Kunati harton raport sekret, mbi vjedhjen e vilës së Flamurit dhe Ristanit

28 Korrik 2015, 18:29Antena TEMA

Lajmi për vjedhjen e vilës së Ristanit dhe Flamurit e vuri në mendime Kunatin. Në pamje të parë dukej diçka ordinere, por pas saj fshihej diçka e thellë, politike dhe e qëllimshme. Gjithçka u bë e sigurt, pasi u mor vesh se vila e tretë e vjedhur është e Saimir K. Inspektor i Përgjitshëm i SHIK-ut, po ashtu njeri i afërt i Doktorit.

Pista e parë, mbetej fakti që Ristani dhe Noka kanë denoncuar javën e fundit pasigurinë në vend për shkak të mungesës së rendit. Ka shumë mundësi që qeveria ka paguar disa hajdutë tu vjedhin shtëpitë dhe t’i frikësojnë me qëllim që tu mbyllin gojën. Kjo është pista që e mendojnë të gjithë. Po t’i shtosh faktin, se Antena një ditë më parë e përmendi vilën e Ristanit si vend i mundshëm ku mund të strehohej Presidenti, kjo bëhet dhe më e besueshme.

Por për të qenë të saktë, Kunati i thirri një nga një në intervistë për të zbuluar dhe sendet e vjedhura.

I pari i raportoi Ristani.

-Për mua është vjedhje me karakter politik, filloi Ristani. Ata kanë vjedhur diçka pikante dhe të dashur për mua, që ka vendosur shumë për të ardhmen time në politik. Fakti që ata kanë vjedhur pikërisht atë dhe jo lekë apo sende të tjera me vlerë që ka në shtëpi, tregon se kanë qenë të qartë dhe të mirorientuar.

-Çfarë ishte sendi që të vodhën, që e ke kaq shumë merak? – i tha Kunati.

-Ata më kanë vjedhur një celular të rrallë, që unë e ruaja me shumë kujdes dhe e merrja me vete sa herë ikja nga Tirana për të qenë i sigurtë. E kisha fiksim që një ditë do ma vidhnin dhe ja ku ndodhi. Kjo është dita që ndihem më keq në jetën time. Ndihem si pa rrënjë, pa motiv, pa një gjë të çmuar që i jepte kuptim jetës sime.

-Po ti ke dy celularë të tjerë, çfarë po të dhimbset aq shumë ai? – i tha Kunati.

-E ke gabim, – i tha Ristani. Ai nuk ishte thjesht aparat celular. Po të jetë për apparat, këta që kam tani janë shumë më të mirë. Ai ishte gjithçka që më ka bërë mua sot, ky që jam. Problemi është se ai tani është në duar të dyshes Rama-Meta dhe kjo do më kushtoj shumë.

-Çfarë ke ndonjë video porno? – e pyeti Kunati.

-Jo, jo, s’i mbaj në celular ato se s’jam çmendur. Është diçka që i ka dhënë kuptim jetës sime. Është celulari im i përdorur në Maj- Qershor 2011 kur isha në KQZ. Aty zë fill gjithë jeta ime. Telefoni ruan në memorie telefonatën e parë nga Doktori në telefonin tim. Nuk më kishte telefonuar kurrë gjithë jetën. Më 10 maj më telefonoi për herë të parë dhe e ruaja pa e fshirë nga historia e telefonit. Pastaj filluan sms-të me të, udhëzimet si t’ia bënim për dhjetë votat e Edi Ramës që kishte dalë para, si ta anulonim rezultatin, si të kërkonim vota në kutitë e tjera etj. Kurrë se kisha besuar se një ditë do bëhesha kaq i afërt me atë njeri, që dukej sikur nuk më donte. Por aty e kuptova se shokët e mi më kishin izoluar nga ai dhe më kishin mbajtur larg. Aty e kuptova, se ai në fakt kishte kohë që kërkonte dikë si unë.

-Qenka e rëndë, – tha Kunati. Më preke. Nuk e dija që ishte kështu puna.

-Pastaj vijnë telefonat e Lulit, falenderimet e pafundme të tij dhe mesazhi i tij ditën që i dhashë mandatin. “Unë nuk do ta harroj kurrë këtë që bëre për mua dhe do të ta shpërblej shumëfish”. Fal atij mesazhi dhe atyre mesazheve sot jam në politik, në parlament dhe numri dy i partisë. Dhe të mendosh që e gjithë kjo histori është tani në dorë të dyshes Rama-Meta. Kjo është tragjedi.

-Ke të drejtë, – tha Kunati. Tani po mendoj se qenka vërtet e qëllimshme. Do pyes dhe Flamurin një herë.

-Dhe mua ma kanë vjedhur vilën, – tha Flamuri. Tani dua të sqaroj, se asaj i thonë të gjithë vila ime, por është e një miku, që ma ka dhënë mua prej 4 vitesh. Fakti që ata e dinin që unë jetoja aty, tregon se janë njerëz politik dhe e kanë bërë për arsye politike. Dhe mua më kanë vjedhur vetëm celularin. Kisha një celular që e mbaja nga koha kur isha ministër. Kisha aty gjithë sms-të me Doktorin dhe Lulin muajin e parë që u bë kryetar. Kisha të dokumentuar gjithë sms-të që Doktori më nisi si ta braktisnim Olldashin, pasi për Jozefinën dhe mua do mendonte ai vet. I ruaja se do më duheshin një ditë. Para disa kohësh shkova tek Doktori dhe i thashë që Luli po na lë jashtë liste.

Mos u mërzit, – më tha. I kam thënë unë. Do mendoj unë për ju, nuk iu dal fjale.

Dhe unë shpresoj që Doktori e ka një plan për ne. Sa i takon atij burri, unë s’kam nevojë të kem telefonin për provë se ai e mban fjalën, por më duhej ta kisha për ty dhe për Lulin, tua kujtoja sakrificën që kam bërë për ju.

-S’ka problem. Ne ta njohim sakrificën, – i tha Kunati. Duhet të gjejmë si mund ta keqpërdorin telefonin dyshja Rama-Meta, tani që e kanë në dorë.

-Ndoshta s’i kuptojnë dot sms-të se i kam koduar emrat e telefonit, – tha Flamuri. Doktori e ka “Ai burri”, Olldashi e ka “qorri” kurse Lulit me gallat ia kam shkrujt “b…q..”.

-Nuk më duket zgjidhje kjo, – tha Kunati. Kanë për t’i kuptuar, se ashtu u flet gjithë dynjaja atyre.

Po ky i SHIK-ut ça mund të kishte në telefon? – e pyeti Kunati. Se nuk e njoh nga afër dhe nuk dua ta pyes.

-Ai i raporton Doktorit ca bën Edi Rama që kur është bërë kryeministër. Ai është personi kyç. Mesa duket e kanë identifikuar dhe atë.

-Mirë, – tha Kunati. Tani jam më i qartë. Ata duan të dijnë kush i shërben Lulit dhe Doktorit dhe kanë nevojë të kenë prova. Ju duhet të dëshmoni që nuk trembeni dhe nuk shantazhoheni. Duhet të dilni çdo ditë në mbrojtje të Lulit. Kjo është mënyra më e mirë, që atyre të mos u hyj në punë telefoni që u kanë vjedhur dhe tua kthejnë.

-Shumë mirë e ke, – tha Flamuri. Kjo është rruga e vetme për t’i treguar Doktorit, se ai duhet të mendoj për ne.

1 komente në “Kunati harton raport sekret, mbi vjedhjen e vilës së Flamurit dhe Ristanit”

  1. shoku " Shpati " says:

    Hajt se I ka bere ” resme ” nga lart Harritoja ketyre vilave . Kush mund te me thoje , kush eshte me e rrezikshme , nje vile e bere me parate e krimit apo nje parcele me ashash e nje fshatari ? Jo per gje por meqenese ia hypi kacatorrit nga lart Harritoja !

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje