Të lësh gazetarinë për gomaricat

7 Dhjetor 2022, 11:12Blog TEMA

Të lësh gazetarinë për gomaricat

Nga Çapajev Gjokutaj

Kjo thënie të kujton proverbin e vjetër ‘të lësh dasmën e të shkosh për shkarpa’. Vetëm se ai i shkarpave ishte i kohës së Nuhut dhe, me gjasë edhe i trilluar, kurse ky i gomaricave është i ditëve tona, person real që quhet Elton Kika dhe menaxhon një fermë gomaricash në Papër të Elbasanit.

Fermën e ka ngritur në tokën e familjes dhe ishte një alternativë që kuturisi ta vinte në jetë pas 13 vjet pune si gazetar e 3-4 vjet shkollim për gazetari. E nisi me 5 gomarica, po sot pas 4 vjetësh sipermarrja e tij ka trajtën e një ferme të vërtetë me 35 krerë. Qumështi i gomaricës u kshillohet personave që kanë probleme me rrugët e frymëmarrjes dhe në treg ka një çmim rreth 50 € litri.

Historia e ish gazetarit që u bë fermer është fare e thjeshtë, po mua më mbeti në mend ngaqë të shtyn të meditosh për një dukuri shqetësuese.

Reportazhin për Elton Kikinë, e transmetoi javën e kaluar Radio Europa e Lirë dhe pastaj e morën dhe e ribotuan disa gazeta e portale. Këtë i lashti e quante: vjen zogu i pyllit dhe përzë të zotin e shtëpisë; njerëz e dukuri vendase hulumtohen e publikohen nga media të huaja.

Në fakt Shqipëria ka nja 800 e kusur media e portale, me një numër jo të vogël gazetarësh të punësuar në to por, për arsye të ndryshme kultivojnë kryesisht një gazetari bulevardi, shumicën e herëve sjellin  lajme e fakte që i gjejnë brenda unazës së Tiranës me bëma dhe gjëma qeveritarësh e politikanësh, me muhabete banaqesh televizive të tipit filani tha kështu, fisteku ia priti ashtu e të tjera ‘çudi’ të këtij lloji.

Në këtë klimë nuk është e rastit që gjithologët e ekraneve kanë eklipsuar e bërë gati gati anonimë reporterët, gazetarët investigativë e specie të tjera gazetarësh që bëjnë e duhet të bëjnë gazetari të mirëfilltë e funksionale.

Po të vazhdojë kështu  do vijë dita që mes mes gjullurdisë së kanaleve e portaleve, si ai lundërthyeri që digjet nga etja mes ujit të kripur, të na marrë malli për pak sadopak gazetari.

5 Komente

  1. G
    Genti

    Spas meje ka bere shume mire.Me mire te meresh me gomaricat se me ujqit e politikes.

    1. p
      pjeter

      Kurse sipas meje,si eshte realitetit mediatik ne Shqiperi,nuk eshte se ka ndryshu kaq radikalisht profesion sic pretendon autori i artikullit!!

    2. K
      Klimax

      Ku është çudia? Atë profesion që kishte, atë vazhdon! I vetmi ndryshim është se zgjodhi gomaricat në vend të gomerëve me dy këmbë!

      1. I
        Ilir

        Shumë e vërtetë. Gazetarët në Shqipëri shkruajnë vetëm për Tiranën dhe bllokun dhe mundësisht vetëm për kronikën e zezë dhe lajme të këqija.Nuk dinë të informojnë për problemet që ka fshati apo bujqësia. Nuk japin një shembull që frymëzon por vetëm nxijnë e sterrojne.

        1. L
          Lame Duka

          Nje shkrim plot vlere. Gazetaret jane bere si mamite, qe kur jane shume ne nje lindje e mbysin foshnjen.

          Lini një Përgjigje