Paragjykimi i debatit tek të rinjtë

9 Prill 2013, 20:51Blog TEMA

Nga Arnold Grabocka

Para pak muajsh shkruaja me optimizëm për shenjat e para të faktorizimit të të rinjve në politikë. Klima e përçuar tek të rinjtë shqiptarë prej Partisë Socialiste dhe FRESSH ishte ajo e solidaritetit, debatit konstruktiv brenda llojit, kohezionit në strukturën gjithëpërfshirëse politike, si dhe europianizimin. Organizimet, konventat dhe aktivitetet masive trajtonin të rinjtë socialistë jo më si mish për top, jo më për persuazionin e shikuesit gri nëpërmjet objektivit të kameras, por si faktor interaktiv i gjithë strukturës partiake.

Pas koalicionit të bujshëm me Lëvizjen Socialiste për Integrim lind nevoja për një rivlerësim të këtij pozicioni. A është më FRESSH faktor partiak pas këtij momenti? A mund të thuhet pas koalicionit të papritur, se të rinjtë brenda strukturës nuk kanë qenë kurrë faktor? A do të jenë tashmë ata kohezivë si më parë, apo do të ketë fraktura? Në thelb, a besojnë ende të rinjtë te Programi për Rilindje?

Analiza nuk duhet të jetë kurrsesi paragjykuese. Strukturimi partiak pre-2005 i Partisë Socialiste tregon se deri atëherë të rinjtë nuk ishin ingranazhi i fitores, pavarësisht se Shqipëria gëzonte që atëherë një popullsi të re në moshë, me rreth 40% të popullsisë nën moshën 30 vjeç. Pas mbërritjes së z. Rama në krye të Partisë Socialiste, nisi një proces gradual rifreskimi dhe kthimi të të rinjve në faktor politik lobues. Ky proces arriti kulmin e tij në vitin 2012 me organizimin e përkryer të zgjedhjeve brenda Forumit Rinor dhe maksimalizimit të vendimmarrjes së Forumit. Paradoksalisht, minimumi i këtij procesi mbërriti përgjatë ditëve të para të prillit 2013, pas koalicionit të beftë të Partisë Socialiste. Nga ana tjetër, Partia Demokratike nuk ka bërë asnjë përpjekje për t’u dhënë vendimmarrje të rinjve brenda forumit përkatës rinor, duke shmangur rrezikun e një ndryshimi me kah të kundërt në lidhje me filozofinë e liderit të saj.

Nëpërmjet aplikimit të modelit psikologjik Kubler-Ross (pesë fazat e zisë) mund të kuptohet fare mirë çdo etapë e revoltimit masiv të të rinjve nëpër rrjete sociale përgjatë ditëve 2-5 prill 2013, si dhe shuarjen e zërave të pakënaqur pas këtyre ditëve. Pesë fazat e njëpasnjëshme të zisë janë: mohimi (mohohet të njihet se ka ndodhur ajo që sapo ka ndodhur; inati (kjo s’duhet të ndodhte, është e padrejtë); ujdia (negocim për të justifikuar veten); depresioni (ose zhgënjimi apatik); pranimi.

Nëpër rrjete sociale dhe kafene kish rreth 5-7 ditë që qarkullonte thashethemi në lidhje me koalicionin. Më 1 prill, një ditë para shpalljes famëkeqe të ftesës nga z. Rama, thashethemi ishte aq i fortë, sa faza e parë e mohimit lindi. Në këtë ditë rrjetet sociale dhe opinioni public ishin në heshtje. Shumë të rinj mohonin menjëherë sa pohonin logjikën e një koalicioni të tillë. Në ditën e vrenjtur të 2 prillit, pas zyrtarizimit të ftesës, bomba me sahat plasi. Çdokush nëpër rrjete sociale shpërtheu në ndjenja inati dhe zhgënjimi. Në një mënyrë të paprecedentë, rrjetet sociale zienin prej frymës anti-koalicion, anti-Meta, anti-Rama. Pas 1-2 ditësh në këtë fazë, të rinjtë shqiptarë kishin nevojë për justifikime, sado të vogla, prej kreut të partisë. Ai i dha këto (psh. Berisha duhet mundur me çdo kusht përtej moralit), duke i dhënë fill sagës paradoksale dhe të pakuptimtë të përçarjes mes të pretenduarve moralistë dhe pragmatistë. Shumica e të rinjve të përkushtuar, filluan të binin në ujdi me këto justifikime. Pas disa ditë vorbullash politike, të gjithë këta të rinj që më parë përbënin një bazë shumë energjike dhe të orientuar drejt fitores së zgjedhjeve, ranë në një gjendje zhgënjimi apatik. Në këtë gjendje ata skalitën mendimin se nuk paskan qenë kurrsesi faktorë, se faktor në Partinë Socialiste është vetë lideri.

Në fund, faza e pranimit. Shumica e të rinjve në këtë fazë ulën tonet e ngritura vetëm pak ditë më parë, në një lloj hangover-i politik. Shumë prej tyre filluan të mbështesin liderin, duke u justifikuar se fitorja duhet arritur patjetër, se Berisha duhet të largohet, apo se nuk do të ketë përkulje ndaj LSI. Megjithatë, përkulja ndaj LSI nis që para zgjedhjeve; nëpër listat e Partisë Socialiste. Kjo fazë e pestë i dha fill krijimit të tre kategorive të rinjsh:

-Ata që pranuan menjëherë ose gati menjëherë koalicionin. Nuk mund të kritikohen kurrsesi këta të rinj. Ata zgjodhën të mbrojnë një pozicion për të cilin mund të kenë luftuar shumë ose pak brenda strukturës së partisë. Ata besojnë ende se Programi për Rilindje është i aplikueshëm. Shpresojnë se do të zënë një vend të mirë pune pas fitores së zgjedhjeve.

