Kunati gjeti më në fund sot një grimë entuziasmi.
Doktori kishte bërë disa llogari që e nxirrnin Edi Ramën humbës.
Sipas Doktorit, dy milionë e 700 mijë njerëz, nuk e kanë votuar Edi Ramën.
I lumturuar nga kjo, Kunati ndërtoi një mesazh të thjeshtë, dhe ua nisi gjithë demokratëve:
“Të dashur demokratë!
Se si ishin zgjedhjet e 25 qershorit, tani e di gjithë bota.
Po ta shikosh çfarë ka ndodhur me zgjedhjet, e kupton se nuk ka rëndësi kush ka votuar kë, por kush nuk ka votuar. Ata që nuk kanë votuar janë më të rëndësishëm, pasi ata kanë shprehur refuzimin e tyre ndaj këtij realiteti.
Votuesit që nuk i kanë dhënë votën një partie, kanë qenë më të ndërgjegjshëm për situatën dhe më të qartë se liderët politikë dhe kanë shprehur refuzimin e tyre, duke mos u dhënë votën.
Mos u gënjeni nga ata që kanë votuar.
Shikoni ata që nuk kanë votuar për ne dhe do të kuptoni pse duhet të ndihemi fitues.
Ja llogaritë e thjeshta që i bazoj dhe tek një deklaratë e Doktorit.
Zgjedhjet e 25 qershorit nuk i ka fituar PS.
Të gjithë e dimë që Shqipëria ka 3 milionë e 400 mijë votues në lista.
PS ka marrë vetëm 700 mijë.
Pra, 2 milionë e 700 mijë nuk kanë votuar PS.
Siç dihet, në zgjedhjet që kaluan PD mori rreth 400 mijë vota.
Pra, nga 3 milionë e 400 mijë votues në lista, i bie që 3 milionë votues nuk kanë votuar PD.
Nëse i krahasojmë këto dy shifra, shikohet se PD e ka mundur PS.
Ne kemi 3 milionë votues që nuk na kanë votuar, kurse Rama ka 2 milionë e 700 mijë.
Ne kemi fituar me treqind mijë më shumë”.