Flamuri shpjegon aksidentin e makinës së Doktorit në Sarandë

30 Prill 2011, 20:46Antena TEMA

Flamuri ishte dje në Sarandë me Doktorin. Sapo kishin kaluar Nivicën, Flamuri mori në telefon i alarmuar. Një makinë e eskortës kishte bërë aksident. Për fat s’kishte viktima.

Flamuri u kthye mbrapsht dhe filloi të hetojë aksidentin. Fotografi dhe shoferi ishin plagosur rëndë. Ceca ishte mirë e bukur.

-Çfarë ndodhi, pyeti Flamuri i shqetësuar.

-Vari trapin, e ka fajin ky shoferi tha Ceca.

-Pse ça ka bërë shoferi?

-Gjithë rrugën u tregonte këtyre, toka dhe bregdetin. Këtë e ka Rafi, këtë e ka Zeni, këtë e ka ai avokati i Zenit, këtë e ka në emër të atij nga Vlora, këtë e ka në emër të atij nga Delvina… Këta po i mbanin iso dhe ja ku u bënë copë.

-Nejse, mbylle këtë muhabet, tha Flamuri. Fajin del që e ka pasë ai tjetri. Ju mos u ndjeni dhe mos tregoni ça muhabeti keni bërë në makinë.

I qetësuar shkoi tek Doktori.

-Flamur, si kish ndodhur, i tha Doktori.

-Ç’të të them i tha Flamuri. Çdo e keqe e ka një të mirë dhe çdo e mirë e ka një të keqe. Ti e di si janë shoferët llafazanë. Ngaqë ju e keni marrë me vete në pushime në verë në bregdet, ai mbeti duke ju treguar atyre brenda plazhet përreth. Kishin kalu në Borsh dhe kishin pyetur kush e  ka kalanë, sa vend i bukur është, sa mirë sikur të bëhet ndonjë gjë atje lart…

-E çfarë u ka thënë ai?

-Jo mo asgjë. U ka thënë kam dëgjuar kryeministrin që ka një plan konkret aty për një Hilton, do bëjë dhe rrugën dhe gjithçka do jetë gati…

-Ashtu, mirë… ,thashë se ka thënë gjë tjetër…

-Jo, jo. Dhe kur kishin kalu në Gjipe shoferi u kish thënë: E dini çfarë gjiri i bukur është këtu poshtë. Kam qenë në verë me Rafin e Zenin. Është gjë e rrallë, do bëhet një gjë e bukur shumë.

-Çfarë do bëhet, çfarë ka thënë?

-Jo mo, ka thënë që do bëhet një projekt i bukur nga qeveria, më i miri në Mesdhe dhe do vijnë gjithë turistët aty.

-Ashtu, shumë mirë. Tjetër ça ka thënë?

-Tjetër, po afroheshin në Kakome dhe u ka thënë tani po vijmë në Kakome. Është ky fshati turistik që ka dashë të marr Fatos Nano. Po Doktori e bëri mut dhe nuk e la ta merrte. Pastaj erdhi ai biznesmeni, takoi Zamirin, Sandrin dhe Fevzon dhe e rregullua, e morën bashkë. Pastaj u tërhoqën se nisën sherret dhe tani Zeni ka folë me atë që bën sallam dhe po e merr ai.

-Gënjen Flamur, aty janë francezët. Tani shiko, ai që bën sallam është dhe ai që ka qenë, po janë francezë. Mos shiko se një nga Vlora e një nga Tirana, po janë francezë. Jo, i njoh ata unë. Pse, kështu ka thënë shoferi ë, që e kanë shqiptarë…?

-Jo Doktor, jo, se nuk e mbarova. Shoferi ka thënë “por Doktori i hodhi poshtë gjithë thashethemet dhe tha që aty do vijnë francezë dhe pikë. Dhe do sjell francezë për të blerë vilat”.

-Shumë mirë se ashtu është në fakt, francezë do sjell. Tjetër, çfarë tha tjetër?

-Tjetër tha që kur dolën nga Saranda atë faqen e Sarandës do ta zhvillojnë dhe do ta lulëzojnë. Ka Doktori, tha, një projekt që do ta bëjë faqen më të bukur të një qyteti në Evropë.

-Do ta bëjmë Flamur, mirë e kanë pasë…

– Epo ç’të them unë Doktor, ja këto muhabete kanë bërë gjithë rrugës. Shofer llafazan. Ça dëgjon në makinë i thotë dhe ata shumë kurioz dhe kështu e kanë humbur toruan dhe u përplasën me makinë. Tani gjithë këto arritje ndonjë viktimë do ketë. Po Ceca është mirë, s’ka qenë në makinë.

– Mirë shumë. Tani dëgjo, do t’i bëjmë të gjitha ato. Ka pasë të drejtë shoferi. Po mos ia thuj njeriut këto. Dhe po pyeti policia çfarë po flisnin, për arritjet e qeverisë thuaj, dhe mbylle me aq.

Lini një Përgjigje