Amoraliteti i moralistëve pa kufij

15 Prill 2013, 20:18Blog TEMA

Nga Xhovani Shyti

Qenia njerëzore me lëvizshmëri karakteriale treqind e gjashtëdhjetë gradë është shfaqur dhe vazhdon të jetë pjesë elitare e shoqërisë sonë pasdiktaturë. Vetëm e jona, puro shqiptare. Është një lloj qenieje e veçantë, e mbarsur me amoralitet të pastër. Një kategori sociale që s’e ka për gjë të ndryshojë sjelljen, domethënë moralin e vet, in-ekstremis. Domethënë pakufi, treqind e gjashtëdhjetë gradë. Sikurse e ka titulluar emisionin që drejton Artur Zheji, shqiptari mediatik me një biografi të pasur karakterialo – profesionale për të qenë pjesë integrale e treqind e gjashtëdhjetë gradëshave.

Dikur, në kohën e qenies së Fatos Nanos kryeministër, Artur Zheji ishte emëruar drejtor i përgjithshëm i Radio Televizionit Publik shqiptar, për ta vënë këtë njësi mediatike publike, që mbahet më financimet e taksapaguesve, tërësisht nën pushtetin e kryeministrit të kohës, Fatos Nano. Me demek për të mos lejuar anti-Nanot të penetronin në ekranin e tij. Detyrë, të cilën Artur Zheji i asaj kohe dhe drejtuesi i treqind e gjashtëdhjetë gradëshit të sotëm, e kreu me plot sukses, duke e përfunduar me një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit, që e bënte përgjegjës për humbjen e ca miliona dollarëve. Një raport që nuk u mor kurrë në shqyrtim nga organi i hetimit, por që nuk ia tjetërsoi karakteropatinë in-ekstremis Zhejit, që, pas ikjes së Fatos Nanos nga kryeministria dhe fitores së njëzet përqind të pushtetit nga Ilir Meta, pra nga kundërshtari më i patundur i Nanos, të lëvizte treqind e gjashtëdhjetë gradë.

I shkarkuar nga posti i lartë që mbante në drejtorinë e Përgjithshme të Radio Televizionit Publik Shqiptar, për të siguruar një tjetër, Artur Zheji s’e pati për gjë të dilte publikisht hapur krah Ilir Metës, duke siguruar kështu postin e drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH). Lëvizje in-ekstremis, nga Nano tek kundërshtari më i madh i tij, Ilir Meta. Lëvizje treqind e gjashtëdhjetë gradë, vërtetë frymëzuese për të ndërtuar një emision me të njëjtin titull.

Por Zheji nuk është i vetmi i racës shqiptare të treqind e gjashtëdhjetë gradëshave. Madje mund të jetë më i zbuturi, kur krahasohet me ca të tjerë homologë të tij, që për të përfituar thela e siguruar jetën nuk e kanë për gjë të lëvizin in-ekstremis, d.m.th treqind e gjashtëdhjetë gradë. Një tjetër i shquar i këtij soji është Henri Çili, ai i universitetit dhe i gazetës “Mapo”.

Jo më larg se ditën e diel, mediatiko-gjithologjiku Cili, u shfaq i gjendshëm në një sallë prishtinase, përkrah Edi Ramës, pra të kreut të opozitës anti-Berishë, në të njëjtën tribunë kosovare, duke na freskuar kujtesën për braktisje të kampit Berisha dhe një kërcim pindarik të tijin në atë të opozitës së shënjuar për të qenë në pushtet pas fitores së zgjedhjeve të 23 qershorit.

Sepse ky është thelbi i moralistëve pa kufij morali.

Kokulur dhe të përunjur me të gjithë ata që kanë në dorë tu ofrojnë diçka, e të pamëshirshëm me ata që kanë nën vete, ky është thelbi i filozofisë së treqind e gjashtëdhjetë gradëshave, që kanë nisur të shtohen si ujët e turbullt të lumenjve tanë përmbytës në këto ditë shiu pa kufi. Ka edhe të tjerë treqind e gjashtëdhjetë gradësha mediatikë, sindikalistë, mbrojtës të të drejtave ligjore të shqiptarëve etj., përfitues abuzantë me gradat që i kanë veshur vetes,por që hyjnë tek të zbuturit, kur krahasohen me ca politikanë. Si p.sh i përjashtuari me dhunë nga atdheu, Ed Selami, apo të përjashtuarit e tjerë nga Partia Demokratike, Tritan Shehu, Genc Pollo apo të ikurit nga Partia Demokratike Arben Imami, Nard Ndoka, etj, etj., të gjithë të rikthyer në prerin e Sali Berishës, d.m.th të nëmurit prej tyre, kryeministrit në detyrë dhe kryetarit dinastik të PD-së. Në prehrin e njeriut, të cilin e kishin anatemuar si antishqiptar, anti-integrues, despot, diktator, madje dhe bashkëpunëtor të serbëve.

Gjithçka për ca pushtet, për të përfituar.

Kanë lëvizur që të gjithë treqind e gjashtëdhjetë gradë, duke predikuar moralitet pa kufij, ndonëse vetë kanë lundruar në amoralitet, për tu bërë deputet, zëvendëskryeministra, ministra, ambasador, kandidat për deputet, zv.ministra etj. etj. Për një post jap gjithçka, por moralin jo se nuk e kam. Por më i famshmi ndër këta 360-gradësha është ministri në detyrë i Bujqësisë, Genc Ruli. Për të cilin nuk po bëj asnjë koment, por vetëm po sjell ato çka ka ligjëruar me gojën e vet 15 vite më parë, në adresë të kryeministrit “reformator” Sali Berisha. Ishte koha kur si pasojë e keqqeverisjes Shqipëria ishte përfshirë nga anarshia ’97 dhe Genc Ruli ishte shkarkuar nga të gjitha funksionet ministrore, por edhe partiake. Degradime që e nxitën të deklarojë këto të mëposhtmet në adresë të Sali Berishës, atë kohë president i vendit.

“…Mund të pohoj se kreu i kontrabandës në Shqipëri ka qenë vetë Berisha. E them këtë sepse ai institucionalizoi kontrabandën në shërbim të organit më okult të shtetit, SHIK-ut, si dhe të një klani rrotull tij… Kontrabanda mund të gjente strehë vetëm pranë Berishës, për arsye se vetëm nën titullin e vasalit të tij politik mund të siguroje licencën për t’u marrë me kontrabandë pa u rrezikuar… Ishte pikërisht Berisha që, fillimisht e lejoi, mandej e kultivoi kontrabandën, duke helmuar me këtë klimë gjithë strukturën shtetërore dhe shoqërinë shqiptare”.

Të fshehtën për kryeministrin në detyrë, Sali Berisha, atë kohë President i vendit, ministrit në detyrë i Bujqësisë, Genc Ruli, e ka nxjerrë si përgjigje për pyetjen e bërë nga gazetari: “Pse Berisha e akuzoi ish-ministrin e Financave Ruli për pjesëmarrje në kontrabandë”, ndërkohë që për pyetjen tjetër: “Sa e dukshme ishte përzierja e SHIK-ut në aktivitetin e kontrabandës”, ka dhënë përgjigjen e mëposhtme:

“Padyshim SHIK-u ishte kulmi i organizuar i kontrabandës në Shqipëri. Mjaft të përmendim disa argumente. Në pesë vjet jete të tij SHIK-u ka marrë nga buxheti i shtetit financime shumë modeste, që nuk do të mjaftonin për të mbuluar as 1/3 e shpenzimeve dhe pagesave të personelit të angazhuar prej tij. Në fakt, për të mbuluar shpenzimet ai ka pasur fonde financiare ilegale në shumëfishim të atyre që jepeshin zyrtarisht. Për këto fonde kishin dijeni Berisha dhe Gazidede, dhe nuk e përjashtoj faktin se: në një masë të madhe këto fonde vinin nga kontrabanda. SHIK-u kishte monopolizuar të gjitha organet shtetërore si policinë kufitare, doganore, financiare, rendin, prokurorinë, dhe, në vetvete ishte organi më i mirëinformuar për fluksin e kontrabandës në Shqipëri, por në mënyrë të qëllimshme këtë kontrabandë se luftoi asnjëherë. Sikundër verifikohet sot, nëpunësit më jetëgjatë të doganës dhe policisë financiare janë ata që u bënë agjentë të SHIK-ut, dhe që ishin nëpunësit më të implikuar në proceset e kontrabandës”.

Gjithë sa ministri në detyrë i Bujqësisë, Genc Ruli i ka adresuar kryeministrit në detyrë Sali Berisha, e gjen të publikuar në gazetën “Koha Jonë”, të datës 13 dhjetor 1997, të radhitur në shkrimin që ka si okelio: “SHIK-u truri i trafikut”,-si kryetitull: ”Genc Ruli: Berisha kreu i kontrabandës”,- dhe si nëntitull: “Pozita e sotme nuk ka as forcën dhe as motivet për të zbuluar skandalet evidente edhe monstruoze të ish-Presidentit”.

5 komente në “Amoraliteti i moralistëve pa kufij”

  1. uragan says:

    …respekte, je shume i sakte…

    1. anticensurë says:

      uragan
      ashtu si dhe shyti ti ke një gabim ose mosthënje të vogël!
      me të vërtet shyti ka bërë një shkrim të shkëlqyer,nuk ke çti thuash!një e vërtetë e jetës së përditëshme,por ai,ndoshta për mos pasje vëndi,nuk i ka përmëndur të gjithë 360 gradëshit!ka përmëndur vetëm kundërshtarët ose ish kundërshtarët(pjesërisht)!
      ai ka harruar të dy kryesorët!
      të paktën njërri prej tyre që na intereson neve personalisht!
      ai ka harruar “çunin e tironës”piktorin e kulturuar dhe të hapur në mentalitet!!!
      ka harruar 360 gradëshin e tij dhe dashurinë e këthyer në amnisti të pa thënë por reale për bllokistin e korrupsionit,ilir metën!!
      prandaj unë personalisht shytit mund ti them pavarsisht rrespektit dhe shkëlqimit dhe saktësisë së shkrimit,
      _”meqë e fillove çoje deri në fund dhe mos bjer në të njëjtat pozita si ata që ti vet i quan të pa moralshëm”!

  2. PARAK says:

    Per tematiken e artikullit te Zotit Shyti mund te shkruhen volume te tera dhe prap nuk do te shterohet.

    Njeherazi, ky artikull mund te mos botohej fare pasi nuk sjell asgje te re ne opinionin publik i cili, tashme, jeton duke mbllacitur nga mengjezi deri ne darke bemat dhe te thenat e te konvertuarve politike dhe ideologjike te shoqerise shqiptare si dhe piruetat amorale te politikaneve tane.

    Kur ndrrohem sistemet politiko shoqerore, ne cdo kohe dhe ne cdo vend, mbijetojne dhe fitojne kameleonet, ata pa integritet dhe pa personalitet dhe humbasin e zhduken ata qe nuk mund te pershtaten.

    Dhe nuk mund te ndodhte ndryshe as ne shoqerine tone.

    Shembulli klasik i kesaj eshte konvertimi i Sali Berishes.

    Do te beja vetem nje verejtje te vogel per Zotin Shyti qe ka bere nje lapsus matamatik.

    Duhet te fliste per 180 gradesha dhe jo per 360 gradesha.

    Te rrotullohesh 360 grade do te thote te jesh perseri ne drejtimin e pare, pas nje rrethi te plote. Drejtimi diametralisht i kundert merret pas nje rrotullimi 180 grade.

    Pershembull, Sali Berisha do te bente nje rrotullim 360 grade nese Kina, superfuqia komuniste e kohes, do arrinte te zoteronte boten dhe te percaktonte qeverite kukulla te vendeve satelite.

    Athere do te shihnim Berishen, te rinxirte teseren e PPSH dhe fotot e tij te Bllokut, te rishkruante biografine e tij dhe te mburrej se edhe ne kohen e terrorit boteror te te djathtes, qeveria e tij zbatoi nje program majtist per rritjen e pensioneve dhe rrogave.

    Dhe per te qene edhe me shume realiste, tek cdonjeri perreth jush do te shihni kete biçim piruete, pak rendesi ka se te cfare grade: 120 apo 180 grade, per te siguruar nje koncesion hidrocentrali apo te nje miniere apo per nje vend pune si pastrues ne bashki apo ne nje spital. Dhe ne rradhe te pare kete do ta shihnim tek vetja, tek gjuha publike qe perdorim, tek qendrimi qe mbajme ndaj zhvillimeve te vendit apo ato nderkombetare. Mos u shqetesoni, eshte gjuha dhe fytyra e mbijeteses.

    Dhe gjithseicili do te shperblehet apo ndeshkohet ne ate mase qe perkon me aftesine pere te bere pirueta te nje kendi me te madh apo me te vogel. Integriteti moral dhe intelektual do te mbete nje pacavure pa vlere, qe nuk mund te perdoret as per te bere nje pale breke per te mbuluar paranicat apo prapanicat.

    Kesaj ligjesie, asht sikurse gravitetit, do ti nenshtrohen te gjithe: edhe Zheji, edhe Shyti, edhe Ruli, edhe Prifti, edhe Çili edhe Baze, edhe shkruesi i ketyre rradheve, edhe kritiket e ketij komenti.

    Por, a eshte ne te njejten mase poshtersia e figurinave qe bejne keto lloj piruetash? A urrehen apo perbuzen ato ne te njejtin nivel?

    Them qe jo, por nuk jam i sigurte per psene e kesaj diference.

    Mbase dikush tjeter mund ta spjegoje me mire kete diference.

  3. Desaret says:

    Shume i sakte gradacioni…nuk ka si te jetë 360 grade,sepse mbrin ne piken e nisjes se rrethit…Politika eshte edhe gjeometri,dhe gradacioni varet nga pozicioni qe merr,kur komunisti Sali u konvertua me urdher te Ramizit(porosi Beogradi mesiguri)ai beri 180 grade ndryshim.Islami po ashtu ,Meta kur shkoi tek Berisha,Frrok Cupi,nga i majte(komunist tek ZP,me Mehmet Elezin) e sa tê tjerë.Per keta kameleone 180 gradesh eshte shkruar shume…Selami ka bere 360 grade,Genc Pollo,Arben Imami.Edhe Ilir Meta ka bere tani 360 grade,sepse u rikthye ne shtepi,si i kishin kerkuar beratasit…tek Ura e Lanes,me parrullë,dy muaj me pare!…Shkrimi i mire,pasi fenomeni i Islamit e te tjereve eshte me i fresket dhe teper i pështirë!…

  4. leka says:

    Z.Shyti, cfaq nje personalitet te vecante gazetaresk,ne pazar-xhambaz oriental te medias shqiptare: Ai si asnje tjeter i bie ne shesh te kokes me emer me mbiemer kolegeve “gazetare“Eshte e vertete qe specia artur i lindur si Zheji dhe me pas Imami,jo vetem qe zvaritet gjithmone mbas kepuceve gjithe tepeger,te pushtetit(nano,meta,salietj),per te kapur karrige dhe para,por si ka mbetur asnje gjurme tipari ne fytyre.Tani luli i Tiranes e ka bere dhe synet nga posht,duke u kthyer ne islam, pasi nga koka lart eshte bere synet prej kohesh(fene e ka ndrruar prej kohesh),kundrejt shperblimit,duke ju falur deri ne toke arabeve te islamit te shkretetires.
    Nje korigjim definicioni per autorin(gabim qe e bejne dhe shume te tjere).Nocioni kthim 360 grade ketu perdoret,nga autori, ne kuptimin e nje kthimi ne te kundertin e vet.Ne siperfaqen e nje rrethi te levizesh ne nje kend 360 grade don te thote te shkosh perseri ne piken e nisjes.Ne kuptimin qe don ta perdore autori, duhet te thuhet 180 grade,qe te ben te shkosh ne piken tjeter diametrale.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje