Nisin punimet në aksin Banjë-Gramsh/ Haxhinasto: Zhvillim për zonat

18 Shkurt 2015, 14:28Ekonomia TEMA

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto si dhe ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri morën pjesë  në ceremoninë e fillimit të punimeve për rrugën zëvendësuese Banjë-Gramsh.

Ministri Haxhinasto në fjalën e tij gjatë ceremonisë tha se, qeveria e sheh zhvillimin e infrastrukturës si një ndër elementët kyç për zhvillimin e vendit.

Ai theksoi se ndërtimi i rrugës përfundon në muajin shkurt të vitit 2016.

“Ky segment do të lidhë komunitetin e fshatrave me qytetin e Gramshit, duke lehtësuar edhe zhvillimin e këtyre zonave”, deklaroi Haxhinasto.

Ministri vlerësoi edhe kompaninë Devoll Hydropower për standardin që do të zbatojë në ndërtimin e këtij segmenti. Kjo rrugë, tha ai, do të krijojë mundësi zhvillimi ekonomik për zonën.

Zbatimi i këtij projekti, bëri të ditur Haxhinasto, do të krijojë mundësi punësimi për zonën, pasi në këtë projekt do të angazhohen rreth 600 persona.

Sipas ministrit Haxhinasto, totali i vlerës së kontratës për ndërtimin e rrugës zëvendësuese Banjë-Gramsh llogaritet 33 milionë euro.

Ndërkohë, ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, duke vlerësuar bashkëpunimin me kompaninë Statkraft, u shpreh se ndërtimi i rrugës shërben si nyjë lidhëse mes Gramshit dhe Elbasanit.  Ai vlerësoi se planifikohet edhe ndërtimi i rrugës që lidh Gramshin me Korçën.

Gjatësia e rrugës do të jetë 15 .3 km, nga ku 11,7 km do të zëvënndësohen tërësisht dhe 3.6 km do të rikonstruktohen.
Rruga do të kalojë përgjatë rezervuarit në 176.50 m do të përmbajë 13 ura në total me gjatësi rreth 1685 metra.

Urat kryesore janë ura e Kacivellit, 520 metra, ura e lumit Oltë 300 m, dhe ura afër fshatit Drizë 190 metra.

Afati i punimeve sipas kontratës llogaritet 14 muaj. Në total buxheti i Ministrisë së Punëve Publike për 2015-ën do të jetë 43 miliardë lekë, që do shpenzohen kryesisht në ndërtim rrugësh dhe ujësjellësash.

Hidrocentrali në lumin Devoll është një nga investimet më të qëndrueshme të kompanisë ndërkombëtare, “Statkraft” për prodhimin e energjisë së rinovueshme dhe është investimi më i madh jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon.

Ky investim do t’i garantojë vendit tonë një rritje të prodhimit të energjisë elektrike me rreth 20%.

Në bazë të kontratës së koncesionit, autoriteti kontraktues, që sot është Ministria e Energjetikës dhe Industrisë, është përgjegjësi i vetëm me shpenzimet e tij për ndërtimin e infrastrukturës zëvendësuese në lidhje me projektin e Devollit.

Kompania norvegjeze Statkraft ka marrë përsipër ndërtimin e infrastrukturës rrugore zëvendësuese gjatë zbatimit të projektit të ndërtimit të HEC-eve mbi lumin Devoll. /gj.k/

3 komente në “Nisin punimet në aksin Banjë-Gramsh/ Haxhinasto: Zhvillim për zonat”

  1. Epiriíiiiiiii says:

    Gjith ky Publicitet per. 15km Rruge qe fare mir mund ta Ndertoje edhe 1 Privat, cfar turpi, ku jemi katandis thua se po bejne autostrat me 4korsi, kur ne te vertete bejne 1 rruge 5m te gjere ku me veshtirsi shkembehen 2Gomer te ngarkuar me dru. Shtet legen pa pik dinjiteti qe pranon te tilla publicitete.

  2. liu says:

    Po shoqeroheni lajmin edhe me nje projekt qe te kemi idene se nga do kaloje kjo rruge!

  3. Gezimi says:

    More, ky Haxhinasto me duket nje nga ministrat me te cuditshem te ketyre 10 viteve. Jo me larg se para 5 muajsh premtoi se, ne pranvere te 2015, do te mbaroje autostrada Tirane – Elbasan. Jam deshmitare, ashtu si mijra te tjere, se puna aty eshte krejtesisht e nderprere. Arsyet nuk i di, dhe ky minister as nuk denjon ta shpjegoje kete fenomen. Pranvera po troket, dhe as qe mund te behet fjale per perfundimin e ketyre punimeve. Pse, vetem ky qenka per titullare ministrishe (ne kohen e Saliut ka qene Minister i Industrise dhe i Energjitikes si dhe Minister i Puneve te Jashtme), dhe Shqiperise i mungokan specialistet dhe njerezit e zote? Ec, e veri emrin kesaj pune. Shpresoj te jem i gabuar ne keto llogari, por realiteti duket sheshit. Ky nuk ka fare bese!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje