Zenit Shën Petersburg është skuadra që gjatë verës ka ofruar 55 milion euro për të blerë Edinson Kavanin nga radhët e Napolit, duke marrë një përgjigje negative nga drejtuesit e skuadrës italiane.
Presidenti Aurelio De Laurentis, i cili kishte bërë të ditur pak ditë më parë për ekzistencën e kësaj ofertë për sulmuesin uruguaian, konfirmoi në intervistat pas ndeshjes Napoli-Roma, ku sulmuesi shënoi 3 gola, se ishte pikërisht skuadra ruse ajo që i kishte ofruar këtë shumë dhe pas refuzimit, kishte zgjedhur të blinte Hulk nga Porto.
Mançester Siti dhe Çelsi, dy ekipet më të interesuara deri tani për Kavanin, nuk kishin bërë asnjë ofertë zyrtare, por Zeniti kishte vendosur të provonte blerjen e lojtarit pa bërë shumë bujë, thjesht duke përfshirë si negociator një prej menaxherëve të tij, Bernardo Brovarone.
De Laurentis vendosi të refuzonte ofertën, duke blinduar futbollistin me një kontratë deri në vitin 2017, duke i rritur njëkohësisht rrogën në rreth 5 milion euro në sezon dhe duke vënë klauzolën e shitjes pikërisht në shifrën e 55 milionë eurove.
Kavani po përjeton një sezon fantastik me Napolin, pasi shifrat flasin qartësisht për një rregullsi të admirueshme para portës. Ai ka shënuar deri tani 25 gola në 23 ndeshje të luajtura në këtë sezon, ndërsa ka arritur në total të shënojë 91 gola në 118 takime me fanellën e kësaj skuadre. Jo rastësisht, gjatë verës pritet që të gjitha ekipet e mëdha evropiane të nisin një tjetër sulm për të siguruar sulmuesin uruguaian.