Zbardhet takimi i kardinalit tonë me Papa Françeskun

11 Shkurt 2017, 19:46Antena TEMA

Kardinali shqiptar i kërkoi një audiencë Papa Françeskut.

Papa Francesku i ngarkuar me punë dhe një axhendë të ngjeshur botërore, u zu shumë ngushtë, por kur mendoi pritjen e ngrohtë në Shqipëri, i tha sekretarit të krijonte një orar për audiencën.

-At i shenjtë, i tha sekretari. Më thotë që ka dhe një biznesmen me vete.

-Po ai përse ka ardhur, pyeti Papa?

-Nuk e di, por e ka kërkesë specifike. Kërkon ta bekosh, se e ka ndihmuar në ditë të vështira.

-Po mire, tha Papa, le të vijë dhe ai.

Kështu, filloi audienca e Papës me kardinalin shqiptar.

-Si ndjehesh, e pyeti Papa, tani që je kardinal me periudhën kur ishe besimtar i thjeshtë?

-Atëhere kam vuajtur shumë, i tha kardinali. Isha në burg, pa bukë, pa para, pa shtëpi, pa makinë. Tani jam i respektuar dhe nuk më mungon asgjë.

-Po ju, ju drejtua biznesmenit, përse deshët të më takonit?

-Po desha me më beku, se jam dhe politikan dhe kemi zgjedhjet para. Kisha dhe një kërkesë tjetër, ta them më vonë.

-Unë nuk merrem me politikë, i tha Papa, por meqë ke ndihmuar kardinalin, po e bëj një lutje për ty.

Dhe filloi: Zoti im që je lart në qiell, ma mbro mikun e kardinalit nga çdo e keqe që mund t’i ndodhë, nga të pabesët dhe tradhtarët.

Jepi atij fuqi të bashkohet me të mirën dhe shpresën, bëje atë të ndjehet me shpresë në këtë botë… Amin.

-Jo mo burrë, i tha biznesmeni, se s’guxon njeri të më bëjë keq mua, por dua të di a vlen kjo lutja jote për komisionin e dekriminalizimit.

-Çfarë është ky Komision, pyeti Papa?

-Po ja, diçka si këto rrëfimet që bëhen në Kishë, kur ke bërë mëkat.

Ideja është që ke bërë ndonjë gjë në të shkuarën dhe për t’u pastruar, thua që i jam rrëfyer Papës, ndaj nuk ua kam treguar.

-Biri im, Kisha jonë fal çdo mëkat po u rrëfeve, dhe unë mund të ta fal, po më tregove çfarë i ke bërë kardinalit që të ka marrë me vete në takim.

-Asgjë At, i tha biznesmeni. I bleva një makinë dhe një shtëpi, dhe më tha të çoj tek Papa. Tani më thuaj çfarë do ti, që të më bekosh.

-Asgjë biri im. Ti marrësh prapë makinën dhe shtëpinë kardinalit, se ndryshe nuk ja fal Zoti mëkatin.

-Ati i shenjtë, mos ma merr për ters, i tha biznesmeni, por më ka ardh shumë zor kur të kam pa që ikën me autobus në punë.

Nuk kemi vdekur ne, të vuash ti rrugëve.

-Biri im, unë nuk vuaj kur iki me autobusë, por kur shikoj njerëz që nuk kanë para as për autobusë.

Prandaj nëse do të të bekoj, më provo se je gati të bësh sakrifica në emër të Zotit.

-Gati jam At, i tha biznesmeni.

Më thuaj sa para do, të bëjmë një foto bashkë, dhe hap gojën çfarë do, po ma solle Zotin  të kem dhe me atë një foto para zgjedhjeve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje