Mazhorancë ‘kamikaze’ dhe pragmatizëm opozitar

18 Prill 2013, 19:19Blog TEMA

Nga Artan Xh. Duka

 

Më mirë namin se syrin!

Arbitrariteti i mazhorancës është lapidar dhe kjo u pa edhe me votën në parlament rreth anëtarit të KQZ. Deri këtu nuk ka asgjë të re sepse ajo prej kohësh ka preferuar më mirë namin se syrin ndonëse kësaj radhe kishte një farë iluzioni se do të mbetej një blof pasuar nga një tërheqje me lezet për të trukuar imazhin dhe bërë të ‘moderuarën’ dhe ‘toleranten’ në prag të qershorit. Kjo, meqë opozita i ka numrat për qershorin dhe për rrjedhojë mazhorancës, si e humbur që e humbur, nuk do t’i interesonte të krijonte një precedent që mund t’i kthehet bumerang më pas, për më tepër që u vu re një presion direkt dhe pa doreza perëndimor, veçanërisht SHBA, për të mos u kuturisur në të njëjtin qorrsokak si dikur më 1996.

E megjithatë, ajo nuk pyeti, duke mos dalë nga natyra e qeverisjes së saj e luftës së nervave, demonstrimit të forcës dhe bërjes fakt të kryer. Jo vetëm ndaj opozitës dhe opinionit publik por dhe vetë perëndimit. Një stil qeverisje ‘copy cut’ apo përsëritje i atij që provokoi krizën e pashembullt 96-97, ‘kamikaz’ dhe i pashpjegueshëm për më tepër që janë të njëjtët protagonistë që e dinë se ‘ku të shpie mushka’ dhe që ngre pikëpyetje për motivet reale pas tij.

Një stil qeverisje që provokon në ekstrem jo vetëm durimin opozitar e publik por dhe atë demokratik perëndimor, SHBA veçanërisht, pasojat e të cilit nuk i interesojnë kurrkujt përveçse qarqeve antishqiptare në rajon – publicitet negativ rreth imazhit kombëtar, ngrirje e integrimit europian, vasalitet ekonomik ndaj fqinjëve, intimidim apo cenim sovraniteti etj. Sado komplekse ‘burrërie’ apo atavizma primitiv të njëshit të bartë një qeverisje, sado abuzime dhe panik nga hapja e kutisë së Pandorës nëse humbet pushtet etj, asgjë nuk justifikon pas 20 vitesh hapje sysh ndaj demokracisë, për më tepër për herë të dytë, një aventurë pa kthim me kosto izolimin e vendit dhe përdhosjen e imazhit demokratik duke e shndërruar sfidën e qershorit aq sa demokratike, po aq dhe kombëtare njëkohësisht.

Mazhoranca ‘mjegull’ do

Me provën më të fundit ‘gjenerale’ të shkarkimit të anëtarit të KQZ, kjo mazhorancë rikonfirmoi sërish faktin se vota e qershorit nuk do të jetë e lirë duke provokuar kësisoj qëllimisht opozitën dhe shtyrë atë drejt radikalizmit në aksionin e saj.

Përballë tensionimit dhe pështjellimit demokratik (që të lënë përshtypjen se janë mision për këtë mazhorancë), sfida opozitare dhe e vetë perëndimit, bëhet vërtet komplekse për të mos lejuar precipitimin tek ‘sindroma 96’. Vota e qershorit mbetet iluzion nën këtë qeverisje që nuk ka gajle për nam dhe që po ta lypë nevoja, edhe me maune në mes të ditës do e tjetërsoi vetëm e vetëm që të kompensojë numerikisht shtimin opozitar prej afrimit PS-LSI.

Por, edhe nëse vota ‘aksidentalisht’ nxjerr fituese opozitën, për shkak të ligjit zgjedhor dhe efektit të abuzimit me votën, ka shumë gjasa që mazhoranca e re të jetë e brishtë dhe e fragmentizuar dhe si e tillë e ekspozuar ndaj mazhorancës së sotme që shquhet për ‘merkaton’ parlamentare – qofshin këto parti apo individë (duke ngritur dilema për objektivitetin e djeshëm dhe të sotëm të zgjedhjes së emrave me ‘pikatore’ prej lidershipit opozitar sipas ligjit aktual zgjedhor).

Pragmatist për rotacion, moralist për qeverisje

Përballë provokimit të qëllimshëm të mazhorancës, opozita nuk duhet të bjerë në grackën e reagimit të nervozuar duke shmangur veprime ekstreme që nuk do të dëshironte t’i bënte opozita e nesërme – bojkoti i parlamentit, dorëheqjet prej institucioneve, ashpërsimit në ekstrem të gjuhës mediatike (siç ishte rasti i protestës pranë shtëpisë së deputetit devijant etj etiketime ndaj ish-ëve që realiteti i ditës dëshmon se tërhiqen mbrapsht duke lënë pas shijen e hidhur të përdorimit të turmave për politikën e ditës), protesta të dhunshme etj.

E para gjë dhe e ngutshme që duhet të bëjë opozita është një bashkimi integral opozitar apo ndryshe afrimi pa komplekse dhe pa kushte i gjithë spektrit opozitar në një tryezë të rrumbullakët si shans më shumë për rotacion dhe mazhorancë solide më pas në funksion të votës së lirë përmes zgjedhjeve të parakohshme në një kohë sa më të shpejtë.

Aksioni opozitar nuk e ka më luksin e cic-micëve me njëri-tjetrin ndërkohë që ‘kosa’ e mazhorancës po i merr përpara pa dallim. Duan, nuk duan, janë të gjithë në një barkë dhe janë të detyruar të vozisin në një drejtim ndryshe ajo do vijë rrotull derisa të batohet fare.

Ndërsa debati rreth moralit politik mes palëve në opozitë mbetet kriter parimor për ngjizjen e një ‘konsorciumi’ të domosdoshëm opozitar për një qeverisjeje afatgjatë, ai mbetet derivat i ushtrimit fillimisht të përgjegjësisë historike për të bashkëpunuar ‘teknikisht’ përmes një ‘detante’ ad-hoc me objektiv minimal rotacionin si hap i parë drejt normalizimit të vetë demokracisë.

Që qershori t’ia vlejë

Krahas betejës së pandërprerë institucionale dhe kundërvënies ndaj mazhorancës me të njëjtën monedhë, opozita e bashkuar duhet që urgjentisht të sensibilizojë publikun dhe mbarë perëndimin, përmes protestave paqësore non-stop (dhe arsye ka boll) me objektiv parësor largimin e kësaj qeverie dhe zhvillimin e zgjedhjeve të qershorit me qeveri të mirëkuptimit kombëtar. Shoqëruar kjo me lobim të bashkërenduar kudo në kancelaritë dhe spektrin politik perëndimor si për të sfumuar efektin alla-Podesta ashtu dhe kredituar aksionin opozitar për votën e qershorit.

Imazhi i aksionit opozitar bëhet superior si për meritë të vet ashtu dhe kur demaskon atë të mazhorancës përballë. Ndërsa lidershipi socialist bën mirë që vete në Kosovë dhe vë pika mbi ‘i’ për të minimizuar keqkuptimet dhe rrjedhimisht një ndikim dhe votë në favor të mazhorancës në qershor, do të ishte akoma më mirë që qasje të tilla të bëhen në emër të opozitës së bashkuar dhe e njëjta gjë vlen edhe për lobimin perëndimor.

Ngërçi dhe sfida opozitare nuk është reagimi ‘për pasojë’ dhe kundërgoditja e nervozuar me ‘çfarë t’i kapë dora’ ndaj kësaj mazhorance me 9 ‘shpirtra’ por bashkimi i saj dhe marrja e iniciativës në betejën politike. Bashkimi, për hir të rotacionit, është e vetmja rrugë për ngjizjen e frymës së ndryshimit, patjen e perëndimit pas dhe mbjelljen e panikut dhe shthurjes pa kthim në kampin qeveritar. Nëse opozitar, nuk ka vend për alibi ndarjeje dhe një ftesë e sinqertë për bashkim, në rastin më të keq, nxjerr blof dhe shmang çdo iluzion. Me bashkimin si hap i parë, të tjerat vijnë vetiu.

1 komente në “Mazhorancë ‘kamikaze’ dhe pragmatizëm opozitar”

  1. ali says:

    Tani ne pleqeri po e kuptoj she njerezit per pushtetin shdrrohen kamikaze.Kjondodhh sidomos ne

    zonat malore e shkembore the Shqiperise.Ky eshte nje fenomen qe kerkon hulumtim te

    Gjitheanshem……!!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje