Sandri filmon pa dashje shtesën pa leje të Metës

3 Maj 2011, 21:23Antena TEMA

Sandri ishte në hall për ta justifikuar punën e moslejimit të kamerave me vete në aktivitet e Bashës. Shumë gazetarë kishin çdo ditë këtë pyetje dhe u duhej dhënë një përgjigje. Pas një konsulte të gjerë, u vendos që të përdorej çështja e intimitetit të qytetarëve.

– Unë, tha Basha, nuk marr kamera me vete, jo se nuk dua të pasqyroni takimet e mia, por se shumë qytetarë më tregojnë halle të tyre dhe unë nuk dua të prek privatësinë e tyre.

Ky është formulimi që Luli i dërgoi me sms Sandrit. Sandri e lexoi dhe ju duk pak e lehtë.

– Po kush çan k…. për privatësinë në këtë qytet, por gjë ndonjë gjë më të fortë.

– Jo, jo, tha Luli, se ajo më duhet. S’ka problem, mban.

Dhe ashtu u bë. Arsyetimi ishte jo se Luli do të dërgojë kasetat e veta, por se do ruajë privatësinë e qytetarëve.

Dje ndodhi ngatërresa. Luli kishte në plan të shkonte tek një pallat ku dikush kishte bërë një shtesë pa leje. Pyetën ku mund të gjenin një rast të tillë dhe dikush u tregoi një shtesë tek restorant Berlini i Vjetër. Shkuan tek pallati. Si zakonisht kamera e Sandrit, Luli dhe figurantët. Në cep të pallatit ishte një roje që u buzëqeshte. Luli e përshëndeti dhe i kërkoi të hynin pak në oborr.

-Patjetër shef, i tha roja, dhe i çoi në oborr të pallatit.

Një person ju afrua Lulit dhe i tregoi se këtu janë bërë tri kate shtesë pa leje dhe rrezikojnë të shembin pallatin. I shpjegoi se dhe nga pesha e tri kateve oborri ishte çarë dhe rrezikonte ndonjë ditë të binte shtesa mbi restorantin Shaekesbeer që ishte në krah.

Luli kaq deshi dhe u kurdis.

-E shikoni këtë pallat, tha. Në zgjedhjet e vitit 2007 u ndërtua pa leje. Kryetari aktual i Bashkisë premtoi se do ta prishë. Por ç’ndodhi? Ai jo vetëm që nuk e prishi, por lejoi tri kate pa leje dhe më pas siç më thonë banorët e zonës, i legalizoi…

Burri me kostum kafe tek dera u afrua i nxirë në fytyrë dhe ja bënte me shenja ta ndalte. Luli nuk ndalonte.

-Unë jam këtu për ta denoncuar këtë kasaphanë, këtë njeri që lejon shtesat e miqve dhe shokëve të vet dhe injoron qytetarët… Roja i oborrit u afrua shumë afër dhe ja bënte me shenjë të pushonte. Luli u nxeh më shumë.

-Unë jam këtu për ta denoncuar dhe do të sjell këtu gjitha kamerat ta shikojnë këtë të vërtetë. Unë nuk trembem nga kërcënimet, as nga telefonatat për bombë që mund të bëni për ashensorin e pallatit tim, as për bomba artizanale që vendosni nëpër kazane, unë jam Lulëzim Basha dhe jam ndryshe, unë e mbaj fjalën, unë kam dhënë prova që mbaj fjalën, kam dhënë prova që jam për drejtësi, kam dhënë prova që jam kundër korrupsionit, për demokraci dhe të drejtat e njeriut. Unë vërtet nuk kam marrë kamera me vete sot se prish privatësinë tuaj, por unë këtij njeriu do t’i prish qetësinë dhe do ta kthej në vend qetësinë e banorëve që u është prishur katër vite me parë… Roja s’duroi më dhe ju hodh sipër.

-Pash Zotin boll, tha.

Luli e shtyu tutje dhe i bëri me shenjë kamerës mos të filmonte.

-Provokator, i tha, s’më fyeni dot. E keni nervozizmin e javës së fundit. Por unë s’humbas qetësinë. Unë s’e ndryshoj kursin tim paqësor. Provokator.

-Por jo mar shef Luli, jam Beni që më fute në punë polic tek Ilir Meta, a mban mend që i thashë kunatit tënd, që i bëra atë punën dhe më rregulluat në punë?

-Po ç’do këtu, i tha Luli.

-Po më ke çu vetë mor shef, roje tek shtëpi e Ilir Metës.

– Po pse rri tek ky oborri, i tha.

– Po kjo shtesa pa leje që thu ti është shtëpia e Ilir Metës mor shef. Unë rri këtu se duan me e rrahë këta banorët e pallatit si Kastriot Islamin. Ene kjo shtesa të drejtë ke, s’është mirë, mund të bjerë, po mu shefi më ka thënë që do me ikë tani se po i bën një vilë Zamiri dhe sa të ikë, mban kjo.

-Ou? Po pse na thanë ne e ka një ish punonjës bashkie?

-Po ka qenë një mik i shefit mo shefo, që punonte në Bashki atëhere, po tani e ka shefi. Unë thashë se e dinit ju, ndaj ju lashë.

Luli u bë serioz.

-S’ka problem, tha. Siç e kam thënë dhe dje publikisht ne nuk marrim kamera me vete se nuk ua prishim privatësinë e qytetarëve. Ja, ky është një rast konkret që po të ishte media këtu, do prishte qetësinë e pallatit dhe privatsinë e familjes Meta. Ju faleminderit.

Kamera e Sandrit pushoi së xhiruari. Luli mori në telefon Sandrin.

-Na iku kot xhirimi sot. Duhet me gjetë ndonjë pallat tjetër, tha, se na e ka fut njëri dhe na ka sjellë tek pallati i Ilir Metës.

-E di, e di. Do ta ketë bërë ndonjë nga ata të PD-së lagjes se ata e kanë inat, tha Sandri. Vari k…, kështu janë këta demokratët, s’u zihet besë. Nuk e duan që nuk e duan këtë Ilir Metën.

 

Lini një Përgjigje