Pas shumë debatesh mes deputetit Murrizi dhe gazetarëve që kundërshtojnë Lulin, Kunati u detyrua të bëjë një sqarim për publikun:
“Të dashur demokratë!
Ditët e fundit jeni njohur me një sërë sulmesh të pabesa të disa gazetarëve ndaj deputetit Murrizi.
Sulmet janë të pacipa dhe të studiuara me kujdes, pasi gazetarët kanë pikasur që Murrizi është gjaknxehtë.
Duke u nisur nga fakti që Murrizi ka sharë një policë në autostradë me fjalë të pista, në gjaknxehtësi e sipër, pasi ishte koha e çadrës dhe demokratët ishin të stresuar, këta gazetarë të ulët e kanë provokuar atë me lloj- lloj epitetesh dhe ai u ka kthyer reston.
E para, ata i përfolën Murrizit drekën që bëri në Divjakë.
Ai është investuar për atë drekë, ka shpenzuar, ka siguruar lokalin dhe kishte siguruar të mos kishte mushkonja, kur në vend të tyre u shfaqën mushkonjat e medias anti-Luli, që helmuan drekën dhe i shkaktuan strese deputetit.
Dhe natyrisht ai i trajtoi si mushkonja të bezdisshme
Pas kësaj, ata e krahasuan atë me shalqin, duke e quajtur “deputeti i shalqinit”.
Ky etiketim është i ulët, pasi kërkon të krijojë idenë se shalqinjtë sivjet janë me pesticide dhe e kanë zemrën e kalbur.
Kjo e ka prekur shumë deputetin dhe ai u është kthyer ashpër, për të treguar se ai ka zemër demokrati të vërtetë.
Ata po ashtu e kanë provokuar deputetin Murrizi, duke e trajtuar si sekser të Lulit për të blerë vota demokratësh në zgjedhjet e 22 korrikut.
Kjo është e shëmtuar, pasi blerja e votave është një fenomen që nuk ka lidhje me PD, por me kundërshtarët e saj.
Por kryearsyeja që ai ka reaguar aq ashpër, ka të bëjë me faktin se deputeti Murrizi kërkon të ndalojë spekullimet se për sulmet ndaj tij, ata gazetarë kanë dhe miratimin e Doktorit.
Murrizi do që kjo punë të ndahet një herë e mirë.
Doktori duhet të dëshmojë nëse është, ose me Murrizin, ose me ata.
Për këtë shkak ai ka reaguar shumë ashpër, me qëllim që Doktori të ndërhyjë në këtë debat dhe t’i japë të drejtë një pale.
Ky do jetë një test dhe për zgjedhjet e datës 22.
Me kë do bëhet Doktori në këtë debat, me atë do jetë dhe në zgjedhje.
Fakti që Doktori po hesht, e ka detyruar Murrizin të vazhdojë debatin qoftë dhe me fjalor vulgar, për t’u treguar atyre djemve se Doktori nuk do t’ia dijë.
Ne jemi të detyruar të mbrojmë deputetin Murrizi, pasi ai nuk po sulmon gazetarët për nevoja të tij, por për nevoja të Partisë Demokratike.
Ai kërkon të ndajë shapin nga sheqeri dhe t’i japë fund një herë e mirë lojës me dy porta, pasi gazetarët duhet të jenë ose me Lulin, ose kundër Lulit.
Dhe në këtë mes, Murrizi po jep një kontribut me vlerë për t’u qartësuar gjërat.
I juaji, Kunati!”