Kunati i raporton Doktorit për incidentin në kryesinë e Grupit Parlamentar

26 Shtator 2015, 18:23Antena TEMA

Dua të të raportoj për atë që ka ndodhur në kryesinë e Grupit Parlamentar mes deputetëve dhe Lulit. Mbledhja ishte caktuar në orën 9:00. Luli zakonisht çohet në orën dhjetë dhe mbledhjen e kisha caktuar unë, me shpresë se mund ta drejtoja vetë. Por e pashë që situata ishte e acaruar dhe iu shmanga sherrit.

U mblodhën të gjithë bashkë. Strazimiri kishte vetëm dy çamçakëza dhe ia dha një Ristanit. Të tjerët ngelën. Flamuri theu heshtjen vetëm një herë.

-Kohë e keqe, më duket se do bjerë shi.

Nuk pati përgjigje.

Ristani kontrolloi disa herë celuluarin, po nuk foli. Dërgoi një sms diku, por u kuptua që ia dërgoi Strazimirit se u dëgjua zhurma e sms. U panë sy më sy dhe u mirëkuptuan. Dolën jashtë dhe ndezën nga një cigare.

Majlinda po lexonte diçka në Facebook në telefon. Turfulloi disa herë dhe pyeti se kur do të fillojë mbledhja.

Unë u detyrova të marrë Lulin në telefon.

E mora në telefon, më doli pastruesja. Tani u çua, tha dhe po lan dhëmbët. Po s’ka bërë dush akoma. Unë po i përgatis kafen dhe pak mëngjes. Nuk di çfarë kravate t’i vë me vete, se ishte në siklet se çfarë kravate mund të ketë vënë Doktori, se do që të kombinohet.

-Mirë, i thashë, po shpejt se po e presin.

-E di, e di, më tha. Ia besoj për një orë bëhet gati. Se vonon pak me bojën e flokëve dhe xhelin.

-Po mirë, po i thuaj pak shpejt se po mërziten këta.

-Patjetër, i them unë. Ja për një orë e ke gati, tha.

Nuk dija se ç’tu thosha deputetëve.

-A dini gjë çfarë po presim, i tha Majlinda, Palokës?

-Kryetarin, i tha ai.

-Po ne mund ta bëjmë mbledhjen dhe pa atë, tha ajo.

-Në ansjë mënyrë, tha Paloka, dhe më bëri shenjë të dal jashtë.

Dolëm dhe u konsultuam. Aty ishte dhe Strazimiri me Ristanin, po pinin cigare. U mblodhëm të katër bashkë. Duhet të merrnim patjetër një vendim. Ishte vendimtare për opozitën.

-Unë propozova që Paloka të thoshte, tha kryetari mos të lëvizë asnjë pa mua.

Ashtu vendosëm të katërt.

Hymë brenda dhe Paloka serioz iu drejtua grupit.

-Asnjë mos të lëvizë pa ardhur kryetari. Ashtu ka një punë të rëndësishme.

I bëra prapë telefon pastrueses dhe i shpjegova çfarë u thamë deputetëve, që t’i qetësojmë.

-Shumë mirë, tha pastruesja. Të presin se po pret pak thoin e këmbës së djathtë, se i është rritur shumë.

-Mirë, i thashë dhe i ula zërin telefonit.

-Vjen pas pak, u thashë. Ka një mesazh shumë të fortë për të përcjellë.

Majlinda e humbi durimin dhe u çua në këmbë.

-Ma çoni mesazhin me sms, tha dhe iku.

Plasi nervozizmi dhe tek të tjerët. Pas gjysëm ore ai erdhi. U ul në tavolinë, pyeti çfarë ka ndodhur dhe u bë nervoz.

-S’keni faj ju, tha. Më keni gjetur mua, se të ishte ai burri tani do ishit të gjithë armiq. Po s’keni faj, dhe vazhdoi. I hodhi një sy letrës. Pa ligjin e radhës që do miratohej për shërbimin gjeologjik.

-Siç e shikoni, tha ai, duan të miratojnë një ligj për shërbimin gjeologjik t’u shërbejë interesave të tyre. Unë kam sot një mesazh shumë të fortë dhe të rëndësishëm nga SHBA dhe BE, që nuk duhet ta votojmë këtë ligj, pasi ka të bëj me nëntokën, e cila shfrytëzohet nga kriminelë. Pa u bërë dekriminalizimi nuk ka ligj për gjeologjinë. Tani them të shpërndahemi dhe do të analizojmë ata që munguan. Ata do marrin përgjigjen e merituar. Nuk guxon kush të shantazhojë PD-në dhe mua personalisht”.

Kaq ishte  e gjitha Doktor. Ja thuaj ti, ka faj Luli?

2 komente në “Kunati i raporton Doktorit për incidentin në kryesinë e Grupit Parlamentar”

  1. Il mediterraneo says:

    Hahaha jeni te papare Antena! Rubrike Kryeveper !

  2. eklipso says:

    Bravo atij që e shkruan antenën.
    Është rubrika që lexoj më me qejf në gjithë ahtypin Shqiptar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje