Amnisti e prerë me porosi

29 Tetor 2012, 21:00Blog TEMA

Nga av. Dorjan Matlija

Njëqind vjetori i pavarësisë po afron dhe gjithkush mundohet të sjellë diçka nga vetja në këtë atmosferë festive. Kështu dekori i Bashkisë po bën gati banderolat e bukura, kori i Ministrisë së Kulturës po bën gati të këndojë himnin me gjithë strofën e re, Presidenti po bën gati fjalimin grandilokuent, me retorikë të denjë për hyrë në histori, ata të televizionit po nxjerrin lekë nga buxheti për të paguar një superprogram maratonë me filma dhe muzikë patriotike, Ministri i Ushqimit po bën kekun më të madh me arra shqiptare, dhe ndonjë i afërm i ndonjërit po zbukuron edhe taksitë e tij me ngjyrat e festës. Gjithkush nga një gjë. Për hir të zanatit që kam, mua më ra në sy kontributi i Ministrisë së Drejtësisë në këtë festë, e cila erdhi me diçka shumë origjinale. Ajo solli një amnisti. Në fakt nuk na e ka sjellë akoma, sepse e ka çuar në Kuvend për miratim, por që do bëhet shumë shpejt realitet.

Drafti duhet të ketë qenë i vështirë për tu hartuar sepse do ustallëk tekniko- legjislativ për këto lloj rastesh. Por jo vetëm. Kjo dhuratë për njëqind vjetor do të ishte bukur sikur edhe ta personalizonim pak. Fundja nuk ka lezet që të ngjajë si amnisti e blerë e gatshme në tregun e ligjeve me shumicë në Europë, ndaj ka nevojë për pak prekje artisti. Me dëshirën për një produkt 100% shqiptar, them se kësaj radhe ia kanë arritur. Amnistia është tërësisht bio. Ajo nuk ka dalë nga laboratori, por është lindur dhe rritur në terren real. Kështu ajo shkon shik me situatën tonë.

Një nga proceset që kombinohet më bukur me këtë amnisti është ai i Gërdecit. Jo vetëm që i shkon shumë, por gati- gati është prerë me masën e Gërdecit. Dhe nuk bëj fare shaka. Amnistia ka përfshirë shumë ulje dënimesh, por ka ruajtur pamjen serioze prej amnistie jubilare. Them serioze sepse nuk ka ulur nivelin të amnistojë krime të rënda, por vetëm ato të lehtat. Kështu me shumë mençuri autorët kanë përjashtuar të gjithë krimet që nuk duhet të përfitojnë nga amnistia dhe them se kanë bërë një punë shumë të mirë. E megjithatë, ajo i shkon Gërdecit sepse si për çudi, apo si me magji, janë hequr nga krimet serioze që nuk përfitojnë asgjë, nenet 282 dhe 289 të Kodit Penal. Për një person që konfondohet mes numrave të neneve, kjo gjë mund të mos bjerë në sy. Por busulla ime ka kohë që i ka kolauduar polet në drejtim të procesit të Gërdecit dhe menjëherë shifrat 282 dhe 289 përkthehen në “Shkelje të rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”, dhe “Shkelje e rregullave të mbrojtjes në punë.”. Këto janë dy veprat kryesore që përmendi gjyqtari R.Hado kur i ra çekiçit për dënimin e të pandehurve të tragjedisë. Këto janë dy veprat që rënduan 18 vjet burg në kurrizin e dy prej të pandehurve dhe 10 vjet burg për dy të tjerët.

Amnistia, e qepur bukur si për festë, duket se do ulë 14 vjet për 4 të pandehurit kryesorë, gjithmonë nëse Gjykata e Apelit lë në fuqi vendimin e shkallës së parë dhe gjithmonë nëse gjyqi mbaron para 28 nëntorit. Megjithatë për këtë të dytën them se ia dalin. Ka mbetur ende 1 muaj kohë dhe seanca tashmë është fiksuar të zhvillohet më 31 tetor. Nëse duan të veshin amnistinë e Halimit, aty e kanë. Nëse nuk duan, nuk ja ka fajin Halimi. Ai e bëri të tijën. Mendo që ai nuk lejoi të përfitonin as ata qyqarët që bëjnë aksidente në rrugë me pasoja të lehta, ndërkohë që Gërdecit po i jep një shans. Mendo që edhe në Gjykatën e Lartë më 5 nëntor është gjyqi i dy të plagosurve kundër ish- Ministrit të Mbrojtjes dhe ky gjyq gjithashtu bën vaki të mbyllet për të njëjtën arsye, sepse i shkon shumë bukur amnistia. Nëse nuk mbaron edhe ky gjyq para 28 nëntorit, fajin e Gjykata e Lartë dhe jo Halimi.

Në fund të fundit jemi në prag feste dhe paraprihemi edhe nga festa e Halloween-it, ku kostumet me prerje të personalizuar marrin vlerë për të zbukuruar ata që ditët e tjera të vitit i quajmë “përbindësha”.

5 komente në “Amnisti e prerë me porosi”

  1. Kastriot Bilali, Durres says:

    Dihej qe amnistia nuk behej per Ne, te burgosurit e popullit. Por, behet per Ata, te burgosurit e qeverise.
    Ky shkrim shume konciz dhe sqarues, na hap syte per elementet e mekanizmat e perdorur nga ustallaret-militante te rregjimit anadollak berishian.
    http://imazheshqip.blogspot.com/2012/04/banda-berisha-co.html
    http://imazheshqip.blogspot.com/2012/04/sali-berishas-recollection-gerdec-march.html

    1. fule says:

      Duhet te te falenderojme per shkrimin se as qe te binte ndermend se mund te benin dhe kete. Duan te ulin denimin e kriminelve te Gerdecit, ortakve te Shkelzen Sali Berishes ne ate biznes.

      Bravo te qofte pra o Sali Ram Berisha se i q*ve kockat ketij mileti te shk*rdhyer se me duket se e paska pasur hak

  2. Horri i Bulevardit says:

    Heshtja e tyre, natyrisht qe duhet shperblyer me amnisti, ai qe foli, iku kur doli per gjah, ku vetem ne rastin Trebicka, ndodhin ato lloj aksidentesh, qe do ti kishte zili cdo organizate mafioze ne bote, per vete menyren si eshte kryer.
    Sot nuk eshte e rastit se te jap 50-miljone mbaj ti per vehte 1-miljon dhe me jep mua 49-miljonshin, une ty do te denoj se keshtu e ka ligji me denimin minimal dhe do te nxjerr jashte me amnistine e pare.
    Kjo eshte nje matematike e shkelqyer, qe vetem mafia di ta beje dhe ta realizoje, kjo matematike ben edhe ate qe shume te rinj, te shohin se vetem duke u angazhuar ne organizata kriminale, mund te behen te pasur, panvaresisht se mund te bejne edhe burg te shkurter nganjehere, qe per ato shuma parash ja vlen te besh burg, mjafton te jesh ne nje linje me partine ne pushtet.
    Shkrim teper interesant.

  3. eda says:

    Fraza e fundit permbyllese, ishte nje gjetje perfekte, per perbindeshat qe na udheheqin prej 20 vitesh

  4. Viktor Hoti says:

    Shkrim i mire por ka vetem nje pasaktesi. Per ceshtjen e gerdecit ne eshte ashtu sic rendit nenet miku im ,amnistia zbatohet auto
    matikisht tek gerdecaret dhe nuk pengon mosshqyrtimi nga Gjykata e larte sepse rekursi para saj , sa eshte i pashqyrtuar , nuk i heq vendimit statusin e formes se prere .
    Shqyrtimi i ceshtjes nga gjykata e larte ka nje rrezik te kundert sepse mund te prishet vendimi e te kthehet ceshtja per rigjykim me sens rendues te llojit te akuzes per te cilet nuk mumd te zbatohet amnistia

    viktor hoti

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje