Më në fund hajdutët që vodhën vilën e Ristanit, Flamurit dhe Saimirit u kapën. Të dy ishin fëmijë me origjinë nga Tropoja. Njëri prej tyre kishte mbiemrin e vjetër që ka pas Doktori para se të bëhej familja myslimane.
Me rrëfimet e tyre në polici, i lanë pa gojë të gjithë. Dy kalamajtë e dinin ekzaktësisht të kujt ishin vilat që kishin vjedhur. Ata treguan me hollësi çfarë kishin marrë në çdo vilë dhe sa vjedhje kanë kaluar pa u kuptuar.
Vilën e një ministri e kishin vjedhur tre here, por ngaqë nuk kishin marrë shumë lekë, ai nuk ishte ankuar ose nuk e kishte kuptuar fare.
Polici: Pse vodhët vilën e Ristanit?
-Donim t’i vidhnim celularin, se na thanë po e vodhët celularin ai është gati tua blej shumë shtrenjtë.
-A kontaktuat t’ia shisnit?
-Po dhe na dha pazar të mirë. Ndryshoi dhe deklaratën. Tha nuk më kanë vjedhur gjë. Pastaj ju na kapët dhe ne si morëm dot lekët.
-Po Flamurit çfarë i vodhët?
-I vodhëm dy celularë dhe një tabelë parkimi për qarkullim rrugor. Ia bëm nga inati, se thoshte lartë e poshtë që nuk kam vilë në Lalëz.
-Cilën vilë nuk keni vjedhur?
-Veç vilën e Sali Berishës s’e kena prek. Më ka thënë baba e kena fis, tha një nga djemtë. Dhe e përshëndesim çdo ditë kur del shëtitje. Një herë na ka shku mendja me e vjedh, kur tha në parlament që nuk kam vilë në Lalëz, por na erdhi pak frikë se tham do na akuzojnë që jemi socialista. Këtë s’do na e falte kurrë baba.
Pasi dëgjoi rrëfimet e të arrestuarëve, Kunatin e kapi paranoja se fëmijët mund të ishin vënë në lëvizje nga njerëzit e Doktorit. Dyshimet e lidhjes mes Ristanit dhe Lulit e kishin shqetësuar gjithnjë Doktorin dhe me sa duket ka pas kuriozitet të shihte telefonin e tij.
Për të kuptuar se ç’mund të kishte ndodhur në këtë rast, pyeti disa deputet të tjerë të PD-së sesi i komentonin vjedhjet.
Jozefina: Duhet me sakrifiku me bë opozitë. Ata janë heronj të vërtet të opozitës, pasi kanë kontribuar me rrit shifrat e vjedhjes dhe krimit në vend. Kësaj i them punë konkrete.
Aldo Bumçi: Nuk e di si përjetohet një vjedhje kur je në opozitë, po mua kur më vodhën makinën kur isha ministër, nuk më bëri shumë përshtypje. Vetëm kur u kujtova që kisha rrobat e fëmijës në makinë u mërzita se më bërtiti gruaja.
Gent Strazimiri: Mafia nuk ka fytyrë tjetër veç kësaj që shohim përditë në parlament dhe natën tek Gjiri i Lalëzit, duke terrorizuar opozitën që fle aty se e kanë zbuar nga Tirana.
Genc Ruli: E para e punës burrat nuk tregojnë si qaramanë që u është vjedhur shtëpia për një celularë. Celularin është keq kur ta gjen gruaja, se po ta gjeti hajduti 20 mijë lekë dëm është.