Debati për listat publike të votuesve të PD, ka pasur si argument kryesor faktin që lista do të binte në dorë të Edi Ramës dhe do masakroheshin anëtarët e PD.
Për ta çuar deri në fund këtë skenar, Kunati ka përgatitur një maskë për ditën e votimit.
Votuesi para se të hyjë në oborrin e qendrës së votimit, do të vendosë maskën, do marrë fletën e votimit dhe do të votojë.
Maskën do ta heqë kur të dalë në rrugë jashtë kamerave.
Arsyeja është se Edi Rama ka angazhuar disa kamera me logo televizioni, të filmojë çdo votues dhe pastaj të analizojë se kush është ai, dhe ta persekutojë.
Ndaj Kunati i ka kushtuar kujdes të madh kësaj pjese, me qëllim që PD të ruajë ilegalitetin e saj.
Por nga ana tjetër, kjo ka ngjallur dyshime se mos votuesit e Selamit votojnë disa herë, duke siguruar karta anëtarësie, ngaqë Komisioni nuk ka shans t’u shikojë fytyrën.
Për të zgjidhur këtë ngërç, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në PD, kryesuar nga Jemin Gjana, do të bëjë pyetje shtesë për votuesin, nëse ka pasiguri nga Komisioni.
Pyetësori shtesë përmban disa pyetje prej të cilave kuptohet se votues i kujt është ai që voton.
Për shembull, nëse dyshohet se është votues i Selamit, ai do pyetet: Pse humbi PD në referendumin për Kushtetutë në vitin 1994.
Nëse është votues i Selamit, ai do thotë me siguri që shqiptarët u trembën nga pushteti i Berishës.
Nëse është votues i Lulit, ai do thotë që referendumi u sabotua nga armiq të brendshëm në PD.
Në rast se dyshohet se votuesi është i paguar dhe nuk është anëtar i PD, ai do pyetet: Çfarë mendoni për kompaninë VEFA?
Nëse është votues i Lulit, do thotë që ishte kompani e mirë, po i ra më qafë shteti, nëse është votus i Selamit do thotë që ishin firma piramidale që donin të gënjenin popullin.
Në rast se dyshohet se votuesi mund të jetë infiltruar nga Sigurimi i Shtetit, ai mund të testohet: A di gjë kujt i përkasin pseudonimet “I vogli” “Qukapiku”, “Pencilina” etj.
Në rast se është votues i Selamit, ai do thotë ish- anëtar i kryesisë së PD, nëse është votues i Lulit, do thotë që janë shpifje të Partisë së Punës.
Do ketë dhe pyetje të tjera testuese rreth të ardhmes së PD dhe Doktorit.
Pas kësaj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do kujdeset që dhe lista e votimit të mos bëhet publike.
Ajo nuk do t’i tregohet askujt, por vetëm do shpallet rezultati.
Hapja e kutive nga ana tjetër, ndalohet, pasi mëson sekretin armiku dhe përçan partinë.
Po ashtu, rezultatet sipas degëve, nuk do tregohen, se përçahen degët.
Të gjitha masat po merren që procesi të zhvillohet në ilegalitet të plotë dhe armiku të dëgjojë vetëm rezultatin e zgjedhjeve. Dhe aty të plasë nga marazi.