstrem.
Kur djali pyet:
“Po paqja? A ka ndonjë mënyrë për të vendosur paqen?”, gjyshi përgjigjet:
“Po, ka: Duhet t’i mposhtim të gjithë armiqtë tanë. Duhet t’ua tregojmë qejfin, që të na vijnë e të na luten për paqen – dhe pastaj, nu, çfarë, sigurisht që do t’ua japim. Pse duhet ta mohojmë? Tek e fundit, ne jemi popull paqedashës.”    Kjo përgjigje, përplot ironi dhr sarkazëm, vjen si një grusht për të gjitha ata që besojnë se paqja është produkt i mirëkuptimit. Tek gjyshi, paqja është e mundur vetëm si produkt i fitores absolute. Është një paqe që nuk lind nga barazia apo respekti i ndërsjellë, por nga poshtërimi i kundërshtarit.                                                                        Ironia therëse e Ozit është e dukshme. Ata që e thërrasin veten “paqedashës” janë të gatshëm të shkojnë “deri në Bagdad… deri në Kajro” për ta “kërkuar” paqen – por me bombat atomike dhe me urrejtjen në valixhe.                      Ky fragment nuk është vetëm një karikaturë e një personazhi, por një akuzë kulturore që Oz i bën një pjese të mendësisë izraelite, e cila, sipas tij, në vend që të ndërtojë paqen si një ideal të përbashkët me arabët apo palestinezët, e sheh atë si trofe që merret pas gjakderdhjes. Është një paqe që nuk i ngjan paqes së vërtetë, por më shumë një imponimi që vjen si produkt i arrogancës, brutalitetit dhe mosbesimit.
Oz, i cili gjithmonë e ka përkrahur bashkëjetesën dhe zgjidhjen me dy shtete, përdor këtë dialog për të shfaqur kontradiktat e brendshme të kombit të tij. Ai nuk flet si një armik i Izraelit, por si një ndërgjegje e tij, një zë që i kërkon popullit të tij të kthejë sytë nga realiteti; se edhe viktima mund të bëhet shtypës në emër të kujtesës; se paqja e vërtetë nuk ndërtohet mbi epërsi, por mbi barazi, dialog dhe empati.
Për Amos Oz, letërsia është terren beteje, jo për të vërtetat e armëve, por për të vërtetat e shpirtit njerëzor.
Dhe në këtë betejë, ironia bëhet mjet i fortë për të zbuluar gënjeshtrat që fshihen nën fjalët më të bukura si fjala “paqe”.

........

"- Mos po thua se Izraeli duhet te bombardoje Leningradin, gjysh? Dhe se duhet te fillojme nje tjeter lufte boterore? Nuk ke degjuar ndonjehere per bombat atomike? Per bombat me hidrogjen?
- Gjithçka eshte ne duart e hebrenjve, nu, çfare, amerikanet, bolsheviket, te gjitha keto bombat e tyre te reja, jane ne duart e shkencetareve hebrenj, dhe ata duhet ta dine se çfare duhet e çfare nuk duhet bere.
- Po paqja? A ka ndonje menyre per te vendosur paqen?
- Po, ka: Duhet t'i mposhtim te gjithe armiqte tane. Duhet t'ua tregojme qejfin, qe te na vijne e te na luten per paqen - dhe pastaj, nu, çfare, sigurisht qe do t'ua japim. Pse duhet ta mohojme? Tek e fundit, ne jemi popull paqedashes. Madje ne kemi edhe nje urdherese te posaçme per paqen, te kerkojme paqe - nu, çfare, keshtu qe do ta kerkoj deri ne Bagdad po e deshi puna, deri ne Kajro, madje. Pse mos e kerkoj? Pse?"

Amos Oz, "Rrefim per dashurine dhe erresiren", f. 125

 

Lini një Përgjigje