Futbolli shqiptar është mbërthyer keq në sistemin e trukimit të ndeshjeve. Ky është raporti që vjen nga UEFA, e cila brenda pak muajsh ka dërguar dosjen e dytë për ndeshje të trukuara në Kategorinë Superiore.
Burime pranë FSHF kanë bërë të ditur se gjatë ditëve të fundit, në zyrat e këtij institucioni kanë mbërritur sinjalizime të reja nga UEFA, e cila ka vënë në punë Sistemin e Zbulimit dhe Mashtrimit. Vëmendja ndaj “luhatjeve” të basteve në tregun aziatik ka sjellë përsëri në plan të parë kampionatin shqiptar, ndërsa këtë radhë bëhet fjalë për ndeshje të sezonit aktual.
Ndonëse FSHF nuk ka bërë ende asgjë publike, në listën ndeshjeve të dyshuara si të trukuara përmenden thuajse të gjitha skuadrat që përbëjnë aktualisht Kategorinë Superiore.
Edhe pse UEFA ka dërguar një dosje të detajuar, institucioni i futbollit si dhe shteti shqiptar nuk kanë lëvizur ende për të vazhduar hetimet dhe për të provuar akuzat, duke bërë që çdo rast trukimi të kalojë pa u dënuar./lajmeshqip