Sekretari i përgjithshëm i FIFA-s, Zherom Valcke, ka thënë se Kupa e Botës 2022 në Katar nuk do të organizohet gjatë verës.
Frika për temperaturat e larta në vend kanë nxitur debat nëse koha e organizimit të kompeticionit do të duhej të ishte gjatë verës. Edhe pse presidenti i FIFA-s, Sep Blater, ka deklaruar se vendimi përfundimtar nuk do të merret deri pas Kupës Botërore të kësaj vere, Valcke nuk ka dyshime se gara është e pamundur të luhet gjatë verës.
“Datat për Botërorin në Katar nuk do të jenë në qershor-korrik. Të jem i sinqertë, mendoj se ndeshjet do të organizohen nga 15 nëntori dhe 15 janari, së paku.
Nëse luhet në mes të 15 nëntorit dhe fundit të dhjetorit, kjo është koha kur kushtet e motit janë më të mira, kur mund të luhet në temperatura të ngjashme me një sezon të nxehtë veror në Evropë, mesatarisht 25 gradë.
Kjo do të ishte e përkryer për të luajtur futboll”, ka thënë Valcke për Radio France.
Megjithatë, këto komente të sekretarit të përgjithshëm janë hedhur poshtë nga zëvendës-presidenti i FIFA-s, Xhim Bois, i cili thotë se kjo ende nuk është vendosur.