-Ata që bënë shumë zhurmë, por që në fund vendosën ta pranojnë koalicionin. Këta të rinj ndjehen të pafuqishëm, të defaktorizuar (askush nuk i ka pyetur ata për “baltën” të cilën janë të detyruar tashmë të mbrojnë). Ata në shumë raste janë naivë, pasi besojnë se Partia Socialiste e ka një plan për të nxjerrë jashtë loje LSI pas fitimit të zgjedhjeve. Ata mendojnë se ky koalicion i shërbeu qytetarit, pasi do të rrëzohet matematikisht Sali Berisha. Nëse përdor termat e z. Kajsiu, ata zgjodhën politikën konjukturale para asaj elektorale.

-Ata të cilët vendosën të mos jenë pjesë sado e vogël e shkuarjes me LSI në zgjedhje. Këta janë quajtur gabimisht si “moralistë”. Në fakt, nuk mund të përdoret një etiketim i tillë bosh. Vetë etiketimi është prelud i paragjykimit. Ata as mund të quhen “të zhgënjyer”. Të gjithë janë të zhgënjyer, edhe ata që përbëjnë dy kategoritë e mëparshme të të rinjve, pavarësisht zgjedhjes së justifikuar që kanë bërë.

Krijimi i këtyre tre grupimeve të paorganizuara është destabilizues. Seksione të caktuara të grupimit të parë të të bindurve janë duke linçuar të rinjtë e pakënaqur nëpërmjet etiketimit të tyre si “berishist”, “salist”, “tradhtar” e kështu me rradhë. Në tentativë për të mbushur mungesën e lënë prej realizimit se të rinjtë socialistë nuk janë më faktor në vendimmarrje, ata krijojnë një dualizëm të panevojshëm, duke u justifikuar se nuk mund të ketë njerëz që largohen për këto motive: ata me siguri duhet të kenë kaluar “nga krahu tjetër”. Seksione të tjera të caktuara në dy grupimet e para janë përgjegjëse edhe për përhapjen e frymës se Rilindja vazhdon edhe pas kësaj katrahure. Por megjithatë, nuk mund të ketë Rilindje nëse në fund del se LSI-së i janë premtuar ministri. Nuk e dimë ende nëse do të ketë ministri për LSI në rast fitore të koalicionit, por nëse kjo ndodh, padrejtësia thellohet si vazhdimësi e modelit nepotik, duke shmangur individë të cilët mund të jenë shumë herë më të përgatitur për kryerjen e këtij roli. E sigurisht, po ashtu nuk mund të ketë Rilindje me njerëz të LSI në listat e PS. I riu kthehet nga faktor, në pjesë të pazarit, sidomos pas afrimitetit që do të krijohet mes forumeve rinore të koalicionit.

Logjikisht FRESSH do të ishte faktor në një frymë politike elektorale, por jo në strukturën aktuale konjukturale. Faktor i vetëm nëpër struktura konjukturale janë koalicionet, matematika, gjendja psikologjike e liderave, hëna, batica, zbatica, si dhe moti. Tabloja rinore e lënë pas gjithë kësaj katrahure, është ajo e një ndërtese madhështore, të lënë përgjysmë: një gërmadhë e re.

17 komente në “Paragjykimi i debatit tek të rinjtë”

  1. Ymer Llani says:

    Shume i sakte si gjithnje! Keshtu te pafsha.

    1. fr says:

      Jo more, pse paska qene ndonjeher faktor i riu atje????????!!

      1. Eraldo says:

        e po ka pas ndopak fuqi, mbaroi ai mhb tani.

        1. raimondi says:

          Ky artikulli i ketij ketu tregon fare mire se te rinjte nuk duhet te futen ne politke

          Ata mund te flasin e te japin mendime te ndryshme per politken , por ne asnje menyre nuk duhen vendosur te rinjte te drejtojne ne politike,
          sepse te rinjte jane fanatike te budalleqeve te tyre

      2. puntori says:

        Me shum te rinj si ky t’kish, e jo ata qelbesirat qe nderrojn pushtet.

    2. joli joli says:

      iku fryma rilindjes

      1. Lirindja says:

        Lirindje ama do te kete, s’e le Liri pushtetin

      2. fl says:

        Une dua frymen e Ndeshkimit per ate morracakun e Vicidolit.
        Rilindje ja u falim katnarve te PD-se si shprese per tu qytetarizuar pak pa Doktorin.

    3. ngjalalikes says:

      un’jom ngjala likes dhe qeveria osht n’gji t lalzit.

      1. eh.... says:

        Ngjala te Likes per te tere, ps, Rama, e me rradhe….

    4. Kastrioti says:

      TANI LSI+PS DO NISIN ME PARRULLEN:

      NEVE HAME EDHE BAR, ILIR META KRYETAR!!

  2. shqiptari says:

    skan qen as1her faktor te rinjt atje, e harroje tjen

  3. Gimi says:

    Ju kthy bumerang Edit kualicioni

    1. Edi Tr says:

      Eshte koalicion, jo “kualicion”. Se kane nisur e gazetaret e thone kualicion.

      1. anti-horri says:

        Te Lumte!

  4. Bojken Lamaj says:

    Edi Rama po perdore te rinjte, ata jane te gjithe kukulla dhe po perdoren, kush do e drejtonte fresshin? Maria Myridimas qe ska mbaruar shkolle apo Leart Kola qe eshte me diplomen e kristalit?
    Ilir Meta tregoj se diti ta ndertonte shqiperine si kryeminister qe ka kryesuar fressh me para, keta sot jane nje tuf kukulash militant pa shkolle!

  5. Lilolabja says:

    Bravoooooooooooooo!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje