Zyrtari i BE-së: Reforma kadastrale, kyçe për integrimin europian dhe forcimin e ekonomisë

26 Maj 2026, 14:25Sociale TEMA
Zyrtari i BE-së: Reforma kadastrale, kyçe për integrimin

I Ngarkuari me Punë në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Andre Rizzo, ka vënë theksin te rëndësia e reformës kadastrale dhe transformimit digjital në kuadër të procesit të integrimit europian, gjatë fjalës së mbajtur në konferencën rajonale të vendeve të Ballkanit Perëndimor për transformimin digjital dhe integrimin në BE.

Në deklaratën e tij, Rizzo u shpreh se procesi i aderimit në Bashkimin Evropian mbetet një nga sfidat më të rëndësishme për vendet e rajonit, ndërsa reforma të tilla konsiderohen pjesë thelbësore e grupkapitujve themelorë të negociatave.

“Procesi i aderimit në BE është pjesë thelbësore e grupkapitujve themelorë dhe ne ndodhemi në një kryqëzim shumë të rëndësishëm për negociatat. Kjo tregon edhe shkallën e vështirësisë së reformave që kërkohen”, deklaroi ai.

Duke u ndalur te reforma kadastrale, përfaqësuesi i BE-së theksoi se ajo përbën një “gur themeli të mirëqeverisjes”, pasi lidhet drejtpërdrejt me sigurinë juridike dhe të drejtat pronësore të qytetarëve.

“Reforma kadastrale është shumë e rëndësishme sepse garanton siguri ligjore, të drejta pronësore, transparencë dhe transaksione të drejta. Ajo përmirëson shërbimet publike, redukton rreziqet e keqmenaxhimit dhe nxit një treg më dinamik të pasurive të paluajtshme”, tha Rizzo.

Sipas tij, modernizimi i sistemit kadastral ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik dhe në mirëqenien sociale të vendeve të rajonit.

“Modernizimi i sistemit kadastral kontribuon në një ekonomi më të fortë dhe një shoqëri më të begatë”, u shpreh ai.

Rizzo theksoi gjithashtu se reforma në këtë sektor është pjesë e kuadrit të negociatave për aderimin në BE dhe përfshihet edhe në agjendat reformuese të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Ai kujtoi se shumë vende të rajonit trashëgojnë problematika të vjetra nga sistemet e mëparshme administrative, të cilat kanë krijuar vështirësi afatgjata në mbledhjen e të dhënave, regjistrimin e pronave dhe dokumentimin e transaksioneve.

“Në të gjithë rajonin, trashëgimia e sistemeve të mëparshme ka krijuar sfida afatgjata dhe vështirësi në mbledhjen e të dhënave dhe regjistrimin e pronave. Megjithatë, gjatë tre dekadave të fundit vendet kanë bërë përparim të konsiderueshëm për adresimin e këtyre problematikave”, deklaroi ai.

Duke folur konkretisht për Shqipërinë, Rizzo tha se vendi pasqyron të njëjtat dinamika rajonale, ku procesi i identifikimit dhe regjistrimit të pronave ka qenë kompleks për shkak të ndryshimeve demografike, dokumentacionit historik dhe kuadrove ligjore të ndryshueshme.

“Gjatë viteve, shumë godina kanë mbetur të paregjistruara, të dhënat janë ruajtur manualisht dhe shpesh të dhënat elektronike nuk përputhen me situatën reale në terren”, tha ai.

Përfaqësuesi i Delegacionit të BE-së nënvizoi se Bashkimi Evropian dhe Shqipëria kanë forcuar bashkëpunimin për të adresuar këto sfida, duke u fokusuar në përshpejtimin e regjistrimit të pronave, digjitalizimin e shërbimeve, përmirësimin e saktësisë së të dhënave dhe forcimin e komunikimit me qytetarët.

“Për të mbështetur këto procese, Bashkimi Evropian ka krijuar programe domethënëse që kombinojnë ekspertizën ndërkombëtare dhe atë kombëtare”, theksoi Rizzo.

Ky i fundit u shpreh i inkurajuar nga progresi i bërë nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës në Shqipëri, duke vlerësuar përmirësimin e shërbimeve dhe cilësisë së të dhënave.

“Jemi të inkurajuar nga fakti që Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka përmirësuar ofrimin e shërbimeve, cilësinë e të dhënave dhe ndërveprimin me palët kyçe të interesit”, theksoi ai.

3 Komente

  1. N
    Niku

    Modernizimi i sistemit kadastral me harta digjitale është çelsi i zgjidhjeve te problemeve pronësore, sepse çdo pronar do të dijë se prona e kujt është ngjitur me pronën e vet. Kjo duhej bërë që në fillim të viteve 1990 dhe do të kishte kursyer jetë njerëzish. Edhe tani nuk duhet të bëhen hapa të parakohshme si p.sh. “Taka me 1 euro”, apo “ investime në vëndet malore për ata që nuk e kanë tapinë”, etj., sepse kur të bëhet harta mund të dalë ndryshe nga sa është vepruar. Për këtë arsye, në fillim duhet harta dhe ajo të mos ndryshohet sipas korrupsionit duke u futur në pronën e tjetrit. Nuk funksionon ideja se kush do të investojë i pari, por ai që investon i pari duhet me patjetër të mos ketë konflikt më vonë dhe kjo nuk zgjidhet duke lënë një kohë “dy mujore” në se e hap gojë ndonjeri, sikurse propozohet. Shqiptarët jetojnë në vënde të ndryshme dhe teoria “dy mujorshe” nuk është zgjidhje. Bëni hartën digjitale ku secili të dijë pronën e tij.

    Përgjigjjuni
    1. K
      Kushtetu eshte nje

      Si mund te behet harta digjitale kur akoma pronarit nuk I eshte kthyer prona duke qene me dokumenta zyrtare? Ne Shqiperi skoma nuk njihet ligji per kthimin e prones te pronari. Eshte zaptuar toka nga me force, pa pyetur njeri e kujt eshte. Jane mare e po meren jete njerezish per shkak te konflikteve te pronesis. Institucionet shtetetore po pervetesojne token e pronarit pa menduar se ka nje pronar, ka ligj por ka dhe shtet. Shteti nuk don me e dit se po preket ligji themeltar Kushtetuta e cila sanksionin, prona e shenjte dhe I takon pronarit e jo zaptuesit me force. Zoterinj perfaqesues te Bashkimit Europian a e mendoni ju se cmund te ndodhe ne vendin tuaj kur nje shtetas pushton nje troje qe nuk eshte e tij, qe ben ndertim pa leje mbi kete prone, pa ju dridhur qerpiku nga forca e shtetit. A ekzuston shteti ne raste te tilla? Nje gje eshte e sigurte qe shteti yne mban nen sqetull drejtues Hipoteke, kryerar bashkie, drejtues te IMS qe behen pale me shkelesin e ligjit, behen bashkepunetor me kriminelet e tokes ne kurriz te qytetareve qe jane pronar te tokes. Cfare emri mund t'ju veme ketyre institucioneve ne raste te tilla? Institucione shteti jo. Ama rrogen e plot privilegje I marrin nga taksat e ketyre qytetareve qe ju grabisin tokat. Ne vendet e ruaja te nderuar te derguar te Bashkimit Europian, keto fenomene nuk ekzistojne. Nisur sa siper do te doja, qe fjalimet tuaja te mos mbeten ne kuadrin formal sa per te mbyllur mbledhjen, por takimi juaj te sherbeje per zgjidhjen e shqetesimit te qytetareve pronar toke, e te mos meren me jete njerezish nga korrupsioni I institucioneve shteterore. Te kryher korrupsion nga institucionet shteterore kur me ligj jane ngarkuar per te mbrojtur me Kushteten e vendit pronen e qytetareve, kjo eshte nje degrading I pushtetit. Vleresojeni si nje problem te rendesishem kushtetues.

      Përgjigjjuni
      1. L
        Lali

        Po nuk shkoi prona tek I zoti, nuk do te kete kurre drejtesi. Deri sa te ndodhe kjo , deri sa njerzit te marin dhe gezojne pronen e tyre nuk do te kete qetesi.Mjaft me peralla, cdo gje negative ka nje fund tragjik.

        Përgjigjjuni

        Lini një Përgjigje