Messi apo Maradona?

29 Prill 2011, 12:31Sport TEMA

Në gazetën Corriere della Sera ish publikuar një shkrim mbi Messi-n; më saktë, mbi Messi-n dhe Maradona-n. Pas asaj që ndodhi në Madrid të mërkurën e shkuar (Messi shënoi dy gola, i pari frut i një nuhatjeje, shpejtësie e saktësie të hatashme, dhe i dyti si konkretizim i një slalom-i alla Messi, apo alla Maradona) specialistët e futbollit janë të kapur edhe ca më shumë nga ngasja për të krahasuar njërin me tjetrin. Kush është më i madh? Në shkrimin e Corriere-s kishin kërkuar opinionin e dy ekspertëve; që të dy ish-futbollistë të kohës së Diegos. Është fjala për Paolo Rossi-n e Aldo Serena-n. Për të parin, Messi qysh tani është më i madh se sa Maradona. Për të dytin El Pibe de Oro është më i madh. Hë për hë. «Duhet thënë se janë të ndryshëm”, sqaron Serena. “Messi është sulmues tipik, ndërsa Maradona ishte numri 10 per excellence. I pari shënon gola pa fund, dhe herë pas here jep assist-e, ndërsa i dyti jepte assist-e pa fund dhe herë pas here bënte gola». Bie dakord dhe Rossi, që «Messi është finalizues aksionesh, ndërsa Maradona ishte njeriu-skuadër, por” – dhe këtu është hera për të rinënvizuar parapëlqimin e tij, “Messi ka një shpejtësi marramendëse. Po, Maradona ishte më i fuqishëm, por nuk kish shpejtësine e Messi-t.”

Parapëlqimi i Rossi-t ka edhe një natyrë etiko-humane. «Më pëlqen loja e tij, por më pëlqen dhe sjellja. Është njeri që nuk ankohet, ka pamjen e një djali të mirë, nuk e ka trupin me tatuazhe, rri larg protagonizmit jo futbollistik, shkurt është djalë për kokë të djalit. Një gjë e tillë s’mund të thuhet për Maradonën. Ia pret Serena: «Maradona ishte leader. Ai merrte përgjegjësi, dilte vetë në plan të parë, mbante gjithë barrën, tërhiqte zvarrë gjithë shokët e skuadrës. Mund të bëhet leader dhe la Pulga? Këtë s’e dimë”.

Krahasimi zbret pastaj në detaje teknike. Këmba e djathtë e Messi-t është më e mirë se sa këmba e djathtë e Maradona-s, por këmba e majtë e këtij të fundit është pak më e mirë se sa e majta e të parit. Apo të majtën e kanë njësoj? Maradona ka një avantazh në goditjet me kokë, në goditjet e dënimit, në assist-e e në guximin e vet. Ndërsa Messi ka shpejtësinë dhe sensin e golit. Të dy kanë të njëjtën aftësi për të dribluar e të dy janë njësoj kreativë. Përsa i takon vizionit lojës, Maradona dallon mbi të gjithë, por edhe Messi është nga ata që ka sy dhe mbrapa. E pastaj, kur vjen puna tek goli më i bukur, ai i Maradonës mbetet i pakonkurueshëm, pasi së pari inkursioni ishte mbi 60 metra, së dyti u bë në një botëror, së treti u bë në një botëror që u fitua nga Argjentina, së katërti u bë në një lartësi mbi 2 000 metra mbi nivelin e detit, dhe në një temperaturë mbi 30 gradë. Shkurt, ishte një kryevepër, të cilën Hector Enrique, lojtari argjentinas që i dha topin Maradonës në gjysmë fushën e vet, e ka sublimuar duke e banalizuar: “Me topin që i dhashë unë, ai s’mund të gabonte”.

Atëherë? Kush është më i madhi? Si zor që njerëzit të bien në një mendje për këtë gjë. Ah po, mund të biem në një mendje për një gjë tjetër: është kënaqësi të shohësh në fushën e blertë lojtarë si Diego Armando Maradona e si Leo Messi.

Respublica.al

Lini një Përgjigje