Autoriteti i Dosjeve firmos marrëveshje bashkëpunimi me Kolegjin Universitar Beder

28 Mars 2024, 07:56Kulturë TEMA
Autoriteti i Dosjeve firmos marrëveshje bashkëpunimi me Kolegjin

 

Dje mes kryetares së Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991, Dr. Gentiana Sula dhe Rektorit të Kolegjit Universitar "Bedër”, Prof. Dr. Gjergji Sinani u firmos marrëveshja e bashkëpunimit që synon bashkërendimin në fushën e studimeve, edukimit qytetar, dhe përkujtimit të ngjarjeve të ndodhura gjatë diktaturës. Puna mes dy institucioneve do të fillojë me bashkëpunimin për studimin e përndjekjes së klerit mysliman dhe bektashi.

 

Rektori i Kolegjit Universitar Beder Prof.Dr.Gjergj Sinani, e cilësoi këtë: “Një bashkëpunim të frytshëm në fushën e studimeve si për studimin e figurave të shquara të klerit bektashi dhe mysliman që u përndoqën gjatë diktaturës, por edhe me interes në studimin e shumë ngjarjeve të tjera që shënuan zhvillimin e saj. Ne sot jemi një pikë referimi për aktivitetet kërkimore-shkencore në vend dhe kjo marrëveshje për nxitjen e studimeve me fokus të shkuarën ka të bëjë me të ardhmen e të rinjve!”

 

Kryetarja e Autoritetit Dr.Gentiana Sula, tha në fjalën e saj, se : “Arkiva në thelb ka një potencial për ta rishqyrtuar historinë, për të ripunuar pasazhe që ne nuk i njohim, për t’i dhënë zë viktimave që iu mbyll goja. Tek ju ne gjejmë një partner të rëndësishëm, sikurse kemi gjetur edhe tek shumë partner specifik, sepse ju duke qenë një institucion akademik, dhe për ne një partneritet i tillë është i rëndësishëm, që kur të bëjmë kujtesë ta bëjmë me standardet e duhura, të mos bëjmë subjektivizëm, mos bëjmë tregime personale pa i kaluar në studimin rigorz të shkencëtarit dhe akademikut.

 

Por nga ana tjetër është e veçantë sepse Shqipëria nuk ka të dytë, e ndaloi besimin fetar me kushtetutë. Për mua është e rëndësishme të kuptohet që pushteti punonte me brutalitet, dhunë, terror, por edhe nga tjetër dinte mirë se kë kishte përballë. Klerikët, ashtu si të pasurit, intelektualët, pronarët ishin një kontingjent që u përndoqën, u burgosën dhe u vranë.”

 

Marrëveshja e firmos në prani të trupës pedagogjike të Universitetit, Prof. Asoc.Dr.Rahim Obashi, Prof. Asoc. Dr. Isa Erbaş, Assoc. Prof. Dr. Genti Kruja, Dr.Brikena Smajli dhe studentëve të Universitetit, të cilët u njohën nga afër me punën që bën prej 8 vitesh Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991. Së shpejti pritet një vizitë e tyre në Arkivin e AIDSSH-së. A.K./TemA

 

Lini një Përgjigje