Barak Obama, një specialist i NBA

2 Mars 2012, 12:38Sport TEMA

Presidenti i SHBA, Barak Obama, nuk e ka fshehur kurrë pasionin e tij për sportin, e sidomos për basketbollin. Në një intervistë për ESPN, ai ka pranuar se shpesh kalon një pjesë të kohës së lirë duke ndjekur ndeshjet e NBA, edhe kur është në udhëtim.

“Kam një “League Pass” të NBA në “iPad”, por nuk ma paguan Shtëpia e Bardhë, e paguaj vetë”, tregoi ai duke qeshur.

Presidenti amerikan nuk ngurroi të deklaronte se nuk ishte më “i diplomuari më i famshëm i Universitetit të Harvard”, duke iu referuar talentit të ri në basketbollin amerikan, Xheremi Lin, i cili ka dalë pikërisht nga ky universitet.

“Unë e dija për Xheremi Lin para të gjithë juve. Nuk është se dua të marr meritat për “Linsanity” (mënyra se si etiketohet popullariteti i basketbollistit të Nju Jork), por Arni Dankan, Sekretari për Edukimin, ishte kapiteni i skuadrës së basketbollit në Harvard dhe më ka treguar mrekulli për një djalë të shkëlqyer që luante me të. Në të njëjtën kohë, një prej miqve të mi më të mirë ka djalin në Harvard dhe më mban të informuar, ndaj e njihja Lin prej shumë kohësh”.

“Mua më duket një histori e jashtëzakonshme, ai i ka të gjitha për të qenë një djalë i shkëlqyer. Jam i sigurt se do të rritë shikueshmërinë e NBA në Kinë”, u shpreh ai për basketbollistin me origjinë aziatike.

Obama është një tifoz i Çikago Bulls dhe shpreson që në rast rizgjedhje, të ketë mundësinë të takojë lojtarët e skuadrës së zemrës. “Jam i sigurt se Çikago do të kalojë për vizitë nga Shtëpia e Bardhë në 5-6 vitet e ardhshme”, u shpreh Obama duke iu referuar vizitës tradicionale që çdo ekip kampion i NBA bën në zyrat e presidentit amerikan.

Po çfarë do të bëjë ai nëse Çikago fiton titullin kampion? “Do të jem shumë i lumtur, por nuk besoj se do të festoj aq shumë sa në kohët kur Majkëll Xhordan puthte trofeun e kampionatit. Unë nuk kam dyshime, Xhordan është lojtari më i mirë i të gjitha kohërave në NBA. Tani më pëlqen Kris Pol, një person i jashtëzakonshëm”, tha Obama duke “injoruar” Derik Rouz, yllin e ri të Çikagos.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje