Zamiri përfshihet në festën e paspresidentit

13 Qershor 2012, 19:14Antena TEMA
Zamiri përfshihet në festën e paspresidentit

Sapo përfundoi procesi i zgjedhjes së presidentit, Zamiri u bë gati të fillonte urimet me mesazhe. Duhej patjetër të dukej i përfshirë në këtë histori.

Të parit ia nisi Nishanit. “Të uroj nga zemra për fitoren. Ti e di që unë kam pasur gjithmonë respekt për ty. Fola dhe me Doktorin dhe i thashë që kjo ishte një skemë e shkëlqyer. Urime”.

Përgjigjja nuk vonoi as një minutë “Ju kuptova qartë. Faleminderit. Bujari…”.

Pastaj si zakonisht i nisi mesazh Doktorit. “Urime Doktor. Nuk kish si të ndodhte ndryshe. Duhej zgjedhur fiks njeriu që ua mbyll gojën të gjithëve. Vetëm ti mund ta bëje këtë mrekulli.”

Nuk pati përgjigje, por e justifikoi me mendje se Doktori kishte shumë mesazhe.

I nisi një SMS Ridvanit. “Mbaroi kjo punë, s’ke ç’i bën. Bëre gabim që nuk më le të veproja më shumë. Mund ta kishim mbyllur. Është skandal të kesh atë president. U bë që u bë politik, e kishim kapur ne të paktën.”

Ridvani s’po i kthente përgjigje. Zamirin e kapi pak frika dhe po kujtonte çfarë kish ndodhur gjatë fushatës, ku i kish ngel qejfi?! U kujtua që kur doli emri i Petraq Milos, Ridvani i kishte thënë Zamirit ta sulmonte në TV e tij tek ABC dhe Zamiri u detyra të marrë një mikun e tij gazetar e ta nxirrte me telefon në ABC. Për Nishanin s’i kish thënë gjë. Pse vallë? Mos e ka pas dashë dhe s’dinte gjë Zamiri? Dilemat filluan ta brejnë. I nisi një SMS tjetër. “Unë s’kam gjë me Nishanin. Më duket djalë i mirë dhe interesant. Bile Doktori më ka folur shumë mirë. Por natyrisht unë s’mund ta krahasoj me ty se të kam mik të vjetër.”

Ridvani s’po fliste prapë. Zamirin e kapi paniku. U kujtua ku mund t’i kish ngelur qejfi. Mos ishte tallur ai Olldashi atë ditë që i kish thënë më tha Ridvani ma sulmoni pak tek ABC këtë Petraq Milon?…

-Mundet, tha me vete. Ç’më duhet dhe mua që ngatërrohem.

I nisi një mesazh tjetër. “Unë e sulmova Petraqin atë natë tek ABC se mendova që është fyerje për ty të dalë emri i tij, por ai nuk është djalë i keq, megjithatë kjo punë kështu është. Nejse, sido që të jetë, unë u përpoqa për ty.”

Pas pak bie telefoni i Ridvanit. Zamiri u çel.

-Ç’i ke gjithë këto mesazhe o byrazer se nuk di t’i hap se më ka falë ky doganieri i Durrësit një Blackberry, po s’di si shkruhen mesazhet. Çfarë i ke o, ke ndonjë makinë në doganë?

-Jo, jo, fshiji, s’ka asgjë, i tha Zamiri, thjesht ishin ca mesazhe për presidentin. Më mirë fshiji.

-Po ç’më ngatërron mua me mesazhe bre, bë telefon si gjithë dynjaja.

Zamiri u qetësua dhe nga ky. iu kujtua Nano. I shkroi: “Ti je i madh. E shkatërrove fare Ramën. Më thanë që është mbyllur në zyrë dhe ka lidhë kokën me peshqirë. Ashtu e meriton ai. Mund të të kishim president sot po të mos ishte ai.”

Nano nuk vonoi përgjigjen. “Faleminderit për solidaritetin. E çmoj shumë atë nëse e shoqëron me një 500 qind mijë euro se jam futur në shpenzime për fushatën presidenciale. Pastaj më duhen dhe për partinë e re.”

Zamiri s’i ktheu përgjigje fare.

-Paska ikë për lesh ky, tha me vete.

I kish ngelur Rama. Bëri gati mesazhin e parë. “Kjo që ndodhi ishte skandal, po mos e ça kokën se rrugë e gjatë. Unë i thashë dhe Sandrit, kjo për mua është fundi i botës. Të zgjedhësh një copë dru president është skandal”.

Rama nuk u përgjigj. Zamirin e kapi paniku, nisi mesazhin e dytë.

“Shiko, kjo ka për të pasur pasoja të rënda për demokracinë dhe unë ia thashë dhe Doktorit, bëtë gabim që përfunduat tek Nishani dhe mund të kishit gjetur gjuhën, por ai nuk dëgjon”.

Përsëri heshtje nga Rama. Zamiri nisi mesazhin e tretë.

“E di që mund të jesh i zënë dhe s’ke kohë t’i lexosh, po ky Nano m’i ka ngritur shumë nervat me këto që bën. Është shumë legen. Ia thashë dhe në sy dje. I thashë s’të ka lezet të përzihesh këtu. Tani njerëzit nuk thonë më Zamiri i Vjenës, po Fatosi i Vjenës. U nxeh shumë. Ik mos më ça trapin, tha. Është shumë legen”.

Rama nuk u përgjigj prapë.

-Ça të ketë ky, mendoi me vete Zamiri. Nisi mesazhin tjetër…

“Unë po përpiqem të bëj sa mundem dhe tu ndihmoj. Ja Blushin e kam ndihmuar ç’ka dashur, me kusht i thashë që të bëhesh me Ramën. Dhe më dëgjoi.  Dhe kushdo tjetër nga çunat që ka kërku ndihmë. Po ti e kupton që ndiqem hapur dhe nuk bëj dot më shumë se ti e di si janë këta malokët. Ishallah thyejnë qafën vitin tjetër se nuk durohen”.

Rama nuk u përgjigj përsëri. Zamiri u bë keq. Nisi mesazhin tjetër.

“Ty mund të të ketë ngelur qejfi, po unë i thashë dhe Fevziut mbrëmë ta detyronte Nishanin të pranonte se do ketë prioritet bashkëpunimin me opozitën. Dhe Nishani e pranoi. Ishte e gjitha puna ime. Megjithëse ke të drejtë që je mërzitur, po unë s’kam faj. Mua më kanë bllokuar për vete. Duan të më marrin tokën e TEG se thonë ke pastru lekët e Mirit Xhikes, se ajo paska qenë e sekuestruar atëherë kur e kam blerë. Këta janë plehra. Bëjnë presion për ndonjë lek. Me kanë çu emrin mua dhe Sandrit dhe në pikat kufitare italiane… Bile Sandrin e morën ne pyetje herën e fundit kur ishte në Itali…”

Rama përsëri nuk u përgjigj. Zamiri po bëhej keq. Ja tregoi gjithë mesazhet Sandrit.

-Qenka bërë dhe ky shkërdhatë si Doktori, tha Sandri. Të heqka vështrimin po i ngeli qejfi.

 

6 komente në “Zamiri përfshihet në festën e paspresidentit”

  1. JERINA says:

    ej se u trasha une, jan prej verteti keto apo cfare ???????????? apo thjeshte telenovela e nje gazetari??????????

    1. Erald KOLA says:

      Pse cfare ka te pavertete ketu?!!!

  2. Taku says:

    Eh mer Zamir saimir bullari mullari fshatari , sido qe ta luash e ta kruash te gjitha te dalin ne pah , me renje e dhemballe te njeh Merua

  3. o Mero na kenaqe . Tani eshte mesnate dhe po me shijon kaq shume ky humori yt i holle . Tu befte dita njemije , Je i sakte fare .

  4. Erald KOLA says:

    Per Jerinen:
    Prej verteti prej verteti jane! Ndodh keshtu dhe me keq se keshtu! Pse ca ka te pabesueshme ketu!?!

    Te lumte dora!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje