Kunati diskuton favoret dhe disfavoret për protestat e 20 shkurtit

13 Shkurt 2014, 20:30Antena TEMA

Kunati ka më në fund një lajm pozitiv për protestat e 20 shkurtit. Nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve u njoftua se në burgjet shqiptare nuk ka më vende, dhe i është bërë thirrje drejtësisë të mbajë pak dorën me prerjen e masave të arrestit.

I gëzuar nga lajmi, Kunati vendosi ta ndajë me Lulin.

-Ky lajmi që nuk ka vende në burgje, është shumë pozitiv, i tha Kunati. Na bën shumë punë tani.

-Pse i joni është ky Mëhillaj, i tha Luli.

-Jo, jo, s’kemi punë me ata, i tha Kunati. Janë betuar ata që nuk tregojnë kush ua dha porosinë për prefektin sikur nami të bëhet. E kisha për klimën në përgjithësi tek opozita.

-E pra, tha Luli. Më mori në telefon Mziu në mëngjes. Dhe ai dukej i gëzuar. Më tha, shefo, kështu me liri me kusht e shtyj tanë jetën unë. Veç leje për me festu Bajramin më duhet sa t’i bi dajres, për të tjerat s’e rruj shumë.

-U bë shumë mirë, tha Kunati. Kishte dy ditë që vinin këta demokratët e vjetër e më thoshin do hyjmë në parlament më 20 shkurt. U thosha nuk është mirë se do t’iu vrasin.

-Jo, më thoshin, nuk lejohet të vriten protestuesit kur hyjnë në institucione. Ne nuk jemi socialistë të na vrasin. Ne jena demokratë. Institucionet janë tonat. Ne i kena hy e i kena dhje në zyrë Fatos Nanos e s’na ka vra njeri.

-Po nuk i dihet, u thashë, se janë akoma në gardë ata tanët, ata nuk e dinë që kanë ndryshu rregullat.

-Jo, më thanë ata, e dinë shumë mirë që nuk vritet një demokrat pse hyn në institucione. Socialistët, ata as duhet të shikojnë nga institucionet.

U ishte mbushur mendja top, s’ke ça u bën, tha Kunati.

-Ma ka bë ajo Mesila, tha Luli. Ajo ka bërë thirrje të hyjnë njerëzit në parlament se do të më diskreditojë mua. Ajo vazhdon planin armiqësor.

-Unë mendoj se ajo ka për të dalë huq, tha Kunati. Me lajmin që nuk ka vende në burgje, ata as i arrestojnë dot se s’kanë ku t’i çojnë. Kështu që për të vra s’i vrasin dot, për t’i arrestuar, s’i arrestojnë dot, le të bëjnë ça të duan.

-Ti e di, i tha Luli, por unë kam frikë nga kjo gjë. Duhet ta ndajmë mendjen mirë se ç’do bëjmë, se ky Doktori më duket është mërzitur pak me mua dhe do të më nxjerrë jashtë loje duke i udhëhequr vetë protestat.

-Rëndësi ka që njerëzit të marrin pjesë, tha Kunati. Pastaj po u futën në parlament, dënojmë Mesilën, po nuk u futën, i marrim ne meritat.

-Dakord, tha Luli. Po po nuk erdhën fare?

-Po nuk erdhën, atëherë do fajësojmë qeverinë që ka ndaluar furgonat dhe autobusët e palicencuar, i tha Kunati. Edi Rama e ka bërë këtë vetëm që të mos lëvizin protestuesit më 20 shkurt. Trena s’ka, autobusë s’ka, furgona s’ka. As nga Paskuqani nuk vijnë dot se nuk e bëmë dot urën e bulevardit. Të gjithë këtë gjë e ka bërë vetëm kundër mitingut tonë. Por Mziu tha që ne do marshojmë që herët në mëngjes dhe në mesditë jemi të gjithë në shesh.

-Ky qenka lajm i gëzuar, tha Luli. Deri tani të vetmen gjë që kemi në favor, është ky lajmi që nuk ka vende më në burgje. Të tjerat i kemi kundër të gjitha. Tani po e kuptoj dhe këtë komplotin me furgonat dhe autobusët. Do ta denoncojmë ashpër.

-Kemi dhe një problem tjetër, tha Kunati. 20 shkurti i bie ditë pune dhe i kena gjithë njerëzit në punë shteti se s’i kanë heqë akoma. Ata nuk na vijnë. Si t’ua bëjmë?

-Ata të rrinë në zyra, tha Luli. Po hymë brenda në institucione, ata të na tregojnë rrugën.

5 komente në “Kunati diskuton favoret dhe disfavoret për protestat e 20 shkurtit”

  1. MARKO says:

    Sa te jete Xhelal Mzia, do pjelle dosa e bashke me te dhia.

  2. leo england says:

    hahahahaha, Z. Mero je fantastic. Bej ndonje film vizatimor me keta anetaret e oborrit te Sanco Pancos.

  3. Jona Musliu says:

    Ha ha ha,
    Kam qesh me lot:
    http://goo.gl/Bjbfb9

  4. era says:

    Mero e ka siguru parajsen me perlat e antenes.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje