Fondi i Ekselencës, Ekonomi: Vitin e ardhshëm ndryshojmë kriteret për financimin e studentëve ekselentë

11 Qershor 2022, 10:35Sociale TEMA

Fondi i Ekselencës, Ekonomi: Vitin e ardhshëm ndryshojmë kriteret

Bursat e studimit për nxënësit me rezultate të larta ishin ndër shqetësimet që artikuluan nxënës të shkollës së mesme “Gjergj Kastrioti” në Durrës, përpara përfaqësuesve të tyre në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.

Gjatë një bashkëbisedimi të hapur, pjesë e ciklit të 18 ditëve të hapura, Ministrja e Shtetit për Standardet dhe Shërbimet, znj. Milva Ekonomi lajmëroi nisjen e një programi të ri të bursave, i cili ndryshe nga praktika e deritanishme, do të mbështesë financiarisht jo ata që zgjedhin të studiojnë jashtë vendit, por ata që zgjedhin të studiojnë në Shqipëri.

“Bursat këtë vit fillojnë një proces tjetër. Nuk do të financohen më ata që zgjedhin universitetet jashtë, pasi ka rezultuar që nuk kthehen më. Por fondi do të përdoret për t’u ardhur në ndihmë të rinjëve që duan të jetojnë në Shqipëri.”- tha znj. Ekonomi.

Nga ana tjetër, për z. Oerd Bylykbashi, qeveria duhet t’u ofrojë bursa studimi si ekselentëve që duan të studiojnë jashtë, edhe atyre që zgjedhin Shqipërinë.
“Ky vend prodhon shumë para, por pjesa më e madhe shpenzohet në investime publike dhe më pak për të investuar tek rinia, që është e ardhmja e këtij vendi. Unë mendoj t’u ofrohen nxënësve ekselentë të dyja mundësitë, jo vetëm njëra”- tha z. Bylykbashi.

Nxënësit, të cilët nuk e kanë mbushur moshën për të votuar e për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvend e shohin këtë diskutim të hapur si një mundësi që zëri I tyre të dëgjohet.

Ky aktivitet u realizua nga ana e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, në kuadër të iniciativës “Mbështetja për Parlamentin dhe Edukimin Qytetar në Shqipëri”, i cili është një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, zbatuar nga Prezenca e OSBE në Shqipëri dhe Instituti Demokratik Amerikan.

Lini një Përgjigje