Rubrika “Antena brenda Familjes”, notë proteste ndaj OSBE-së

14 Shtator 2015, 19:05Antena TEMA

Redaktori i rubrikës “Antena brenda Familjes”, një gjini artistike humori që bazohet tek krijimtaria dhe jo faktet reale të verifikuara, i ka dërguar një notë proteste zyrës së OSBE-së në Tiranë, rreth raportit që i ka rrjedhur në shtyp kohët e fundit.

Në letrën e protestës thuhet:

“Me indinjatë të thellë lexuam raportin tuaj të fundit, i cili është vazhdim i përpjekjeve tuaja për të na izoluar dhe injoruar si rubrikë humori në vend. Me këtë veprim, zyra e OSBE-së në Tiranë tregon se është një zyrë e vogël, meskine dhe e paaftë, e cila ka sjellje inatçore ndaj rubrikës sonë, për shkak se ajo ka pasur personazh ish-ambasadorin e OSBE-së të pagëzuar si “Baba Mondi”, për shkak të pamjes si babaxhan dhe dashurisë së pafund për pijen, për shkak të së cilës ishte gati të shkruante dhe fliste çfarë të doje.

Qëndrimi injorues i zyrës së OSBE-së ndaj rubrikës sonë, duket se bazohet tek kjo marrëdhënie që ne kemi pasur me ish-ambasadorin dhe për këtë, ndjehemi shumë të revoltuar.

Edhe pse gazeta TemA ka rubrika serioze dhe të thelluara mbi faktet që boton, për shkak të pamundësive që ekzistojnë në Shqipëri, më shumë të vërteta të paverifikueshme i themi me humor tek rubrika jonë. Për këtë shkak njerëzit besojnë më shumë ato që themi me humor, se ato që shkruajmë seriozisht.

Për këtë arsye, raporti i OSBE-së duhet ta kishte marrë më seriozisht rubrikën Antena dhe të kishte pasqyruar disa nga të dhënat që ajo ka publikuar, pasi do të kishte shanse të kishte bërë një raport më normal se ai që ka bërë.

Shumë fakte të rubrikës Antena i marrin seriozisht dhe politikanë të rëndësishëm në vend, që nga presidenti, kryeministri, shefi i opozitës etj, dhe reflektojnë ndaj tyre. Kjo rubrikë ka bërë disa persona ministra dhe udhëheqës partie dhe deputetë, me faktet që ka nxjerrë. Për hir të respektit për shtypin, OSBE në Tiranë duhet ta kishte konsideruar atë në raportin e saj.

Me këtë rast na jepet mundësia t’i kërkojmë ndjesë dhe Baba Mondit, personazhit të rubrikës sonë, që ka punuar në zyrën e OSBE-së. Edhe pse ne bënim humor me disa vese njerëzore të tij, si pija apo ushqimi, si dhe me dëshirën e tij për të shkuar në panaire reçeli, arrash apo vere, ai nuk ka bërë lajthitje të tilla.

Të bindur se jemi treguar të padrejtë me të, kur shikojmë që ka dhe më keq, i kërkojmë atij ndjesë të thellë, pasi nuk e dinim që e keqja nuk paska fund. Nga ana tjetër, meqë raporti ka mbledhur gjëra që nuk janë futur tek Antena, jemi të çuditur si kanë harruar jashtë raportit dosjen e gjyqit të Fatmir Mediut në Itali, akuzuar dhe dënuar deri në Apel për favorizim trafikantësh, me dënim katër vjet burg. Atë dosje nuk e kemi botuar tek Antena, por tek pjesa serioze e gazetës, por as atë nuk e keni marrë seriozisht. Pas kësaj jemi të bindur se ju keni qëndrim armiqësor, racist, izolacionist dhe ofendues ndaj gazetës në tërësi dhe rubrikës sonë në veçanti. Kjo dëmton rëndë misionin tuaj për të ndihmuar demokracinë dhe lirinë e shtypit në vend, ndaj ne nuk do të heshtim.

Antena brenda Familjes”.

3 komente në “Rubrika “Antena brenda Familjes”, notë proteste ndaj OSBE-së”

  1. Muzapopullore says:

    Pervec dosjes se F Mediut, kane harruar edhe ate te Fatmir xhafes dhe vellait te tij

    1. Aua ;) says:

      Po vellain e Bylykbashit?

  2. Cufi says:

    Pse ke edhe pjes serioze ti ne gazhalen tema

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje