Jurnalet e së dielës

18 Dhjetor 2010, 20:27Antena TEMA

Në avionin e linjës “Belle Air”, po udhëtonte një vajzë e re dhe gruaja e Lulëzim Bashës, që boton revistën “Eleganca”. Vajza e re nxori nga xhepi i sediljes së avionit revistën dhe po shikonte kopertinën e saj, ku kishte pozuar Liri Berisha, si Mona Liza.

– Të pëlqen, e pyeti gjithë gëzim gruaja e Lul Bashës.

– Kush, i tha vajza.

– Revista, i tha gruaja e Lul Bashës. Është e imja. E bëj unë…

– Aha, i tha vajza. Jo, po kërkoja  ndonjë revistë avioni, po ky vetëm këtë paska. Çfarë e ke këtë pronarin e kësaj kompanie që mban vetëm revistën tënde?

– E kam kushëri, i tha ajo, dhe kur burri im u bë ministër, e ndihmoi që ta hapte këtë kompani dhe të falimentonte një tjetër, që nuk ishte gjë.

– Po këtë gruan ç’e ke që e ke nxjerrë në kopertinë, e pyeti vajza.

– Nuk e njeh, i tha gruaja e Lul Bashës. Është gruaja e kryeministrit. Lexoje intervistën: “40 vitet e mia me Berishën”… E lexon shpejt, e nxiste ajo.

– Ndoshta 40 vitet e saj me Berishën i lexoj shpejt, i tha vajza, por 20 vitet e mia me Berishën, dua 40 vjet t’i tregoj.

Sali Berisha po priste me makth përfundimin e zgjedhjeve në Kosovë dhe uroi menjëherë Hashim Thaçin për fitoren e merituar. Por të nesërmen media dhe vëzhguesit ndërkombëtarë plasën skandalin dhe u vërtetua se zgjedhjet në Kosovë janë destabilizuar nga manipulimi. Atëherë Berisha mori në telefon Doris Pack për ta pyetur se cili do ishte qëndrimi i Bashkimit Evropian për zgjedhjet në Kosovë.

– Sali, unë e thashë qëkur shkela në Kosovë, që të mos imitojnë politikanët e Shqipërisë, por ata e bënë… Nuk di çfarë të them…

– Keni ba gabim, i tha Berisha, që jeni nxituar dhe e thatë atë gjë para zgjedhjeve. Duhet ta thoni tani pas zgjedhjeve, që ata të opozitës të mos imitojnë opozitën në Tiranë dhe të mos mbajnë peng Kosovën duke kërkuar transparencë dhe rinumërim votash.

Lini një Përgjigje