Në Universitetin e Tetovës po zhvillon punimet veprimtaria shkencore dyditore “NanoBalkan Workshop 2026”, ku Akademia e Shkencave e Shqipërisë (AShSH) është iniciatore dhe bashkorganizatore e këtij aktiviteti.
“NanoBalkan Workshop 2026” përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar në fushën e nanoteknologjisë, si një disiplinë që po zë një vend qendror në zhvillimin e shkencave natyrore dhe aplikimeve të avancuara teknologjike.
Akademia e Shkencave e Shqipërisë u përfaqësua me 11 pjesëmarrës: prof. dr. Majlinda Vasjari dhe prof. dr. Kledi Xhaxhiu (AShSh, Universiteti i Tiranës), bashkëkordinatorët e NanoAlb,; prof. dr. Ariola Bacu; prof. dr. Merita Xhetani etj.
Në hapjen solemne ishin të pranishëm edhe rektori i Universitetit të Tetovës prof. dr. Jusuf Zejneli, dhe dekani i FShMN-së, prof. dr. Florim Idrizi.
“Sot së bashku me ju, zotohemi se në vazhdimësi do të vendosim rrënjët e “NanoBalkan” në Universitetin e Tetovës dhe jam i bindur se për një periudhë të shpejtë, bashkërisht do arrijmë të vendosim një laborator të ri, enkas për sferën e nanoteknologjisë, me qëllim që universiteti ynë t’u mundësojë studiuesve dhe studentëve që të realizojnë projektet dhe analizat”, tha rektori i Universitetit të Tetovës.
Akad. Arben Merkoçi, si përfaqësues i AShSh, u shprehu falënderimet pjesëmarrësve dhe Universitetit të Tetovës për mikpritjen. Ai u shpreh se nanoteknologjia është një fushë shumë e hapur, shumë transversale, ku marrin pjesë ekspertiza nga më të ndryshmet, duke filluar nga kimia, biologjia, fusha e shkencave kimike, fusha e materialeve, e inxhinierisë, informatika apo inteligjenca artificiale e më gjerë dhe është një fushë e cila u jep mundësi kërkuesve shkencorë të inxhinierisë të punojnë dhe të bashkëpunojnë, pasi në këtë fushë, bashkëpunimi është shumë i rëndësishëm.
Veprimtaria do të kontribuojë në ndërtimin e rrjeteve të qëndrueshme të bashkëpunimit, të cilat janë thelbësore për realizimin e projekteve të përbashkëta, aplikimin në programe ndërkombëtare kërkimore dhe transferimin e njohurive drejt industrisë dhe shoqërisë. A.K./TemA
"Fatos Nano - Ballkan xhurulldi 1447"