Kunati në dilemë për fjalimin e Lulit për vdekjen e Sollakut

11 Shkurt 2014, 20:54Antena TEMA

Pas lajmit për vdekjen e Skënder Sollakut, Kunati shkoi në zyrë të Lulit për të vendosur ç’do bëhej me ngushëllimet për të. Frika e Kunatit ishte mos ndodhte si me Vaçen, që Lulit iu desh të refuzonte ftesën për të folur, pasi nuk kishte pyetur Doktorin.

-Unë them se duhet të flasësh, i tha Kunati, meqë Skënderi ka qenë tirons i vjetër dhe ti je kryetar Bashkie i Tiranës.

-Dakord, po të pyes një herë Doktorin, i tha Luli, se është pak puna delikate.

-Po mirë, Doktorin pyete ndoshta për përmbajtjen, por duhet të konfirmojmë fjalimin, tha Kunati.

-Po të pyesim një herë Doktorin, i tha Luli, se më duket ky nuk votonte për ne.

-Po ç’rëndësi ka, tha Kunati, se mos ngelëm keq për votën e këtij ne. Po të mos ishte Ristani, s’na bënin hajër votat.

-Dakord, po të pyesim një herë Doktorin ç’mendon ai, tha Luli. Nuk e kam idenë a do të vijë apo jo.

-Unë them të shkojmë, nguli këmbë Kunati. Mbaj mend babin tim, vdiste kur dilte Skënderi në skenë.

-Nejse, po puna është tek Doktori, tha Luli. Ne po organizojmë protestat dhe unë të shkoj në vdekjen e një humoristi. Duket pak si paradoks.

-Unë nuk shikoj gjë të keqe, tha Kunati. Bile ne mund ta themi hapur se me ardhjen e socialistëve në pushtet, gjithë yjet e skenave shqiptare po vdesin njëri pas tjetrit. Askush nuk e duron dot këtë regjim.

-Nejse, po duhet të pyesim një herë Doktorin pastaj, tha Luli. Nuk e marr dot këtë vendim vetëm se ashtu është puna.

-Unë nuk shikoj ndonjë gjë të keqe, nguli këmbë prapë Kunati. Ky nuk ka vënë në lojë Doktorin ndonjëherë, se ky nuk është angazhuar që kur u bë Doktori kryeministër.

-E kuptoj, e kuptoj, tha Luli, por sidoqoftë duhet ta pyesim. Ka ca gjëra që ai i di më mirë se ne dhe gjykon më ftohtë.

-Dakord, bëj si të duash, i tha Kunati, por më vë në siklet se atje do jetë babi, mami, gjithë kushërinjtë se ata janë rritur me humorin e tij.

-Nejse, puna ime ndryshon, tha Luli. Do shikoj si do shkojnë punët e do vendos, Doktori duhet pyetur patjetër.

-Po mirë, tha Kunati, po të bëj unë një fjalim gati, hidhi një sy dhe jepja Doktorit ta shikojë.

-Po aty tek fjalimi e kam hallin, tha Luli. Ka një çështje delikate aty që s’e themi dot pa pyetur Doktorin.

-Ça ka, i tha Kunati. Ai ka qenë humorist i shkëlqyer, vdisnin fëmijë e të rritur ta shikonin në skenë.

-Po, po, e di, por ka diçka tek biografia që mund të na prishë punë me Doktorin.

-Po çfarë ka, i tha Kunati, se ndoshta e rregullojmë.

-Ka qenë sekretar partie i Estradës, i tha Luli, dhe kam hall se Doktori do vihet në siklet po të flasë për biografinë e tij.

6 komente në “Kunati në dilemë për fjalimin e Lulit për vdekjen e Sollakut”

  1. Para Tirona! says:

    Si nuk i ha mortja keta?!
    E turpnun Tironen ene tironsit.

  2. feniks says:

    Sekretar i PPSH-se i ESTRADES SE SHTETIT ka qene Skender Sollaku,por e propagandonte veten familjarisht te PERSEKUTUAR NGA SOCIALIZMI!!!!!!!!
    Opo nuk ka ngelur KOMUNIST pa u shpallur i persekutuar!!!

  3. MARKO says:

    Tall bythen me kete kunatin…e meriton

    1. cala says:

      Duhet pranuar se komunistet ,kane qene me te persekutuarit si pasoje u lejuan te konvertojne bindjen .?

  4. Davidi says:

    Edhe une do doja te lija nje koment, por duhet te pyes Doktorin nje here…

  5. Safo says:

    vijim:
    -nuk besoj se doktori do kete kundereshtim-tha kunati-fundja te dy kane qene sekretare partie dhe ka mundesi qe te jene takuar shume here ne mbledhjet per arsimin dhe kulturen.
    -ashtu eshte-tha Luli-por doktori duhet pyetur. Nuk bej dot pa levizur gishtin ai.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje