Lojtarët e Bregut të Fildishtë dhe tifozët e kësaj skuadre u shoqëruan nga forca te shumta policie jashtë stadiumit “Leopold Sedar Senghor” pasi tifozët e Senegalit vendas shpërthyen në protesta të dhunshme sepse skuadra e tyre po eliminohej nga Kupa e Afrikës në ndeshjen që u ndërpre në minutën e 76-të.
Dhuna shpërtheu kur Drogba shënoi golin e dytë nga pika e bardhë e penalltisë, duke i dhënë Bregut të Fildishtë avantazhin 2-0 në këtë ndeshje dhe 6-2 në total, përfshirë takimin e parë.
Një tifoz hyri në fushën e lojës duke iu drejtuar sulmuesit para se ky të ekzekutonte penalltinë, por u ndalua në kohë nga forcat e policisë. Pas golit, tifozët filluan të ndiznin zjarre në shkallët e stadiumit duke bërë që tymi të mbulonte fushën e lojës, ndërsa një nga vijërojtësit u godit nga një fishekzjarr që u hodh në fushë.
Më pas, tifozët senegalezë sulmuan ata të Bregut të Fildishtë dhe policia u detyrua të përdorte gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën e tifozëve vendas, ndërsa mbështetësit e Bregut të Fildishtë u futën në fushë, ku iu bashkuan dy skuadrave në qendër, për t’u mbrojtur nga shiu i objekteve që vërshuan ndaj tyre.
Takimi, i ndërprerë në minutën e 76-të, u pezullua zyrtarisht 45 minuta më vonë.
Autobusë dhe makina të tjera u desh që të futeshin brenda fushës së lojës për të transportuar jashtë tifozët e Bregut të Fildishtë, në mënyrë që të parandalohej një sulm i mundshëm nga tifozët vendas, ndërsa ekipet dolën nga fusha vetëm pasi u mbuluan nga mburojat e policisë.