Kunati i kërkon llogari Pollos pse dështoi fotoja me Merkelin

8 Korrik 2015, 20:12Antena TEMA

 

Të gjithë jemi në dijeni të planit të Kunatit për të kapur një foto të Lulit me Merkelin. Pollo e kishte bindur se kishte folur me deputetët e Merkelit dhe ata e kishin siguruar se një foto do ta bënte.

Për këtë u vendos që rasti t’i jepej tek Forumi shqiptaro-gjerman, ku Pollo kishte për detyrë të siguronte një vend afër të Lulit dhe t’i bënte me shenjë dikujt nga stafi se kush ishte Luli.

Dhe kështu u bë.

Pollo hyri pak më parë se Luli në sallë, u hodhi një sy vendeve dhe pa që vendi i Haxhinastos ishte më i përshtatshmi. Si njeri që e njeh këtë zanat, Pollo u afrua me marifet, hoqi emrin e Haxhinastos, e mbajti pas dhe vuri emrin e Lulit.

Luli u ul aty ku i tregoi Pollo.

Minutat kalonin dhe Luli priste që Merkel t’i hidhte sytë. Asgjë nuk po ndodhte. Shikonte nga Pollo. Ai i shkelte syrin dhe i bënte shenjë për dikë nga stafi. Më në fund Merkel u ngrit dhe iku. As kokën nuk e ktheu fare.

Kunati i xhindosur thirri Pollon të jepte shpjegime.

-Jam nxituar unë, – tha Pollo. Unë po ia bëja me shenjë nga vendi ku ishte ulur Luli. Por gjermani është i përpiktë dhe mendonte se aty ishte Haxhinasto. Këta paskan pas një problem me një gjerman në Portin e Durrësit dhe e mbajnë inat, ndaj nuk donte ta takonte.

-Po pse nuk ia shpjegove? – i tha Kunati.

-Ia shpjegova, po ia shpjegova keq, – tha Pollo. I çova një sms. I thashë nuk është Ministri i Transportit të socialistëve, por ish Ministri i Transportit i Doktor Berishës.

-Aha, qenka kthyer tek vendi i krimit, – tha ai. Dmth është ulur tek karrigia 220 milionë euroshe.

-E ke gabim, – i thashë. Ato janë akuza që drejtësia nuk i ka provuar dot.

-Dakord, – më tha. Kancelarja do lërë porosi për reformën në drejtësi. Nuk merresh dot vesh me këta gjermanët. Na u bë lëmsh, iku ajo punë tani.

Sidoqoftë ai më tha, që nëse Luli ka ndonjë mesazh specifik për kancelaren mund të ma dërgosh, se ia jap unë.

-Shumë mire, – tha Kunati. Çoji urgjent zbulimin e fundit që ka bërë Luli, sesi janë manipuluar zgjedhjet. Dyshja Rama-Meta kanë droguar fëmijë me hashashin e lejuar në çdo fshat të Shqipërisë. Skema ka funksionuar kështu. Të shtunën në mbrëmje, në gjithë Shqipërinë, dyshja Rama-Meta ka shpërndarë hashash tek fëmijët e demokratëve dhe ata pasi kanë pirë hashash u kanë vjedhur kartën e identitetit prindërve. Kur demokratët janë çuar në mëngjes të shkojnë të votojnë, kanë konstatuar se nuk kanë karta identiteti. Kanë kthyer shtëpitë përmbys por s’i kanë gjetur. Në mbrëmje kartat janë kthyer në shtëpi. Kjo ka bërë që 170 mijë demokratë të mos shkonin dot të votonin. Këtë e bëjnë, që të thonë se këta demokrat janë të zhgënjyer nga unë. Në fakt ata janë peng i dyshes Rama-Meta, që u kanë droguar fëmijët dhe nuk i lejojnë të shkojnë të votojnë. Këtë mesazh çoja patjetër.

-Ia çoj menjëherë, – tha Pollo, por bie pak në sy për keq, pasi duket që vetëm pleqtë kanë ngel me PD-në, të rinjtë na i ka marrë mafia.

-S’ke çi bën, është krim në familje, – tha Kunati. Këta i kanë rritur shumë shifrat.

-Do provoj t’ia përcjell, – tha Pollo, por më siguroni që nuk do ndëshkohem për këtë që ndodhi me foton.

-Atë e ka në dorë Këshilli Kombëtar, – tha Kunait, por do flas unë me Odetën.

2 komente në “Kunati i kërkon llogari Pollos pse dështoi fotoja me Merkelin”

  1. SPECIALISTI 8 says:

    O KUNAT MORE KUNAT QE NA LE PA BERE FOTON E MADHE SE PASTAJ KISHIM DHE
    GOJE PER TU ANKUAR, SE DHE FOTOGRAFIJA E MERKELIT, NA DHA TE DREJTE PER
    ZGJEDHJET E HUMBURA, DHE NUK KEMI PSE TE JAPIM LLOGARI NE PARTI . POR NUK E DI SHQIPEN LULI SE PRANDAI QUHET KUNAT OSE KU-NATA DHE JO KU -DITA. KJO E KA HALLAKATE PAKE POLLON E LULKEN.

  2. shkelqesia says:

    Ky artikull eshte per revisten Hosteni, jo per Gazeten Tema. I bukur po pa vend.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje