Shtypi britanik është i bindur, stiven Xherard është objektivi kryesor i trajnerit portugez të Realit të Madridit, Hoze Murinjo. Sipas tyre, portugezi do të bëjë të gjitha përpjekjet që gjatë merkatos së verës të marrë mesfushorin dhe kapitenin 30-vjeçar të Liverpulit. Një objektiv shumë i vështirë për t’u arritur për Murinjon, duke parë që Xherard është simboli i Liverpulit. Në vendimin e këtij të fundit për t’u larguar mund të ndikojë se si do të përfundojë ky sezon për Liverpulin. Nëse të kuqtë nuk kualifikohen në Ligën e Kampioneve, Xherard mund të mendonte seriozisht që të largohej, për shkak se nuk mund t’ja lejonte vetes që të mos luante dy vite radhazi në kompeticionin më të rëndësishëm në futboll për klube. Ndërkohë, objektivi tjetër i Murinjos është mesfushori 27-vjeçar i Bajernit të Mynihut, francezi Frenk Riberi. Për këtë të fundit Reali ka tentuar disa herë që ta marrë, por ky mund të jetë viti i duhur, duke qenë se Riberi nuk ka qenë shumë deçiziv për bavarezët dhe për më tepër, më shumë ka munguar, se sa ka luajtur. Për këtë arsye, drejtuesit e Bajernit mund ta lejojnë francezin që të largohet.