Kemi hyrë në këtë Nëntor të 100-të me radhë dhe ende vazhdojmë të përçojmë një zakonshmëri, e cila s’do t’i ngjante asnjë kombi të këtij kontinenti të moçëm. Aq më pak elitave. Por, me këto s’duam të merremi. Sepse s’i kemi. Askund. As në politikë, as në kulturë, as në ekonomi, as në financa, as në arsim, as në tokë e as në qiejt e bijave e bijve të shqipeve të Gadishullit. Ose, nëse doni edhe i kemi, por… ashtu siç janë: janë për keqardhje, e cila njeriut veç mishin ia ngjeth.
Dhe megjithatë këtij Nëntori do duhej t’i gëzohemi. Sepse jemi kështu si jemi. E para, përkundër faktit që na masakruan e ndoqën, na rrahën e vranë dhe para së gjithash na tkurrën. Si trup: (desh) na bënë xhux. Megjithatë, arritëm të (mbi)jetojmë. Si tërësi kulturore, gjuhësore, gjeografike.
Dhe jo vetëm do të duhej t’i gëzohemi, por edhe duhet ta festojmë këtë Nëntor, si asnjë tjetër më parë! Jo për të arriturat. As për atë që jemi më ndryshe- më të fortë, më të shkathët, më punëtorë, më të organizuar, më kompaktë. Për hir të atyre që shkuan dhe përkundër 1 milion e një gabimeve që i bënë: përlarje e përçarje, plumba e puhiza që tradhtisht shkepeshin nëpër kasabatë e fuqive e komshive, nuk e harruan kurrë kush ishin, pse ishin dhe para së gjithash pse nuk duhej të dorëzoheshin. Para ujqërve gllabërues të Perandorisë, Luftës së Parë, asaj të Dytës dhe mortajave të kuqe e kineze, sllave e çka jo tjetër. Kundruall krejt këtyre ndikimeve shekullore, po po shekullore, nuk ka si të mos jemi të helmatisur me të tjerët, me veten, me të tashmen (sepse e kaluara nuk ka vdekur- ajo as që ka kaluar!) dhe me një frikë të tmerrshme shikojmë drejt asaj që i thonë e ardhme. Këtu ndalemi.
Çka është e ardhmja? Si do duket ajo? Për ne? Për ne ndoshta jo edhe aq, por për brezat që do të vijnë. Kjo është pyetja që askush nuk guxon ta bëjë publikisht. Ose edhe nëse bëhet, ka përmasa personale. Kurrë s’është si diskurs i përgjithshëm, i cili do të mobilizonte të gjitha sferat e shoqërisë dhe kombit. Dhe këtu, në këtë detaj duhet të jemi të sinqertë dhe ta pranojmë: për dallim nga kombe tjera, shumë më të mëdha e po aq të mëdha sa ky yni në Gadishull, nuk jemi askund.
Po aq sa kjo është esenca mbi esencat. Pyetja mbi pyetjet. Sepse mungon elementarja: të përgjakur e të përçarë në luftërat me fqinjët, varësinë nga miqtë perëndimorë dhe kasaphanet ideologjiko rajonale mes vete- ende s’kemi arritur ta vëmë në piadestal atë që do të mund ta quanim prioritetin më të madh që do duhej ta kemi. Punën e edukimit dhe arsimit. Për brezat që do të vijnë.
Këtu kemi hendekun e madh dhe po qe se vazhdohet me këtë kaos në çdo drejtim, atëherë s’ka si të mos shohim kryeakademikë nga Kosova që i quan të gjithë “gastarbajterët” parazitë… profesorë e politikanë të tjerë që s’duan të shohin surratin e kuadrove me mentalitet europian, perëndimor me parim e pedigre të fshatit global në kasaba/kështjellat e tyre?! Kjo është tragjedia. Kur shohim sesi njëri pas tjetrit, djem e vajza që vyejnë diçka dhe duan të provojnë të bëhen pjesë e sistemit- posa shohin që “sistemi është se s’ka sistem” ikin të dëshpëruar dhe të lodhur. Deri dikund edhe të traumatizuar. Janë me mijëra a mijëra: në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e gjithandej ku jetojmë kur shohim e dëgjojmë, lexojmë e përjetojmë aq rëndë ato ikje.
Kjo sjell tek problemi i dytë i madh: nënshtrimin e madh. Për të mos e quajtur total të brezave të rinj- atyre që një ditë do ta zënë vendin tonë. Arsyet e nënshtrimeve janë ato që dihen: banalet. Nga vendi më i mirë në shkolla e universitete e deri tek punët e doktoraturave e recensurave… karrigeve e kurrikulave… Një katrahurë që s’ia gjen shoqen askund në Evropë.
Esenca: problemi i edukimit/arsimimit nuk është aq teknik sa ka të bëjë me mungesën e (vetëdijshme, s’ka dyshim) të një fryme të re, e cila do të prekte plagën aty ku ajo është edhe e hapur. Mosballafaqimi me “boss-ët shpirtërorë të kombit” dhe mosadresimi i këtij problemi sidomos nga politika, do të thotë jo vetëm ngecje, por janë dhe do jenë sidomos pasojat për fëmijët tanë ato që do duhej të frikësonin çdokënd që ka vetëm një ide të vogël sesi këto punë shkojnë në botën normale, perëndimore.
Në këtë Nëntor… kur kthejmë kokën dhe shohim prapa sesi u bë shqiptaria, nuk ka si të mos ketë emocione të përziera mes ngazëllimi e dëshpërimi. Ngazëllim pse mbijetuam. Dëshpërim sesi nuk u kapëm me botën perëndimore me kohë.
Çmimi i lirisë është ky që është: mes një ure që herë ndan e herë lidh mentalitete e kultura, ekonomi e ushtri… Puna është që aty ku shumica prej nesh synojmë të shkojmë- nuk shkohet vetëm me këmbë. Por para së gjithash me mend. Dije dhe punë. Edukatë. Arsim!