Selvia e PD gjen zgjidhje për deklaratat e imunitetit

11 Gusht 2012, 20:34Antena TEMA

Doktorit po i ikte dita pa asnjë deklaratë për shtyp në Dhërmi. Lajmi për thyerjen e rekordit të notit nuk kishte bërë efektin e duhur.
Përveç Sonilës që e kishte dhënë direkt, të tjerët e kishin injoruar. Biles edhe Sandri i tha në telefon se u teprua pak me atë lajmin, nuk çuditen më njerëzit. Doktori turfulloi. E bezdiste gjithmonë ideja që vartësit e tij bezdiseshin nga gjërat që përsëriste ai vazhdimisht.
-E di unë ç’duan këta, tha me vete. Prapë deklaratë për imunitetin do bëj. Çdo ditë deri në 12 tetor kur të vijë përgjigja për statusin.

Thirri Selvinë e PD-së.
-Shkruaj, i tha. Partia Socialiste ka frikë të heqë imunitetin pasi milionerët e saj…..
Selvia, e cila ishte në plazh në atë moment, e zhveshur në çadër, nuk kishte me se të shkruante. Bënte kot po, po në telefon dhe dëgjonte deklaratën e Doktorit.
-Ta shpërndaj me e-mail, tha në fund Selvia kur Doktori mbaroi.
-Jo, thirr kamerat, i tha, urgjent. Dhe do dalësh çdo ditë sa herë që nuk kemi gjë për të thënë.
-Mirë, tha Selvia me zë të mekur.

Sapo mbylli telefonin, e zuri alarmi. Ajo kish ikur pa leje në plazh meqë Doktori kishte ikur në Dhërmi. Flamuri nuk shkonte më tek PD-ja dhe ajo mendoi se askush nuk do ta kuptonte ku ishte. Tani e gjeti belaja. Po mendonte një plan. Diçka i shkreptiu në mendje.
Mori të parin atë të TV Klanit.
-E ke atë kasetën kur kam dalë para dy ditësh për imunitetin, i tha.
-E kam, i tha gazetari.
-Të keqen motra ma nxirr një sinkron nga ato që kam thënë direkt dhe shto në fund që unë kam thënë vetëm Sadri Abazi ka 50 milionë euro.
-Pa merak, i tha gazetari.  Selvia u qetësua. E dyta ishte ABC News se tek këto dy kanale e mbante Doktori.
Mori Sonilën. Ia shpjegoi hallin. Sonila hezitoi.
-Nuk mund ta gënjej Doktorin, i tha Sonila. Më vjen keq po unë kam lidhje të veçantë me të. Ai më falenderoi dje për transmetimin direkt të garës së notit, e kishte ndjekur po direkt. Si mund t’ia bëj unë Doktorit këtë?
-Po s’ka asgjë të keqe, i tha Selvia, punë teknike është. Atë që kam thënë pardje, do e them prapë sot. Vetëm do shtosh dhe një fjali me mbulim për Sadri Abazin.
-Më vjen keq po kjo nuk është profesionale, tha Sonila. Si mund t’ia bëj unë Doktorit këtë? Ai ka besim tek unë.
-Të lutem, i tha Selvia, se ashtu e kam hallin, jam jashtë Tirane dhe ai më tha ta jap shpejt dhe po pret ta shikojë tek ABC News. Biles më tha po pres ta japë Sonila…
-Po kështu thuaj, i tha Sonila. E ndjej që ai njeri nuk bën dot pa lajmet e mia. OK, po e bëj, po të jetë hera e fundit. Ne nuk duhet ta gënjejmë atë. Sidomos unë, se ai ka besim tek unë.
Selvia u qetësua dhe nga ABC.
Mori Ora News dhe ia shpjegoi hallin gazetares që mbulon PD.
-Mos u mërzit, i tha ajo. Ne kemi tre javë që japim një sinkron që e ka regjia. Sa vjen lajmi që do dalësh ti për imunitetin, ne e futim atë live. E kemi gati.
-OK, rrofsh, i tha Selvia. Mos harro, shtoji me mbulim dhe një gjë për Sadri Abazin, të duket e sotme.
I ngeli Top Channel. I bëri sms gazetares dhe ja shpjegoi hallin.
-Mos ça kokë, ma nis me e-mail, i tha ajo, se mbulim do ta bëjmë, pamjet i kemi.
Pasi e siguroi se kronika do jepej pa qenë nevoja të kthehej ajo në Tiranë, u ul të shikonte lajmet në hollin e hotelit. Sapo filluan lajmet e Klanit, Selvia u shfaq me deklaratën e saj me zë dhe figurë.

Recepsionisti i tronditur shikonte sa ekranin, aq dhe Selvinë dhe u hutua fare.

-Si ka mundësi, tha, kjo është edhe këtu, edhe në Tiranë.
Selvia, që e kapi hutimin e recepsionistit, u ngrit të ikte kur ra zilja e Doktorit.
-Shumë mirë e kishe deklaratën, i tha. Dhe ishe e bardhë qumësht. Tani ik bë ndonjë ditë plazh, vetëm se afër në Durrës se mund të na duhesh prapë nesër ta përsërisësh.
-Patjetër, i tha Selvia. Faleminderit shumë.
I hodhi një sy vetes në pasqyrë dhe ishte shumë e nxirë nga dielli.
-Ishallah nuk ndeshem me të këtë javë tha se nuk do më njohë, por po më pyeti, do t’i them kam bërë solar në Tiranë.

 

5 komente në “Selvia e PD gjen zgjidhje për deklaratat e imunitetit”

  1. Hyske Borobojka says:

    HA HA HA HA!
    I pa arritshem je o Mero! Jo vetem per cilesine por edhe per sasine e sarkazmes qe na shpalos cdo mbremje tek Antena!
    Pune te mbare e suksese!
    http://imazheshqip.blogspot.com/2012/08/sonila-dhe-rekordi-i-doktorit.html
    P.S. Po me Sonin c’pate ?

  2. Ali kinezi says:

    Gjigand mero

  3. cicolino says:

    I madh je o Mero! Pse s’ben ndonje skenar filmi me keta ti, se boll material ke.

  4. Arbi says:

    o katunare qe ke turp edhe nga emri, beje dhe ti Henri ndroje emrin shpejt nga selvie-silvi madje krenohu se emrin Silvi kushedi do behesh ministre. O idjote me pamje ulerime.

  5. daja says:

    O te lumte pena o Mero.Kam filluar te behem pak xheloz kur ma ngacmon Sonilen se me pelqen shume keto kohet e fundit me ato buzet e fryra taman si thiu komshiut tem.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje