Raporti i Kunatit për analizën e zgjedhjeve

4 Tetor 2015, 19:53Antena TEMA

Meqë Luli kishte premtuar të bënte një analizë të zgjedhjeve të 21 Qershorit pas këmbënguljes së Doktorit dhe Jozefinës, Kunati gjeti rastin këtë javë që njerëzit janë bombarduar me lajmet për ÇEZ, ta fuste në rendin e ditës. Përgatiti shpejt e shpejt një raport dhe ia la në dorë Ristanit për ta lexuar.

Ja se ç’thotë një pjesë e raportit.

“Zgjedhjet e 21 Qershorit u zhvilluan më 21 Qershor të këtij viti dhe ato ishin zgjedhje për pushtetin vendor. Me zgjedhje të pushtetit vendor nënkuptojmë zgjedhje për bashki, pasi komunat i ka hequr ndarja e fundit administrative e Edi Ramës, që është një ndarje e paligjshme.

Më 21 Qershor u zgjodhën 61 kryetar të rinj komunash, nga të cilët 45 janë socialistë dhe 16 janë demokratë, ose të aleatëve të tyre, por që në tërësi është një fitore e thellë e demokratëve, pasi socialistët mezi i kanë fituar shumicat e këtyre zonave.

Sipas të dhënave tona, armiqtë tanë u detyruan të djersijnë për të fituar në Konispol, Sarandë, Vurg, Gjirokastër, Këlcyrë, Memaliaj etj, që do të thotë se PD-ja u rrit ndjeshëm në jug të vendit, aty ku janë bastionet e socialistëve. Kjo fitore historike e PD-së në jug të vendit, pavarësisht rezultateve, i dedikohet punës së palodhur të strukturave të reja, që nuk kursyen energjitë e tyre në fushatë. Ata u përballën me terrorin policor, me bandat e organizuara dhe presionin e parave të zeza, presion i cili është i papërballueshëm në këtë krizë ekonomike.

Shenja të fitores së qartë PD-ja kishte dhe në Vlorë, Fier e Lushnjë, pavarësisht fitores së thellë formale të kundërshtarëve. Nëse ne llogarisim sa anëtarë partie kemi në këto qytete kryesore dhe sa vota kemi marrë, na rezulton se ne kemi marrë 20 herë më shumë vota sesa kemi anëtarë partie, një fitore kjo historike, që PD e ka arritur nën udhëheqjen e zotit Basha. Në raport me ne, socialistët kanë marrë vetëm 15 herë më shumë vota nga sa kanë anëtarë. Dikush mund të thotë se ata kanë anëtarë shumë dhe ne pak, por kjo nuk është e vërtetë. E vërteta është ajo që është e shkruar, që PD ka fituar në këto qytete 20 herë më shumë vota sesa ka anëtarë, ndësa PS vetëm 15 herë më shumë. Kjo është fitorja jonë absolute.

Një fenomen interesant ka ndodhur në Bashkinë e Durrësit ku kandidatja jonë ka deklaruar se ka fituar zgjedhjet, se votat nuk i janë vjedhur, por i janë tjetërsuar. Ky fenomen i panjohur më parë në politikën shqiptare ka lidhje me mafian e betonit të Vangjush Dakos, i cili ka paguar sipas të dhënave tona, 50 prestigjiatorë si komisionerë, të cilët merrnin votën që ishte pro Gridës, e tregonin tek kamera, e rrotullonin duke i bërë një si nuskë, dhe ajo tjetërsohej tek PS-ja. Ky mekanizëm mafioz mund të arrihet vetëm nga një parti milionerësh, që ka miliona euro të blejë 50 iluzionistë e t’i emërojë komisionerë. Partia Demokratike do të hetojë deri në fund këtë skandal, pasi fenomeni i tjetërsimit të votës në këtë mënyrë është njohur vetëm në Shqipëri dhe vetëm në Durrës. Zërat se këto vota i ka tjetërsuar vet Grida pasi ka marrë ca lekë për të larë borxhet, janë shpifje dhe nuk kanë asnjë lidhje me të vërtetën. E vërteta është se tjetërsimi është bërë nga disa prestigjiatorë, të cilët u kanë hedhur hi syve numëruesve dhe publikut në sallë, duke e tjetërsuar votën. Qëndrimi dinjitoz i zonjës Duma, që nuk fajëson drejtpërdrejt kundërshtarin për vjedhje, është një standard i ri etik i PD-së së Bashës, që duhet të thellohet dhe më tej.

Në Tiranë, ne po ashtu kemi arritur një fitore të thellë, pasi një mjek gjinekolog ka mundur të bëhet figura më popullore e Tiranës për 45 ditë, duke lënë në hije një djalë të ri që ka 12 vjet që merret me politikë. Kandidati ynë sot po udhëheq Komisionin e Dekriminalizimit, i cili do të ketë aftësinë ndryshe nga PS, t’i njohë kriminelët që në bark të nënës dhe t’i dështojë ata.

Në disa rrethe të veriut, PD po ashtu u ngrit ndjeshëm dhe thelloi rezultat e veta. I vetmi shembull i diskutueshëm është Shkodra, ku kandidatja jonë arriti të ruajë distancën e thellë me PS-në, duke bashkëpunuar me Tomën dhe duke humbur një pjesë të PD-së që na shkoi tek PS-ja. Por sidoqoftë rezultati mbeti ai që pritej.

Kjo pra të dashur miq është një panoramë e suksesit të madh të PD-së më 21 Qershor, rezultat që pritet të përsëritet në zgjedhjet e vitit 2017″.

3 komente në “Raporti i Kunatit për analizën e zgjedhjeve”

  1. XIKE LAFSHA says:

    Hahaha. Fitore edhe ne humbje. Ky eshte super mashtrues. Edhe si kamarier, ta fuste daten ne fature dhe ti se kuptoje fare. Eshte 1 per rrena.

  2. edi says:

    hahahahahahaha Grigja SUMA betonierja ndertusja hajdute e land jevgjitit baxhella e pleqve po cfar te fitoj nje e till shtremsir.

  3. colja says:

    po per cfare fitore flisne ne shkoder more shoke e miq . ka fitu dashnori i voltana ademit , filip vila i cili po torturon te gjithe punonjesit aktual te bahskise shkoder. ka fitu marreveshja qe voltana beri me tom doshin. harrojeni se do te kishte fitu voltana . ajo eshte nje femen pa pike undyre, thjesht kishte perballe kandidaturen ma te dobet qe ka nxjerr ndonjehere ps. voltana dihet publikisht se erdhi si figure per te largu komplet njerezit e pd, njerezit e berishes, njerezit e kontributeve, kur hiqet kjo si figure kompetente vaj medet. asgja sdin me ba, akoma asnje pune publike, vec lufte me njerezit e lorenc lukes. ku po shkon voltana zoti e din !!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje