Kunati i mahnitur me llogaritë e Kaçit

1 Korrik 2015, 19:17Antena TEMA

I vetmi që arriti t’ia kthejë humorin në vend këto ditë Kunatit, ishte Kaçi. Ai kishte përgatitur me kujdes një sërë grafikësh, ku me fakte kokëforta tregohej se Luli kishte fituar.

U ul në zyrë të tij dhe filloi t’i shpjegonte bashki më bashki.

E fillonte një herë me rezultatin aktual të së majtës. Pastaj me rezultatin aktual të së djathtës. Bënte diferencën. Ishte goxha e madhe në favor të së majtës. Merrte 2011-ën. Nxirrte rezultatin e së majtës. Pastaj të së djathtës. Bënte diferencën, dilte goxha e vogël.

Këtu fillonte shpjegimi.

-Injoroi mandatet që kanë dalë 45 me 16. Nuk kanë rëndësi, i tha Kaçi.

-I injorova, tha Kunati.

-Injoro dhe diferencën e thellë që kanë ata në vota më 2015-ën.

-E injorova, tha Kunati.

-Shiko diferencën e vogël që ka qenë më 2011-ën.

-E pashë, tha Kunati.

-Atëherë, dëgjo me vëmendje, tha Kaçi. Mendo një moment sikur këta që ne kishim më 2001 t’i kishim tani dhe nëse ato vota ia hiqnim Ramës tani, ne dalim fitues në shumë bashki, d.m.th jemi të fituar.

-S’e kuptova mirë, tha Kunati.

-Po ta shpjegoj dhe njëherë, tha Kaçi. Tani po të marrim aleatët që kishim më 2011-ën, po jo me votat e 2011-ës po me votat e 2015-ës, dhe ato vota t’ia heqim Edi Ramës e t’ia shtojmë Lulit, ne fitojmë.

-Vërtetë, tha Kunati?

-Vërtetë, i tha Kaçi.

Kunati fluturoi nga gëzimi dhe iu hodh Kaçit në qafë.

-Na ke shpëtuar, tha, se kemi analizën javën që vjen dhe Luli nuk di si ta shpjegojë fitoren.

-Vetëm kështu shpjegohet, tha Kaçi. Nuk ka rëndësi që kanë 45 mandate, nuk ka rëndësi që kanë prapë 1 milionë vota, atyre po t’u heqim votat që na takonin ne, ata humbasin.

-Jam i qartë tani, tha Kunati. Po ia shpjegoj Lulit dhe po i them dhe Odetës të përgatisë delegatët e Këshillit Kombëtar me këtë tezë.

Ti qenke i madh, tha. Ndaj të mbante afër Edi Rama. Tani po e kuptoj.

-Nuk ma diti vlerën tamam, i tha Kaçi, ndaj ika. Ju të paktën të besoni në çdo gjë që thua. Ai nuk më besonte.

Kunati i gëzuar mori Lulin dhe ia shpjegoi skemën. Luli u bë shumë entuziast. I gëzuar dhe ai mori Rulin.

-E dëgjove të fundit, i tha. Kemi fituar. Nuk ka rëndësi që s’kemi marrë 45 bashki dhe s’ka rëndësi fare që ata kanë marrë 1 milionë vota. Po t’u heqim atyre votat e atyre që dikur kanë qenë me ne, ata humbasin.

-Jo more, tha Ruli! Qenka llogari e paparë. Po kush e bëri?

-Kaçi, i tha Luli gjithë triumfalizëm.

-Mos, i tha Ruli! Po me këtë kriter, i bie që ta llogarisim Kaçin nga Ed Rama dhe na ikën ideatori i fitores.

-Po ç’rëndësi ka kjo, tha Luli. Rëndësi ka që paskemi fituar.

-Po ti na paske lodhur kot në fushatë, i tha Ruli. Ti me Kaçin të kishe folur që para zgjedhjeve dhe kishim ndenj rehat. Do na e sajonte një fitore ai, sido që të qe puna.

5 komente në “Kunati i mahnitur me llogaritë e Kaçit”

  1. Gopisti i NSHRAK-ut says:


    Nuk mbaj mend
    Nga është kunati
    Nga Rexhini
    A Progonati.

    Me Kaçin
    Që kaq e pati
    Do pësojë
    Si veshgjati.

    Nuk ja mbajmë
    Mend fytyrën
    Dini gjë
    Ku do ket zyrën?

    Se Lulja
    Iku e vate
    Si keci te
    Bekshiu i Brate.

    More mend
    Te Kaçi Ziu
    Do kthesh paret
    Te Vebiu!

    P.S.
    Mero kunatin
    E merove
    Po dhe piktorit
    Dy saçme ja çove; -)

    ~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~
    ~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~

  2. "BALASHI" says:

    Eshte nga Rexhini… Po ti je i papare, pikerisht per humorin dhe vargun qe shkon nga tre ne pese rrokje, ‘ ka eshte shume e veshtire… Bravo!

    1. Gopisti i NSHRAK-ut says:


      @ BALASHI

      FLM, BLESS U

  3. Caci says:

    Me politikane si Kaci, Tushaj,Imami,Pollo, Celami apo dhe te tjere, populli do te jete kurdohere ne krize dhe ngaterresa vrastare.Me cudit fakti qe, ne qytetaret e ketij vendi, nuk kemi kuptuar akoma se, e keqja e madhe na vjen nga keta politikane semaforesh qe, ndizen sa here ka nevoje jo P.D.-ja por komunisti besnik Sali Berisha. Fatkeqesi per ne qe, nuk kuptojme qe duhet ti largojme keta tipa nga politika qe te shpetojme nga endrrat e frikeshme, te cilat i shofim me shume diten se sa naten.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje