“Lista e zezë” e Ramës, ka ngjallur shumë reagime.
Shumë njerëz po e shajnë si populist që imiton periudhën e revolucionit kulturor kinez, të tjerë e lavdërojnë që po sulmon të korruptuarit.
Por më origjinal është treguar Kunati.
Ai ka marrë listën e Ramës dhe e ka postuar në profilin e vet, shoqëruar me një shënim:
“Për të gjithë ata që më akuzojnë mua si të korrruptuar, mund të shikoni se nuk jam si i tillë as për kundërshtarin tonë më të madh.
Ndaj merrini fjalët mbrapsht.
Fakti që populli shqiptar nuk ka drejtuar gishtin mbi mua, por mbi drejtorë të Edi Ramës, tregon se të gjithë ata që kanë shpifur për mua, sot kanë ditën të kërkojnë ndjesë dhe të ulin kokën.
Siç e patë, në listë mungonte dhe Luli dhe gjithë stafi ynë i ngushtë.
Kjo tregon dhe njeherë se më 25 qershor nuk është pyetur populli shqiptar, por mafia dhe njerëzit që kanë shitur votat.
Tani që pas zgjedhjeve Edi Rama po pyet popullin shqiptar, rezulton se unë jam i pastër dhe populli na ka votuar ne si të pastër.
Pas publikimit të kësaj liste, ne kemi të drejtë të kërkojmë anullimin e zgjedhjeve dhe t’i bëjmë thirrje shqiptarëve të votojnë hapur, pasi ata në kuti të votimit në dhomë të fshehtë, i kap frika dhe gënjejnë.
Vetëm kur u kërkohet votim i hapur, si ky që po bën Edi Rama, shqiptarët thonë të vërtetën.
Nga ana tjetër, më vjen mirë që Edi Rama më në fund u dorëzua përball Doktorit dhe pranoi dhe ai të qeverisë përmes “qytetarit digital”.
Institucioni i “qytetarit digital” është një koncept opozitar dhe Edi Rama me këtë tregoi se është në opozitë me partinë e vet dhe aleatët e saj.
Njësoj si Doktori, ai tani do operojë më tej përmes “qytetarit digital”, i cili do t’i raportojë atij për vjedhjet, grabitjet dhe korrupsionin, dhe Rama do t’i çertifikojë.
Kjo i bën të panevojshme gjykatat, Prokurorinë, dhe teorinë e Ramës për të bërë shtet.
Nëse Rama ja arrin të bëjë një “republikë digitale”, si kjo që ka filluar të ndërtojë, koncepti i shtetit do të ndryshojë, nga një institucion i prekshëm, në institucion virtual.”
I pari komentues poshtë postimit të Kunatit ishte ish- deputeti Ruli.
Ai shkruan: Zoti Kunat. Më mire të kishe hyrë tek ajo listë virtuale dhe të quheshe hajdut i Ramës, se se ka hyrë në gojën e gjithë PD dhe quhesh hajdut i Lulit.