Një nga futbollistët më të lumtur të përfaqësueses kuqezi, pavarësisht humbjes, ka qenë sulmuesi Edgar Çani, i cili ka bërë realitet ëndrrën të shënojë në ndeshjen e parë me fanellën e kombëtares.
Por pavarësisht gëzimit për golin, ai ka theksuar se ky është vetëm një fillim për të dhe ekipin, ndërsa duhet shumë punë për të ecur përpara.
“Jam shumë i kënaqur për golin dhe debutimin që bëra me kombëtaren. Por dua të them se luajtëm një ndeshje me dy tablo. Një pjesë të parë shumë të mirë, ndërsa në të dytën e nisëm keq, shumë të ndrojtur, ndaj edhe pësuam golin e barazimit shumë shpejt. Gjithsesi, duhet të vazhdojmë të punojmë dhe të rritemi ndeshje pas ndeshjeje”.
“Kisha shumë emocione që para se të niste loja, duke qenë se kisha debutimin tim me Shqipërinë. Por, fatmirësisht, gjithçka shkoi mirë, sepse shënova gol që në minutën e tretë. Kjo më ndihmoi ta përballoja presionin e ndeshjes së parë me kombëtaren”.
“Mund të bënim më shumë dhe më mirë në pjesën e dytë, por duke qenë se ishte një ndeshje miqësore, nuk kemi pse hidhërohemi nga humbja. Duhet të nxjerrim mësimet e duhura dhe të shohim përpara”, deklaroi sulmuesi i përfaqësueses shqiptare që ka bindur me lojën e tij që në ndeshjen e parë.