Tensionet në veri, rrëfimi i kolonelit amerikan të KFOR-it: U sulmuam me armë e granata, po të përdornim forcën do të kishte viktima

6 Qershor 2023, 12:00Rajoni TEMA

Tensionet në veri, rrëfimi i kolonelit amerikan të KFOR-it: U

Koloneli Chris Mabis, kreu i Komandës Rajonale-Lindje në Kosovë thotë se tre ushtarë amerikanë të KFOR-it u lënduan nga protestuesit serb në fund të muajit të kaluar në Zveçan.

Mabis thekson se situata mund të ishte shumë më e keqe, meqë forcat e KFOR-it ishin të autorizuara të përdorin forcën nëse do ishte e nevojshme.

“Kam marrë vendimin që të mos e përdorim forcën për shkak të faktit se do të kishte viktima të pafajshme civile”, tha ai për mediumin amerikan Stripes.

Ai theksoi se ushtarët po ruanin ndërtesat komunale dhe personat që ishin brenda, “pasi u bë e qartë se disa serbë donin të largonin me dhunë kryetarin e komunës”.

“Rreth 750 njerëz u mblodhën duke bërë thirrje që kryetari i komunës të lirojë ndërtesën”, tha Mabis, duke shtuar se shumica e tyre po protestonin në mënyrë paqësore.

“Por një turmë rrethoi një grup policësh të Kosovës dhe filloi të dëmtonte veturat e tyre”, ka shpjeguar ushtaraku amerikan.

Pas rreth tetë orësh sipas Mabis, u bë e qartë se situata do të përkeqësohej. Kështu që ai urdhëroi trupat të përparonin drejt hapësirës.

“Kishte një grup agjitatorësh që shumë qartë sulmuan ushtarët e KFOR-it. Trupat më vonë gjetën gëzhoja të plumbave. Përveç armëve, sulmuesit përdorën edhe granata. Ushtaret u përpoqën të mbroheshin me mburoja dhe shkopinj”, tregon ai.

Forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja në Kosovë, shtuan masat e sigurisë para ndërtesave të komunave në Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq, në veri të Kosovës, më 30 maj, një ditë pasi që në komunën e Zveçanit, protestuesit serbë lënduan 30 ushtarë të KFOR-it, tre prej të cilëve ishin plagosur me armë zjarri.

Tensionet në veri u rritën pasi të premten e kaluar kryetarët shqiptarë që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit, të cilat u bojkotuan nga serbët, hynë në ndërtesat komunale për të marrë detyrën.

Serbia e vuri ushtrinë në gjendjen më të lartë të gatishmërisë dhe dërgoi më shumë trupa në kufirin me Kosovën. Një ditë pas kësaj ngjarje, NATO-ja vendosi të dërgojë 700 trupa shtesë në Kosovë për të përforcuar praninë e saj.

1 Komente

  1. S
    SB

    here tjeter do te perdorin me shume dhune, keshtu eshte kur serbit nuk i pergjigjesh me dhune. E merr per dobesi e frike. Here tjeter do behet me keq

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje