Ministri gjerman i Mbrojtjes: Situata e sigurisë në Kosovë është ende e brishtë, jemi të shqetësuar

7 Shkurt 2024, 09:31Rajoni TEMA
Ministri gjerman i Mbrojtjes: Situata e sigurisë në Kosovë

Ministri i Mbrojtjes së Gjermanisë, Boris Pistorius, është shprehur i shqetësuar për situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimorë, rajon ky i cili, sipas tij, kërkon vëmendjen e Gjermanisë.

Situata e brishtë në rajon veçmas në Kosovë e Bosnje e Hercegovinë, sipas Pistorius, ka qenë edhe arsyeja e vizitës së tij në rajon.

“Për të qenë të qartë: ne duam të kontribuojmë në stabilizimin e rajonit. Ne duam të mbështesim rajonin dhe, në perspektivë, të ndjekim nga afër rrugën e tij drejt Bashkimit Evropian.

Në parim, situata në Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë aktualisht është paqësore. Megjithatë, pikërisht në Kosovë situata është ende e ndjeshme ndaj përshkallëzimit afatshkurtër, siç ka treguar viti i kaluar”, ka thënë ai në një intervistë për gazetën serbe, Blic.

I pyetur për rrjedhën e dialogut, Pistorius, ka potencuar se procesi vazhdon të jap impulse të reja, por, për fat të keq, nuk arrin një sjellë përparim të qëndrueshëm.

“Progresi shpesh bllokohet nga mosbesimi i thellë. Nga njëra anë, kjo është e kuptueshme, sepse jo të gjitha plagët e së kaluarës janë shëruar ende. Nga ana tjetër, përparimi nuk mund të arrihet pa afrim dhe besim të ndërsjellë. Për mendimin tim, normalizimi i marrëdhënieve është hapi i parë drejt një të ardhmeje pozitive. Si në çdo konflikt, nuk ka kurrë vetëm një palë për të fajësuar”.

Sipas tij si Kosova ashtu edhe Serbia duhet të rishqyrtojnë pozicionet e tyre të betonizuara më parë.

“Ua bëj të qartë të gjithëve me të cilët flas gjatë udhëtimit tim se provokimet nuk janë kurrë të dobishme. Bëhet fjalë që të gjitha palët të bëjnë një hap përpara dhe të dërgojnë shenja të dukshme gatishmërie për kompromis”, ka potencuar ai.

Duke folur për rregulloren e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës përmes së cilës u ndalua përdorimi i dinarit në territorin e Serbisë, Pistorius ka theksuar se çështja duhet të zgjidhet në dialog.

“Këtu u përplasën dy pikëpamje: nga njëra anë, rregullorja paraqet zbatimin e Kushtetutës së Kosovës, dhe nga ana tjetër, Kushtetuta e Serbisë parasheh dinarin si mjetin e vetëm të pagesës. Për mua është e qartë se pjesa serbe e popullsisë, veçanërisht në Veri të Kosovës, ende varet nga përdorimi i dinarit serb. Ndryshimi kërkon kohë”.

 

Lini një Përgjigje