Kunati shfleton shënimet që ka mbajtur Dr. Halimi për hallet e popullit

16 Maj 2015, 20:02Antena TEMA

Tani që fushata ka nisur me intesitet të lartë, Kunati është gjendur papritur para një praktike të re të doktor Halimit për të mbajtur shënime në fushatë dhe për t’ia dhënë Kunatit t’i kthejë në program. Vetëm gjatë kësaj jave, shënimet e doktor Halimit paraqesin një problematikë shumë të gjerë, e cila kërkon përqëndrim të madh.

Kunati filloi të shfletojë shënimet dhe t’i sistemojë.

Shënime

Pyetje për publikun.

– Çohuni ju lutem ju që keni këmishën kafe. Kam një pyetje për ty. Nëse do bëheshe kryetar bashkie, çfarë do bëje?

Përgjigjet burri.

-Unë o. Po ça të bëj unë o burrë. Unë jam shoferi i stafit.

-Po s’ka problem që je shofer, mendo të ishe kryetar bashkie, çdo bëje?

-Ça të them unë mo. Do kisha ble një makinë të re. Ene ajo e Lulit mirë është, po kanë dal ca të reja nam fare.

-Shumë mirë. Ja dhe kjo është një ide e mirë. Makinat e reja e ndosin mjedisin më pak se makinat e vjetra. Të faleminderit, e mbajta shënim.

-Çohuni ju zonjë, si quheni?

-Marjeta quhem, po nuk kam lind me ju.

-S’ka problem. Më thuaj, po të ishe kryetare bashkie çdo bëje?

-Unë çdo bëja si kryetare bashkie…po ku di unë mo, ja do ulsha pak ato çmimet tek tregu. Spinaqi me sallatën mirë janë, po bamjet shumë shtrenjtë, s’ka kuptim. Dhe ato nga toka bëhen.

-Ide shumë interesante. Po e mbaj shënim. Në fakt s’ka pse të jenë më të shtrenjta bamjet, por me siguri nuk ka kush të planifkojë sa duhen mbjell. Do ta shikoj këtë punë. Do bëj një program.

-Ndonjë ide tjetër zonjë?

-Dhe patëllxhanët s’janë aq sa duhet. Lartë janë dhe ato.

-Patjetër do t’i shikojmë dhe ato. Uluni, çohuni ju djalosh. Çfarë do bënit ju sikur të ishit kryetar bashkie?

-Po ça me bo, ku rrihet këtu mor burrë. Me më dhënë një vërtetim që më ka rrah Florenc Hoxha, të marr azil në Gjermani.

-E ke shumë gabim. Ne duhet ta ndërtojmë të ardhmen këtu. Më kërko një gjë që ka lidhje me qytetin. D.m.th çfarë do bëje ti, jo çfarë do nga unë.

-Aha, ça do bëjsha unë! Po ja mo, kisha importu nja 200 mijë celularë Samsung kinez me ua dhënë falas të rinjve e me u marr votat.

-Ide origjinale, shënoi doktori, duhet parë e duhet bërë një program.

Pas kësaj, Kunati kaloi tek dita e dytë e takimeve.

Biseda me ambientalistë.

Pyetje:

-Doktor, cila është rrugëzgjidhja për macet e rrugës?

– Ka një zgjidhje dhe për ato. Ndryshe nga qentë e rrugës, macet e rrugës nuk janë agresive, por të këpusin shpirtin kur i shikon. Edhe pse nga origjina macet vijnë nga familja e tigrit, ato janë modeste dhe nuk e demonstrojnë këtë. Kjo është shenjë fisnikërie. Kjo duhet të kompensohet nga ana jonë me një respekt reciprok. Zgjidhja ime është kjo. Do bëjëm databazën e qyetarëve dhe familjeve në Tiranë, do shikojmë deklarimin e pasurisë, dhe kush nuk ka mace, do marrë një mace në shtëpi. Do ta nisim me familjet më mundësi të mëdha ekonomike dhe do shkojmë drejt familjeve me më pak mundësi. Kështu është e sigurt se asnjë mace nuk do ngelet më rrugëve.

Nga ana tjetër, disa mace duhen lënë dhe në rrugë dhe duhen stimuluar të ushqehen me minjtë që dalin nga gropat buzë Lanës dhe bodrumet e Shallvareve, se dhe ata janë shqetësues. Për këtë duhen zgjedhur mace me trup të fort dhe të gatshme për të sulmuar. Jo si disa mace që kisha unë në shtëpi, që bënin vër- vër me njëra- tjetrën, e thashë unë çfarë bëjnë. Ato nga që e kishin bukën e siguruar, bënin dashuri dhe ma mbushën shtëpinë me mace. Ky nuk është model i mirë i mbajtjes së maceve, edhe pse unë e kam bërë nga kënaqësia këtë gjë.

Po e mbaj shënim dhe do ta detajoj si program.

-Kam një pyetje tjetër doktor. Ça mendoni, a i duhet Tiranës një tram, siç është vizioni i Bashës?

-Ju e dini që unë jam origjinal dhe nuk dua t’i servilosem kryetarit. Por Basha u nxitua. Ai vjen nga Holanda, ku tramet janë të zhvilluara. Por ne kemi zgjidhje. Njerëzit këtu duhet të udhëtojnë me taksi. Taksitë duhet të ulin çmimin dhe po ulën çmimin, njerëzit s’kanë pse udhëtojnë me makinat e tyre, po marrin taksi. Ke per të dalë ti përshembull, gjen dhe tre shokë e merrni të katër një taksi. Kështu ulet çmimi dhe rritet efiçensa e transportit. D.m.th shërbimi privat praktikisht kthehet në shërbim publik. Do ta mbaj shënim këtë ide dhe do ta bëj realitet.

Kunati u trash nga gjithë shënimet dhe po numëronte ditët në kalendar.

-Pu pu pu, tha janë akoma dhe gati 40 ditë fushatë. Si do t’ia bëjmë?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje