Mbrojtësi i Çelsit, David Luiz, ka sulmuar ashpër mesfushorin e ekipit të tij, Frenk Lampard, duke i thënë që të ndjekë udhëzimet e trajnerit Andre Vijas-Boas.
Braziliani mbështeti trajnerin dhe u shpreh se ishte e papranueshme që në një klub të kishte “njerëz të privilegjuar”.
Kritika erdhi pasi Lampard deklaroi publikisht se marrëdhënia e tij me teknikun portugez nuk ishte ideale.
“Askush nuk duhet të jetë babai apo djali i askujt në një ekip futbolli”, tha Luiz për “O’Jogo”. “Nuk ekzistojnë njerëzit e privilegjuar. Lampard thjesht duhet të dëgjojë trajnerin kur jep një urdhër dhe t’i zbatojë ato. Asnjë lojtar nuk duhet të harrojë që është thjesht një i punësuar në klub”.
Sipas lojtarit, problemet më të mëdha vijnë nga trysnia e shtypit anglez kundrejt kësaj skuadre elitare.
“Shumë polemika krijohen nga mediat britanike. Vitin e kaluar kishte skuadra që ishin në pozicione më të këqija në tabelë dhe nuk shkruhej asgjë për ta. Është shumë më e thjeshtë të flasësh për AVB, pasi Çelsi është një skuadër e madhe që lufton për vendin e parë”.
Por këto deklarata të lojtarit pritet të ndezin më tepër luftën brenda skuadrës londineze, pasi ai shihet nga “veteranët” si një nga të përkëdhelurit e Vijas-Boas, ndonëse në ndeshjet e fundit ka bërë gafa të njëpasnjëshme.