Kunati përgatit raportin për ODIHR: Ja si na sabotuan debatikasit

9 Korrik 2015, 20:12Antena TEMA

Pas fjalës së Lulit në Grupin Parlamentar, ku u zbulua e vërteta e humbjes së rreth 200 mijë votave nga koalicioni opozitar, Kunati iu fut punës të hartonte një raport të detajuar për misionin e ODIHR, sesi dyshja Rama-Meta kanë krijuar skemën e bojkotit të zgjedhjeve.

Të nderuar vëzhgues të zgjedhjeve!

Partia Demokratike ka hetuar dhe më në fund ka verifikuar një lojë të shëmtuar, një skenë të rrezikshme mafioze që shpjegon më së miri përse njerëzit tanë nuk dolën në votime.

Klajdi, një djalë 18 vjeçar i papunë, rrinte gjithë ditën në lulishte tek Komuna e Parisit dhe pinte kafe me lekë borxh. Një ditë iu afrua një veprimtar i LSI-së dhe i pagoi kafetë. E bëri këtë dhe ditën tjetër. Kështu u miqësua me Klajdin. Kur mori vesh që Klajdi kishte një muaj që s’paguante kafen, ia pagoi të gjitha.

Klajdi ishte shumë mirënjohës ndaj tij.

-Çfarë do të bëj për ty, i tha Klajdi?

-Asgjë, i tha. Por, po munde heto pak në shtëpi ku i mban kartat e identitetit babi dhe mami.

-Çfarë duhen, i tha Klajdi? Merren lekë në bankë me to?

-Jo, jo na duhet t’ua marrësh të shtunën dhe t’ua kthesh të hënën.

-Po përse duhen, nguli këmbë Klajdi?

-Po ja, ata me siguri janë të mërzitur me qeverinë se ti s’ke punë. Po t’u marrësh kartat ata s’kanë si të votojnë të dielën. Ndërkohë ti ma ke la borxhin, po e bëre këtë.

-Ça thu mo burrë! Unë të sjell dhe kartën e vëllait, të motrës dhe të gjyshit, i tha Klajdi.

Dhe kështu veproi.

Pesë votues të sigurtë të opozitës u humbën nga ky veprim. Po a e dini sa njerëz si Klajdi rekrutoi mazhoranca?

Me qindra mijëra. Ata bën të mundur që rreth 170 mijë njerëz nga tanët të mos shkonin të votonin.

Ky është një veprim mafioz që ne e denoncojmë me forcë, pasi nuk tregon vetëm për manipulimin e votave, por dhe krizën e familjeve shqiptare.

Së pari, kjo tregon krizën e familjeve shqiptare. Këta debatikas, që i ka rekrutuar mafia Rama-Meta, janë të paedukatë dhe dhunues të prindërve të tyre, që donin të votonin për PD-në. Po t’i shohësh nga mosha, këta kanë lindur nga viti 1997 deri më 2001, kur qeveritë socialiste Meta, Majko, Nano ishin në fuqi. Kjo tregon se këta fëmijë të lindur gjatë sundimit të parë socialist, janë rritur si debatikas dhe tani po kthehen në problem për prindërit e tyre seriozë demokratë. Me këtë gjest dyshja mafioze Rama-Meta, e kanë çuar krimin elektoral deri në familje.

Së dyti, kjo tregon se PD-ja ka elektorat të pjekur dhe të qëndrueshëm, kurse PS- LSI kanë elektorat të papërgjegjshëm të rinjsh. Elektorati ynë serioz nuk ka pasur mundësi të votojë nga ky skenar i tmerrshëm, por aman as janë shitur, as janë blerë. Ata kanë qëndruar në shtëpi.

Së treti, përdorimi i fëmijëve për t’u vjedhur kartën e identitetit të prindërve, nxit vesin e vjedhjes dhe do të rrisë një brez të korruptuarish, që do zhvasin Shqipërinë. Kjo i shkon për shtat dyshes Rama-Meta, por Partia Demokratike nuk do ta lejojë të ndodhë.

Partia Demokratike kërkon nga misioni i ODIHR, ta dokumentojë këtë mekanizëm mafioz të manipulimit të zgjedhjeve dhe të dëshmojë se ky fenomen u shfaq në së paku 170 mijë raste. Nëse nuk do të kishte ndodhur kjo, atëherë ne do të kishim rritje si PD.

Kërkojmë nga misioni i ODIHR, që për shkak të këtij manipulimi të zbresë nga llogaria e votave gjithë votat e 18 deri 21 vjeçarëve, të cilët kanë votuar PS-në, të joshur nga korruptimi që ata u bënë duke u vjedhur prindërve kartat.

Me Respekt,

Kunati”

1 komente në “Kunati përgatit raportin për ODIHR: Ja si na sabotuan debatikasit”

  1. Ani Jaupi @ Aulona Musta says:

    Debilat qe mendojne si Luli, Go home hollandez!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje