Nga Aleksandër Çipa
Profesori im Naxhi Mamani, ra në gjumin e pa zgjim.
Për më shumë se 38 vite ndava me Profesorin tim një histori jete që karakterizon vetëm të mirën njerëzore. Në të gjitha kohët ishim aq sa duhej me njeri-tjetrin dhe i gëzoheshim jetës së secilit sipas më të mirës dëshirë që ndodhte. Sepse Profesor Naxhiu ishte ndër ata gjirokastritë me të cilin, siç thotë Kadare tek romani kushtuar nënës së vet, " Kukulla": " Mos kuptimi midis nesh jo vetëm s'më kishte penguar në asgjë, por kishte qenë ndoshta më i duhuri se gjithë kuptimet.."
Unë e kisha njohur qysh se kur isha nxënës në Shkollën e Mesme Pedagogjike " Pandeli Sotiri". Atëhere Profesori shtatlartë që fitonte simpati qysh në takimin e parë prej qeshjes dhe sjelljes qytetare të vet, ishte ndër të parët intelektualë të qytetit që përmes shtypit lokal hidhte teza dhe pikëpamje të panjohura për ekonominë politike dhe logjikën e tregut. Pas pedagogjikes, Profesori u bë themelues i Katedrës së Ekonomisë fillimisht në Institutin e Lartë Pedagogjik " Eqrem Çabej" dhe më pas i Fakultetit në Universitetin me të njëjtin emër. Nuk kishte kurrë protagonizëm të shpallur, por kishte përherë aftësinë e të bërit pa bujë të asaj që të tjerët s'e bënin. Guxonte pa patur gjoks, por duke shfrytëzuar lehtësisht aftësinë e padukshmërisë së mendimit që vinte ndër të parët tek ai.
Në orët e gjata të këtyre dy ditëve të heshtjes së frymës së Profesorit, nëpër qytet po thuhen gjithë fjalët e mira për të. Meritor i gjithë sa thuhen dhe shumëçka që duhet të shtohen.
Për mua Profesori im kishte merita të ndara në tri përmasa:
Ishte modeli i qytetarit prind dhe i gjirokastritit inteligjent si kampion i heshtjes folëse.
Ishte Profesori me dije, të cilat vinin për të tjerët si dijeni më vonë.
Ishte aktivisti i heshtur që gjente para gjurmën e pjesëmarrjes së vet.
Për këtë të fundit e ndjej në ndërgjegje ta sjell në dijeni publike një fakt që lidhet me lindjen e shtypit të parë pluralist në Gjirokastër në vitin 1991.
Profesori ishte zgjedhur kryetar i Komitetit Pluralist të Gjirokastrës. Ishte mbyllur gazeta lokale " Pararoja". Një pjesë e redaktorëve në gjendjen trishtuese të humbjes së shtypit lokal, po diskutonin mundësinë e krijimit të një gazete të re. Nuk po gjendej versioni se si do të administrohej dhe se e kujt do të ishte pronësia. Si student i Profesorit i drejtohem për ta diskutuar. Kishim gjetur emrin e gazetës që po vinte, " Java".
I them Profesor Naxhiut se dikur e ka patur Sami Frashëri me këtë emër. U entuziazmua. Më thotë:
- Sandër, do bëjmë një vendim Komiteti të kalojmë fondin fillestar. Regjistroni Shoqatën e Gazetarëve të Jugut dhe nuk do e lemë qytetin me histori shtypi, të mos ketë gazetë në demokraci. Kështu ndodhi. Gazeta doli dhe vijoi në dekadën e parë të pas viteve '90-të, të ishte më e suksesshme ndër lokalet dhe rajonalet në vend.
Profesori ishte ndër zotëruesit e parë të ideve dhe projekteve për biznesin privat dhe tregtinë e hapur në Gjirokastër. Por ishte gjirokastriti që u gëzohej përbrenda vetes, suksesit të të tjerëve dhe sidomos besnikërisë identitare dhe asaj kombëtare të studentëve.
Profesori im iku nga kjo jetë si një triumfues i mbuluar me modestinë si natyralitet i vetvetes, dhe si model i munguar sot në hapësirën tonë shoqërore. Në Gjirokastër do të mungojë kjo jetë e fisme njeriu dhe hija e bukur dhe e çmuar e tij.
Në vajtje-ardhjet tona në qytet, do të mbetemi në mundësinë e vetme të takimit përmes kujtesës. Dhe në takimin tonë të pashmangshëm përmes kujtimit, do të mbajmë e mbartim jo thjesht imazhin e tij, por ato çka pati jeta e tij ndryshe, për shumë prej nesh.
Profesor Naxhiu, lamtumirë!
I lehtë të qoftë dheu! Gjumi yt i përjetshëm pastë dritën e shpirtit tënd!
Bravo Aleksander.... Profesori u prehte me paqe e ngushellime familjes e me gjere.