Xhani Di Biazi nuk e ka nisur me fitore karrierën e tij në stolin e përfaqësueses shqiptare siç e kishte premtuar pak ditë më parë pasi kuqezinjtë u mundën 2-1 nga Gjeorgjia. Por tekniku italian është i ndërgjegjshëm që në këtë rezultat ka patur gisht gjyqtari i takimit.
“Preokupimi im nuk është për rezultatin, është për episodet që bëjnë ndryshimin në një ndeshje dhe mund të them se sot gjyqtari na ka rënë “kokës”. Ajo që më intereson është fakti se skuadra, sidomos në pjesën e parë, ka treguar futbollin që më pëlqen mua, futbollin me organizim dhe kundërzbritje, me dëshirë të madhe për të luajtur”.
“Në ndryshim nga rezultati, paraqitja e skuadrës ishte shumë pozitive dhe ashtu siç e thashë edhe më parë, episodet ishin vendimtare pasi ishin ata që bënë ndryshimin. Por skuadra më pëlqeu shumë”.
“Mendoj se duhet të punojmë më shumë që të menaxhojmë rezultatin. Është e qartë se sot kemi hedhur hapat e parë, ndaj unë jam mjaft i kënaqur”.
“Mendoj se Çani bëri gjithçka shumë mirë, punoi shumë dhe bëri një gol të bukur. Ishte një lojtar i rëndësishëm sot për ne. Edhe ata që u futën në pjesën e dytë, ndonëse patën probleme të lehta në lojë, arritën të shfaqen mirë”, ishte komenti i trajnerit italian referuar debutuesve në këtë sfidë. /lajmeshqip