Ish-futbollistët e kombëtares, sukses edhe si menaxherë

2 Maj 2011, 19:14Sport TEMA

Ish-mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Adrian Aliaj, tashmë është kthyer në një prej menaxherëve të suksesshëm të futbollit shqiptar. Aktualisht, Aliaj, i cili mbahet mend për golat e tij të shumtë me kombëtaren, edhe pse ishte mbrojtës, është menaxheri i mesfushorit të njohur të kombëtares kroate, Niko Kranjçar, i cili luan në Premier Ligë me Totenhemin. Por, duke qenë se ky i fundit nuk aktivizohet rregullisht, Aliaj është duke u përpjekur që t’i gjejë atij një destinacion të ri. Për këtë, Aliaj mund të bashkëpunojë me një tjetër ish-futbollist të kombëtares shqiptare, Igli Tare, që është aktualisht drejtori sportive i Lacios. Kjo, duke qenë se klubi kryeqytetas ka shprehur interes për mesfushorin kroat. Por, Aliaj ka deklaruar për “Sun” se për Kranjçar kanë shprehur interes edhe Juventusi dhe Roma, por edhe ekipe nga Spanja dhe Gjermania, duke mos përjashtuar as ekipet e tjera nga Premier Liga. Tashmë, ish-futbollistët e kombëtares shqiptare duket se i janë future një rruge tjetër të suksesshme, asaj të menaxhimit, pasi Tare, Aliaj, Rudi Vata etj, janë disa nga shembujt më të mirë të kësaj gjeje.

Lini një Përgjigje