Arsenali duket se ka arritur marrëveshjen për të nënshkruar me sulmuesin 26 vjeçar gjerman, Lukas Podolski, ndërsa duhet gjetur një akord me klubin e Këln që zotëron kartonin e tij.
Sipas mediave britanike, Arsenal është përballur me konkurrencën e Shalkes, por londinezët janë të gatshëm t’i ofrojnë atij 6 milionë euro në vit, duke kaluar të parët në listën e preferencave.
Mediat britanike përflisnin prej kohësh se dy dëshirat e Arsen Venger për merkaton ishin Podolski dhe talenti i Borusia Dortmund, Mario Gëtze.
Por nëse ky i fundit mund të mos lëvizë nga Gjermania, Podolski është gati për një aventurë të re në një skuadër të madhe, pas dështimit që kaloi te Bajern Mynih.
Ai është i lumtur me çfarë i ka ofruar Arsenali dhe pret me padurim që “topçinjtë” të gjejnë marrëveshjen me klubin e tij.
Këlni ka refuzuar ofertën e parë prej 8 milionë paund, pasi kërkon që të përfitojë të paktën 15 milionë paund nga shitja e sulmuesit të kombëtares gjermane.